PZAP refuzon ankesën e PDK-së, Mitrovica e Jugut nuk shkon në rivotim NULL NULL 14.11.2025 17:52 14.11.2025 17:52 Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka refuzuar ankesën e Partisë Demokratike të Kosovës për rivotim për zgjedhjet lokale në Komunën e Mitrovicës së Jugut. Këtë e kanë bërë të ditur burime për gazetaren e Klan Kosovës, Qëndresa Tërshana. Në vendimin e PZAP-it të cilin e ka siguruar Klan Kosova thuhet se është refuzuar ankesa e PDK-së me seli në Prishtinë, lidhur me parregullsitë gjatë procesit të numërimit të fletëvotimeve në Komunën e Mitrovicës së Jugut, për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale të mbajtura më 9 nëntor. “Refuzohet e pabazuar ankesa e subjektit politik Partia Demokratike e Kosovës (PDK), me seli në Prishtinë, me te cilën ka kërkuar qe te urdhërohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), që brenda afatit të caktuar ligjor, të përsërisë procesin zgjedhor në Komunën e Mitrovicës së Jugut, duke kryer rivotim në përputhje me ligjin dhe rregulloret përkatëse”, thuhet në vendimin e PZAP-it. Në një konferencë për media më 11 nëntor, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, pas dyshimeve të bazuara për cenimin e procesit zgjedhor në Mitrovicë, kishte kërkuar që kjo komunë të shkojë në rivotim. Gruda, në një konferencë për media, tha se PDK do ta mbrojë deri në fund vullnetin e qytetarëve të Mitrovicës dhe integritetin e zgjedhjeve në Kosovë, sepse vota dhe demokracia janë të shenjta. /Klankosova.tv