Portugalia shokohet nga Kongo, Ronaldo s’dhezë me të parën NULL NULL 17.06.2026 21:20 17.06.2026 21:20 Në një ndeshje që nisi me pritshmëri për dominim nga Portugalia, skuadra e drejtuar nga Roberto Martinez është detyruar të ndahet me barazim 1:1 ndaj Republikës Demokratike të Kongos në sfidën hapëse të Grupit K në Kupën e Botës 2026, të zhvilluar në “NRG Stadium” në Houston, Texas. Portugezët e nisën ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme, duke kaluar në avantazh shumë herët me golin me kokë të Joao Neves në minutën e gjashtë. Portugezët kontrolluan plotësisht pjesën e parë, duke mbajtur rreth 80% të posedimit të topit dhe duke krijuar presion të vazhdueshëm në zonën kundërshtare. Megjithatë, pavarësisht dominimit, Portugalia nuk arriti ta thellonte rezultatin. Në fund të pjesës së parë, Republika Demokratike e Kongos përfitoi nga një goditje nga këndi, ku Yoane Wissa mbeti i lirë në zonë dhe arriti të mposhtte portierin Diogo Costa, duke vendosur baraspeshën 1:1. Në pjesën e dytë, Portugalia shtoi ritmin e lojës dhe kërkoi më shumë thellësi në sulm. Martínez aktivizoi Francisco Conceiçao për të sjellë energji dhe shpejtësi në krahët e fushës, ndërsa Cristiano Ronaldo pati disa mundësi të rrezikshme, por pa arritur të shënojë. Sulmuesi veteran gjithashtu hyri në histori si lojtari më i vjetër që merr pjesë në një Kupë Bote, transmeton Klankosova.tv. Portugalia mendoi se kishte gjetur golin e fitores me Joao Cancelo, por VAR ndërhyri duke e anuluar për pozicion jashtë loje. As hyrja e Gonçalo Ramos nuk ndryshoi fatin e ndeshjes, pasi mbrojtja afrikane rezistoi deri në fund. Pas këtij barazimi, Portugalia mbetet me një pikë në grup dhe do të përballet me Uzbekistanin në Houston, përpara sfidës përfundimtare ndaj Kolumbisë.