Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Popullisti, Demagogu dhe Demokrati 

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 10.02.2021 09:01

Cilat janë tiparet kryesore në politikë të popullistit, të demagogut dhe të demokratit? Pse megjithatë ka dallime thelbësore në mes të popullistit dhe demagogut? 

Nuk ka Popullizëm, nëse dikush nuk flet në emër të gjithë popullit.

Me kaq pak fjalë Jan-Werner Muller, në librin e tij ‘Çka është Popullizmi?’, përshkruan dhe përcakton dukurinë e Popullizmit, e cila në Perëndim  (si në Evropën Perëndimore ashtu edhe në SHBA), pati një mësymje dhe një ngritje të madhe në vitet 2015-2019, për arsye të ndryshme, por kësaj here aspak për shkak të problemeve të mëdha ekonomike dhe sociale, të cilat kanë qenë burimi kryesor i tij në të kaluarën. 

Nuk mund të ketë pra Popullizëm, në kuptimin e plotë të fjalës, nëse një politikan a një lider, nuk mundohet të merr të drejtën që të flasë në emër të gjithë një populli, dhe pastaj, poqëse merr pushtetin, të vendosë në emër të popullit, dhe në çdo vendim të tij të thirret në emër të popullit. 

Në Popullizëm nuk ka pushtet demokratik dhe opozitë parlamentare  (dhe çfarëdoqoftë opozite).

Në Popullizëm është lideri  (në çfarëdo pozite që është), është Populli, dhe janë të tjerët, të huajtë, kundërshtarët  (të cilët portretizohen si armiq), të cilët nuk janë pjestarë të Popullit.

Ka pra simbiozë të plotë në mes të Pushtetit, Liderit Popullist, dhe Popullit. 

Kur garon për Zyre, thekson autori i librit ‘’Çka është Popullizmi?’  (Muller), popullisti i portretizon garuesit e tjerë në zgjedhje, si pjesë përbërëse e një elite të korruptuar dhe të pamoralshme; kur qeverisë, ai  (popullisti pra), refuzon të pranojë legjitimitetin e një opozite.

Megjithëse shpheshherë në shqyrtimin e politikës në përgjithësi, dhe të zhvillimeve konkrete politike në një vend, në veçanti, bëhet identifikimi, në tipologjinë e politikanëve, të popullistit dhe të demagogut, diçka e tillë nuk qëndron.

Dikush mund të pohojë, me të drejtë, që në parim një vijë fare e hollë ndanë popullistin prej demagogut, por kjo vijë, sado e hollë që është, spikatë realisht, dallimet e mëdha në mës këtyre dy llojeve të politikanëve.

Para se të gjithash, demagogu respekton pushtetin dhe shtetin, dhe synimi i tij është që të fitojë në zgjedhje, duke luajtur dhe manipuluar me emocionet, synimet dhe dëshirat e qytetarëve të një vendi. 

I tillë çfarë është, megjithatë, demagogu e di që duhet t’i shërbejë pushtetit dhe shtetit. 

Ai e di që mashtrimi dhe loja me emocione ka kufi. 

Popullisti mendon që pushteti dhe shteti janë aty për t’i shërbyer atij, dhe jo anasjelltas. Ai mendon që qytetarët, apo, populli, duhet t’i shkojë atij pas, e jo të kundërtën: Që ky duhet të sheh se çfarë duan në të vërtetë qytetarët.

Demagogu ka dije të bollshme për ta bërë dallimin e qartë në mes të vërtetës dhe gënjeshtrës në politikë. Ai rëndom e përdorë gënjeshtrën në politikë, për t’i arritur qëllimet e veta (fitoren në zgjedhje), por e di shumë mirë që nuk mund ta udhëheq pushtetin, dhe as të mbetet në pushtet, duke anashkaluar vazhdimisht të vërtetën, apo, duke prodhuar sistematikisht rrenën dhe mashtrimin.

Popullisti, edhe kur ka një dije të madhe politike, atë (dije), ia subordinon në plotëni bindjeve të veta, të cilat janë e vërtetat e vetme  (madje, të vërtetat absolute), edhe nëse ato nuk janë aspak të tilla, të cilave duhet t’iu nënshtrohet i gjithë sistemi politik, i gjithë pushteti dhe shteti, i gjithë populli  (tek e mbrama).

Demagogu i di mirë kufijtë e aftësisë dhe të dijes së vete politike. Ajo është relative, e ndryshueshme, evolutive. Kjo dije transformohet, së bashku me faktet e reja në politikë dhe në shoqëri. Ai e di që nëse nuk evoluon edhe vet, nuk e ka gjatë në politikë, apo, ai mund të dështojë, keq madje.

Popullisti mendon që dija dhe aftësia e tij janë të pakufishme. Që ato nuk i nënshtrohen kurfarë ri-vlerësimi, apo, zhvillimeve të reja në vend dhe kudo tjetër në Botë. Në këtë aspekt, Popullisti është dogmat. Të tjerët duhet pra, të ndryshojnë, për tu bërë si ky. E jo anasjelltas. 

Demagogu e di cili është raporti i tij me Popullin: Ai e di që është në pushtet për popullin.

Popullisti e projekton në këtë mënyrë relacionin e tij me Popullin: Populli është aty për te (për liderin).

Demagogu e di që kariera e tij ndodhë dhe lëvizë brenda një kornize kohore  (madje, me mandate të qarta demokratike), si dhe në vazhdim të një historie politike që është krijuar prej pararendësve.

Popullisti mendon që me te, faktikisht, nisë historia, që koha nuk është njësi matëse e pushtetit të tij, dhe që mandatin që e ka marrë prej Popullit, nuk ka kush në skenën politike që mund ta kontestojë. 

Demagogu ka si detyrë kryesore shpëtimin e karierës së tij, apo, avansimin e saj sa më të madh.

Popullisti është misionar: Ai sheh veten si shpëtimtar të popullit. 

Demagogu e di që është një Botë e tërë jashtë tij dhe synimeve të tij, të cilën ky patjetër duhet ta marrë parasyshë, nëse dëshiron të mbijetojë në politikë.

Popullisti jeton vetëm brenda Botës së tij dhe gjithçka tjetër jashtë saj, nuk ka kurrfarë vlere dhe për më shumë, duhet t’i subordinohet në mënyrë të plotë. 

Çfarë është megjithatë e përbashkët për popullistin dhe demagogun është që te dytë janë dëmtues të demokracisë, teksa shkalla e rrezikut prej tyre, në një demokraci, nuk është e njejtë. Popullisti është shumë më i rrezikshëm. 

Natyrisht, në demokracinë liberale, më së miri është të jesh demorat dhe liberal, por diçka e tillë, siç ka shkruar Ralf Dohrendord është e vështirë, pos tjerash, sepse Demokracia e mirëfilltë është e ndërlikuar. Nuk ka reçetë të njejtë për të gjitha situatat me të cilat përballet një politikë dhe një shtet. Për dallim prej një politikani demokrat, popullisti mendon që ka formulë magjike për ndryshimin substancial të një vendi dhe të një shoqërie, dhe që për më tepër, ky është zbuluesi i saj. 

Kosova, si edhe çdo demokraci tjetër në Botë, nuk është imune ndaj dukurive të Popullizmit dhe të Demagogjisë politike. Këtë e dimë të gjithë ne.

 

lajme të ngjashme