Situata politike në vend, paralajmëron Maloku: Nëse vazhdon kështu, do të përballemi me protesta (VIDEO) NULL NULL 06.07.2026 23:52 06.07.2026 23:52 Ish-anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Fadil Maloku sonte në “Edicionin Special” në Klan Kosova është shprehur se zhvillimet e fundit politike mund të jenë pjesë e një strategjie për të testuar reagimin e opinionit publik, duke e lidhur këtë me mundësinë e ndryshimeve kushtetuese. Sipas tij, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, synon të hapë diskutimin për një ristrukturim institucional. “Në gjykimin tim, kjo është strategji për të matur pulse. Objektivi i tij është të krijojë një arkitekturë të re ta renovojë këtë Kushtetutë. Albin Kurti e ka shitur në publik narracionin për një ristrukturim”, tha ai. Ai paralajmëroi se nëse vazhdon një situatë e tillë politike, mund të ketë protesta masive. “Në rast se vazhdon kështu, unë jam shumë i bindur dhe do të jemi dëshmitarë që do të ndodhë një protestë identike sikur në Shqipëri. Njerëzit do të kërkojnë dorëheqjen e gjithë kastës politike, për t’i hapur rrugë një klase të re politike”, tha ai. Sipas tij, zhvillimet e reja politike në rajon dhe më gjerë kërkojnë një brez të ri liderësh me ide, vizion dhe programe që adresojnë nevojat e të rinjve. “Mos ta harrojmë se, si nga gjeografia ashtu edhe nga demografia, Kosova, por edhe Shqipëria, kanë një moshë mesatare rreth 27–28 vjeç. Ndërkohë, ne, në të dy anët e kufirit, kemi njerëz mbi 60 e madje mbi 70 vjeç që udhëheqin vendin. Kjo është absurde, sepse dinamika politike aktuale dhe lëvizjet tektonike që po ndodhin, si në rajon ashtu edhe brenda e jashtë vendit, kërkojnë njerëz të rinj, me ide, koncepte dhe një narrativë, një ofertë konkrete që lidhet drejtpërdrejt me jetën e tyre”, u shpreh Maloku./Klankosova.tv