Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Policia mohon se ShBA i ka ndërprerë trajnimet për ta

NULL NULL
26.09.2024 13:06
Kosovo Serbia Tension
Pjesëtarët e policisë së Kosovës të Njësisë Speciale për Intervenim (26 shtator, 2023) shoqërojnë një nga të armatosurit serbë të arrestuar në gjykatë pas shkëmbimit të zjarrit në Banjskë. Foto ilustruese | AP

Mbrëmë u raportua se ShBA-ja i ka ndërprerë trajnimet për Policinë e Kosovës si pasojë e veprimeve të fundit të qeverisë në veri të vendit. Kjo u tha se është masë “sanksionuese”.

Mirëpo, Klankosova.tv po mbrëmë, nga burime brenda njësive speciale të Policisë së Kosovës, mësoi dhe raportoi se ky raportim nuk është i vërtetë.

E sot, edhe Policia e Kosovës (PK) i ka mohuar raportimet për ndërprerje të trajnimeve nga ShBA-ja.

A i anuloi ShBA trajnimet për Policinë e Kosovës?

“Në kuadër të Planit Zhvillimor Strategjik 2021-2025 një ndër objektivat e parapara është edhe ngritja e kapaciteteve të burimeve njerëzore, përmes realizimit të trajnimeve të ndryshme brenda dhe jashtë institucionit, përfshirë trajnimet e ofruara nga partnerë të ndryshëm vendor e ndërkombëtar, ndër ta edhe partnerët kryesor strategjik siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Policia e Kosovës, që nga themelimi i saj e deri më sot ka realizuar trajnime të niveleve të ndryshme, në bashkëpunim me partneret e saj brenda dhe jashtë Kosove, trajnime këto të cilat nuk janë ndërpre në asnjë periudhë kohore, e të cilat vazhdojnë të realizohen edhe më tej”, ka thënë Policia në një reagim publik.

Madje, sipas këtij reagimi, thuhet se një nga përkrahësit dhe parterët kyç në ofrimin e trajnimeve brenda Policisë së Kosovës, por edhe të dërgimit të zyrtarëve për trajnim jashtë vendit, “ka qenë dhe vazhdon të mbeten Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët gjatë periudhës kohore të viteve 2022-2023-2024, e deri me tani kanë realizuar mbi 250 trajnime brenda dhe jashtë vendit, ku kanë marrë pjesë mbi 2.300 pjesëmarrës nga Policia e Kosovës, përfshirë edhe njësitet elite të PK-së”.

“Trajnimet e ofruara nga ShBA-ja kryesisht janë realizuar nga agjencionet si; OPDAT, ICITAP, DEA, ILEA, FBI, QENDRA GEORGE MARSHALL, ATA, KFOR-i-në Amerikan, etj, trajnime këto në të cilat kanë qenë të përfshira edhe njësitet speciale të PK-se, ku në vitin 2024 ka pasur rritje të trajnimeve të ofruara nga ShBA-ja për këto njësi”, ka thënë PK-ja.

Klankosova.tv mbrëmë raportoi se pjesëtarë të njësive speciale të PK-së, gjatë ditës së djeshme kishin marrë një ftesë për trajnim pikërisht në ShBA.

E këtë e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, duke thënë: “Me kërkesë të ShBA-së për pjesëmarrje në trajnime në ShBA, PK-ja në vazhdimësi por edhe tani këtë javë ka nominuar zyrtarët e saj për pjesëmarrje në trajnime në ShBA”.

Policia e Kosovës tha se vazhdon të ketë bashkëpunim dhe raporte të jashtëzakonshme me ShBA-në dhe  Ambasadën Amerikane të cilët në vazhdimësi kanë investuar shumë në Policinë e Kosovës me trajnime, me ekspertizë e po ashtu edhe me pajisje logjistike e të teknologjisë.

Ndërkaq, PK-ja ka thënë se i merr seriozisht edhe deklarimet e Ambasadës Amerikane që ndërlidhen me fushën e sigurisë dhe institucionin e saj. Madje thotë se mban komunikim të vazhdueshëm me ta, “për të sqaruar gjithçka që mund të  ketë sjellë deri tek ky perceptim edhe konstatim për PK-në”.

“PK-ja merr me shqetësim dhe është e gatshme të procedojë gjithçka që është e nevojshme që keqkuptimet e mundshme të eliminohen dhe të ruhet partneriteti ynë i jashtëzakonshëm me ShBA-në. Policia e Kosovës udhëhiqet nga parimet e llogaridhënies dhe transparencës andaj është e hapur dhe e gatshme që ti ofrojë opinionit të gjerë dhe mediave informacionet zyrtare dhe statistikat për trajnimet”, ka theksuar Policia e Kosovës. /Klankosova.tv

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.