Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Pesë vjet nga tërmeti në Shqipëri, rrëfimi rrëqethës nga ajo që përjetoi gazetari Enis Reçica

NULL NULL
26.11.2024 10:17

Në përvjetorin e pestë të tërmetit të Shqipërisë që la 51 persona të vdekur, ju sjellim rrëfimin e gazetarit të Klan Kosovës, Enis Reçica i cili për tri ditë qëndroi atje.

Dy nga zonat më të goditura nga tërmeti ishin Durrësi dhe Thumana.

Rrëfimin e gazetarit gjatë qëndrimit atje nga datat 26 deri më 28 nëntor mund ta gjeni të plotë në vijim:

Krejt çka përjetova në Thumanë, për tre ditë

“O Sardi…” – bërtiste me tërë zërin që i kishte mbetur!

“Ku është Sardi im…” – ri thërriste në vajtim mes gjithë gumëzhimës së njerëzve!

“Të lutem, ma gjeni Sardin tim, Sardi i nënës…” – ulërinte lokja e mbuluar nën petkun e lotëve të thar mbi fytyrë, e s’kishte më as lot, as zë, e as fuqi. Me të vërejtur këtë, edhe fqinjët që i qëndronin pranë e mbanin për krahu, për ta larguar nga gremina e godinës së rrënuar, ku lypte të birin e saj 18 vjeçar.

Tek më vonë, emri i këtij të riu, u gjet i shtypur në afishet e vendosura nëpër shtyllat elektrike, që u mbijetuan mbi 550 tërmeteve pa u rrënuar. Listës së 23 të vdekurve iu fut edhe emri i fëmiut më të ri 3 vjeçar, dhe atij më të moshuarit 77 vjeçar.

Hyrje,

…makina jonë mori kthesën në të majtë, pasi që identifikuam kolonën ushtarake të Forcave të Sigurisë së Kosovës, të cilët para nesh iu futën asaj rruge. Kur i pamë këta, kuptuam që jemi në vendin e duhur që e kërkonim, pavarësisht që ishte e padëshiruar ajo se çfarë do të gjenim. Policia lokale në një udhëkryq të fshatit Thumane, njësi përbërëse e Bashkisë së Krujës, përpiqeshin të mbanin rendin e tollovisë që ishte shkaktuar rreth 8 orë pas tërmetit me magnitudë prej 6.3 shkallësh Riheter. Mbi këtë udhëkryq, si në një shpat më lartë sesa gjithë territori i fshatit, qëndronte në këmbë një xhami. Ishte objekti i parë, që pamë me sytë tanë të ishte dëmtuar. Muret e plasaritura, me fasadën e rënë për toke, dhe me minaren që mezi qëndronte si e sforcuar me gjithë dëmtimet që kishte pësuar.

Destinacioni ishte diku tjetër, dhe udhëtimi deri atje, nëpër rrugica na bëri të shohim banorët e tronditur të shtëpive të vogla duke qëndruar jashtë oborreve, nga frika e shembjes më të madhe të vendstrehimeve të tyre. Pas kësaj, sytë na shkuan tek një vinç ndërtimtarie që punonte mënjanë. Drejt asaj pike edhe u orientuam, ku e njëjta pajisje përdorej për të tërhequr materialet ndërtimore nga gërmadhat. Para nesh ishin dy gërmadha të mëdha të të dy godinave prej 5 katëshe. Gjysmat e të dyja objekteve qenë të shembur tërësisht, e gjysma tjetër qëndronin në këmbë, sa për tua shtuar frikën atyre që përpiqeshin në gjetjen e trupave të zënë nën gërmadha. Këto dy objekte kuptuam se ishin shpallur si të “pabanueshëm” pas tërmetit të fund shtatorit të sivjetmë në Shqipëri. Fati që nuk kishin ku të evidentoheshin familjet rezidente, bëri që të njëjtit ta vazhdojnë jetesën në objekte të dëmtuara.

Fillimi i planit kërkim-shpëtim dukej i pakoordinuar, duke tentuar gjithsecili me idetë e tij për të rënë në ndonjë gjurmë. Aty përfshiheshin edhe banorët, e civil të tjerë që shprehnin dëshirën solidarizuese në kërkim për të zënët nga objekti. Më pas, filloi një plan më i mirë operacioni nga personat specializues për kërkim-shpëtim, duke i tërhequr mënjanë tërësisht civilët, e duke rrethuar me shirita zonën e ndaluar për të tjerët.

Nën gërmadha,

…një banorë endej, sa poshtë e lartë, nën strukje i mbushur mërzi. Kuptova se i vëllai i kishte mbetur nën rrënoja, dhe gjithsecili person me uniformë që i afrohej, i kërkonte se a iu gjet familjari. 23 persona u nxorën të vdekur nga rrënojat e këtyre dy ndërtesave. Më së shumti pësoi familja Cara, e cila humbi 7 anëtarë të familjes së saj. Meqë të njëjtit gjatë tërmetit kishin qëlluar në gjumë, pati trupa të qifteve të gjetur në një shtrat, e ndonjë fëmijë në mes tyre. Edhe të gjallë pati aty, sa një zonjë e pamë me sytë tanë, kur pas 16 orësh nën gjithë atë rëndesë materialesh ndërtimore, frymonte ende.

Gëzimi, duartrokitjet e grimca lotësh shprese nuk munguan tek të gjithë ne që hasëm në atë moment. Gruan në moshën mbi mesatare menjëherë e bartën me makina spitalore. E një tjetër, fotografia e të cilit qarkullonte gjithandej, me trupin e zënë e kokën jashtë gërmadhash, pas 17 orësh ndërroi jetë. Për të njëjtin na thanë, se mbi këmbë i kishin rënë pesha të mëdha, dhe se nuk i kishte ndjerë fare këmbët. E  pavarësisht të punës së “shpëtuesve” prej më se 17 orësh, në momentin kur ia larguan peshën, kishte pësuar gjakderdhje të lartë nga kapilarët e njërës këmbë, e cila shkaktoi edhe vdekjen e tij.

Tërmetet,

…para atij shkatërruesit të orës 3:54, një tërmet paraprak kishte ndodhur rreth orës 2 të mëngjesit të 26 nëntorit. Ky i pari, pavarësisht që nuk ishte në shkallët prej 6.3 sikur i pari, megjithatë ishte kogja shpëtues. Kjo, meqë i kishte zgjuar shumë banorë nga gjumi, duke i bërë që të largohen nga ndërtesat. Hamendësimi se mund të ndodh ndonjë tjetër, të qenit jashtë ishte shpëtim për shumë kë nga tërmeti që bëri të “famshëm” Thumanën. Veç këtyre dyve, sa qëndruam për rreth 60 orësh, tre ditë e dy net, toka pësoi dridhje mbi 550 herë të tjera. Ai, më i madhi pas “tërmetit shkatërrues” ishte në momentin kur Presidenti i Kosovës, pas një vizite të gërmadhave mori fjalën para medieve. I njëjti që u shënua e 5.4 shkallësh, dukej sikur tentonte të na përpinte në vete.

Një tjetër e përjetuam në Xhaminë e dëmtuar, gjatë namazit të Ikindisë, në momentin kur edhe me Policë të Shqipërisë bëmë selam nga krahu i djathtë. Tërmetin prej 4.1 shkallësh e përjetuam në momentin kur u rehatuam që të porositnim ushqim në një Restorant diku më në periferi të Thumanës. Vrapimthi na detyroi të largoheshim nga lokali, për të mos u kthyer më aty. 4.5 shkallësh ishte një tjetër që na u shpërfaq në momentet sa ishim në një raportim të drejtpërdrejt medial. 4 tërmete të tjera na nxorën gjumin brenda 4 orësh në natën mes të mërkurës dhe të enjtes. Faktikisht atë periudhë në mëngjes kuptuam se kishin ndodhur plot 13 të tillë. E shumë tërmete të tjera i përjetonim sa ishim duke ecur me këmbë, apo edhe me makinë, kur na dridhej kjo e fundit.

Kampi,

…të mbijetuarit nga tërmetet u vendosën në hapësirën e fushës së futbollit të fshatit. Aty nga ushtria vendëse u rregulluan mbi 70 tenda të organizatës turke AFAD. Banorët ishin jo vetëm të ndërtesave të larta, por edhe nga shtëpitë e vogla, të cilat tashmë janë të pabanueshme. Dhimbje në secilën fytyrë shihje! Asnjëri nuk kishte adresë ankese, pavarësisht që si në tërësi ta jepnin pamjen e një kampi “refugjatësh lufte”. Armik nuk kishte, meqë natyra që na jep të gjitha të mirat, tashmë për pak qaste ishte zgjuar me dridhje kundër njerëzve. Tek rreth 500 banorët e vendosur tek “shtëpitë e reja”, shihje vetëm trishtim, frikë nga ripërsëritjet e tërmeteve. Buzëqeshje kishte vetëm tek ndonjë fëmijë, që kampin e merrnin për lojë mes miqsh. Të njëjtit edhe u argëtuan nga palaçot e ardhur vullnetarisht, madje edhe iu bëhej edukim jo formal.

Në ditën e parë, këtu ishte një tollovi e madhe. Hynte e dilte kush të dëshironte. Merrnin ndihma, të cilat kishin ardhur nga shumë humanistë anë e kënd. Merrnin, i qonin tek shtëpitë e tyre veshmbathjet, shtrojat e ushqimet. Tek në ditën e dytë filloi organizimi e regjistrimi. Sa kaq, u mbyllën dyert për ata që nuk ishin të vendosur, madje as mediet nuk lejoheshin më të futeshin aty nga Policia vendëse.

Ndihmat,

“Nuk e dua atë të kuqën” – thoshte një grua e vendosur në kamp, duke zgjedhur edhe ngjyrën e bluzës.

“Moj zonjë, s’është koha të zgjedhësh” – ia kthyen vajzat që kishin sjellë rrobat natën e parë.

“Eh po, unë nuk e kam moshën për këtë ngjyrë” – vazhdonte këmbënguljen nevojtarja.

Ky ishte vetëm njëri nga momentet e shumta të një situate të tillë mes “ndihmësve” dhe “nevojtarëve”. Kjo qe pasojë e ndihmave të shumta që erdhën në Thumanë. Andaj, edhe mundësia për të zgjedhur qe e madhe nga të mbijetuarit.

Realisht, ndjenja kur shihje aq shumë humanitar, ishte e papërshkrueshme. Momente që ta linin mënjanë frikën e ripërsëritjeve të tërmetit, apo dhimbjen e gjithë fatkeqësisë që po ndodhte. Mburrja me popullin, të cilit edhe vet i përkisnim, vazhdoi pa mbarim. Ajo që vërejtëm, madje edhe na u konfirmua, ishte fakti që ndihmat kryesisht ishin nga Kosova. Maunat e mëdha, autobusët e kombi busët me targa “RKS” vërshonin gjithë komunikacionin. Njëjtë na rrëfyen edhe tek pika mbledhëse, e cila ishte stërmbushur tashmë.

“Po, është e vërtetë që më së shumti po vijnë nga Kosova!” – na tha zyrtari aty. Pastaj, të njëjtat vinin edhe nga Lugina e Preshevës, dhe shqiptarët e Maqedonisë, por fare pak vëreheshin ndihmat nga banorët e qyteteve tjera të Shqipërisë, që ishin të paprekura nga tërmeti (kjo ishte në tre ditët e para, sa prezantuam ne). Aktivizimi i madh i atyre që shtrinë dorën e ndihmës, bëri që tashmë këta banor të mos kenë nevojë më për ushqime, e vesh mbathje, por vetëm për para, me të cilat duhet të ndërtohen nga fillimi të gjitha shtëpitë e pabanuara.

Keqbërësit,

…kur të ka shumë, mund të ketë edhe keqpërdorime. Këtë edhe e shfrytëzuan disa banorë të rrethinës, të cilët vëreheshin duke marr ndonjë gjësend të dhuruar nga bamirësit.

Kishte edhe “lypës” që e shfrytëzuan këtë situatë kaosi.

“vëllai, hape dritaren pak. I kam vetëm 200 lekë, më duhen edhe 400 të tjera që t’ia blej ca barëra gocës” – na u drejtua një “nevojtarë”. I njëjti këtë kërkesë e bënte tek të gjitha makinat me targa kosovare, të cilët vinin për tu sjellë ndihma nevojtarëve të  vërtetë.

“shiheni atë shiheni, vetëm kosovarëve u kërkon lëmoshë” – komunikimi i tre grave, të cilat e kishin vërejtur personin në fjalë.

Një tjetër për dy net rreth kishte bërë gjumë në makinën e tij, brenda oborrit të shtëpisë. Jo pse dëshironte, por kishte frikë që në shtëpinë e dëmtuar, mund të futeshin: “vjedhësit, sepse këtë gjendje e kërkojnë ata”.

“Ujku do mjegull”- ia ktheva unë.

“Fiks ashtu është” – ma aprovoi thënien për gjendjen që ishte.

Politika,

…në dy vizitat që bëri Kryeministri i Shqipërisë në Thumanë, vërejta ndrojtje, mërzi e trishtim mbi gjuhën e trupit të tij. Këtë dhimbje nuk e shprehu publikisht dot aty para nesh. Në vizitën e bërë vet, derisa kaloi tek banorët e vendosur në kamp, një grua i tha, “na varfëruat mjaftë, tash u varfëruam edhe më shumë”, por Rama ia ktheu, “ta përfundojmë këtë, pastaj shohim”. Vizitën e dytë e bëri me hoxhën Elvis Naqi. Edhe kreu i Partisë Demokratike, si rival i Ramës, Lulzim Basha e vizitoi lokalitetin dy herë. As ai nuk foli publikisht rreth ngjarjes. E bukura qëndroi tek fakti që nuk e përdori situatën për të bërë polemika politike kundër Ramës, siç është bërë praktikë e tij tash e sa kohë. Me një fjalë, politika u bë bashkë në këtë tragjedi!

Edhe tërmeti që ishte më i madhi nga ai tmerruesi, që ndodhi në momentin kur mori fjalën Presidenti i Kosovës, pas vizitës së tij, ishte trishtues për Hashim Thaçin. Ia mbushi sytë frikë! Një errësirë ia mbuloi fytyrën.

Mbase këto momente, politikanët kosovar, e ata shqiptar i bëri të mendojnë se janë tërësisht të pafuqishëm. Dhe mbase, e kanë kuptuar që truprojat e shumtë në numër që u shkonin mbrapa, i kanë krejt të panevojshëm për tu mbrojtur, kur përball e kanë fuqinë natyrore. Njerëzore do ishte, ta mendoj gjithsecili politikan, se mund t’iu ndodh diçka e ngjashme edhe atyre…

Krenaria,

…Ushtria e Kosovës, Policia e Kosovës, Zjarrfikësit e Kosovës, mjekët e Kosovës, humanistët e Kosovës, bizneset e Kosovës, gjithë populli i Kosovës…

FSK-ja, të rrëqethte nga përgatitja profesionale. Me pajisje që jo vetëm Ushtria e Shqipërisë, e cila është pjesë e NATO-së, por as forcat tjera të rajonit që asistonin në kërkim-shpëtim nuk i posedonin. Dy qenë gjurmues asistuan në gjetjen e disa trupave. Detektori që informonte ku mund të ketë banorë të zënë nga rrënoja. E shumë pajisje tjera profesionale. Sa kaq, të njëjtat i përdornin edhe njësitet e shteteve asistuese. Mbanin rregull, qetësi, e kujdes të lartë. Ishin tejet komunikativë me të gjithë të pranishmit, dhe jo sikur forcat vendëse e të tjerat, që fare nuk jepnin informata rreth punimeve. Edhe pajisjet e zjarrfikësve kosovar përdoreshin nga palët tjera. Kështu na than edhe vet këta, kur rastësisht na ra të bëjmë gjumë në të njëjtin Hotel mbrëmjen e dytë. Në mbrëmjen e parë, pas kërkimit në rreth 15 Hotele, gjetëm vetëm njërin që kishte më së paku qarje muresh për të bërë gjumë rreth 4 orësh.

Sytë nuk na panë asnjë maune me firma vendëse, por vetëm të bizneseve të Kosovës. Nuk dëgjuam se të ketë ardhur ndonjë familje, tjetër përveç atyre të Kosovës, për të marr ndonjë familje të prekur nga tërmeti, e për të banuar në shtëpitë e tyre. Na u dha përshtypja sikur e gjithë Shqipëria është prekur nga tërmeti. E vërteta është se vetëm zona e Durrësit dhe e Tiranës me rrethinë janë të dëmtuara.

Pas 60 orësh qëndrim,

…Thumanën e lamë pas tre ditësh e dy netësh. E lamë në trishtim, në rrënoja, në frikë. Shpresa na u mbush kur rrugës për kthim, shihnim kolona makinash me plot ndihma të ardhura nga Kosova.

Ndjenjë e mirë,

…më kërkuan nga Kosova, që të interesohem tua gjej miqtë të cilët i kishin njohur në rrethana të caktuara, e që vinin nga ky fshat. E gjeta personin në fjalë. I pyeta si janë. Burri kishte pësuar lëndime, pas tentimit të ikjes nga tërmeti. Gruaja e fëmijët ishin mirë. Që të gjithë tashmë të vendosur në Kamp. Më falënderuan mua. Por, falënderuan edhe personin i cili  më kishte porositur që të interesohem për këtë familje. Edhe ky person nga Kosova më falënderoi për gjestin tim.

Të shumtë ishin ata miq të njohur e të panjohur që më shkruan për gjendjen e shëndetin tim. Dikush më rekomandonte që të flija në makinë, që të mbrohem nga ndonjë tërmet shkatërrues. Dikush më tha, “Enis, a ke nevojë të të sjelli veshmbathje, ushqim apo diçka”. E shumë të tjerë më kërkonin informata, se ku mund të dërgonin ndihmat që i sillnin pa reshtur.

Fatkeqësi, e cila mund të na mësoj për shumë gjëra…

Fikën personale nuk e përfshim në tekst, por përjetimet dhe dëftimet sikur po ndodh ndonjë dridhje toke, po i ndjejmë edhe tani…

Enis Reçica, 26 nëntor – 28 nëntor, 2019

 

lajme të ngjashme