Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Përse nuk vdes romani?

NULL NULL
23.04.2020 13:41

Nobelisti kanadezo-amerikan, Saul Bellow, i shquar për romane jo pak faqësh si “Aventurat e Augie March” dhe “Dhurata e Humboldit”, në parathënien e koleksionit të tij të tregimeve “Diçka me çfarë të kujtohem” (1991), e shfaq shqetësimin e tij lidhur me vëllimin e madh të një romani. Ai madje e qorton veten e tij të mëhershme pse nuk i kishte tëharrur veprat e tij të dikurshme nga fjalitë e tepërta apo të shmangshme.

Gati tridhjetë vjet më vonë, 24 orëshi që e rrumbullakon ditën – i përthithur nga avansimi i teknologjisë dhe dinamika jetësore me intensitet gjithnjë në rritje – vetëm sa është bërë më armiqësor për ata që duan të lexojnë në kohë të lirë. Sipas një anketimi nga Zyra e Statistikave të Punës e SHBA-së, realizuar më 2018, numri i amerikanëve që lexojnë në kohë të lirë ka rënë për 30 përqind krahasuar me të dhënat e vitit 2004.

Mirëpo, anash justifikimit për vëllimin e librave apo për mungesë të kohës së lirë për të lexuar, disa e kanë edhe atë se nga leximi i veprave letrare (më specifikisht – i romaneve) nuk përfitojnë gjë. Benzinë këtij arsyetimi së fundi i hodhi komiku shqiptar Ermal Mamaqi, i cili numëron mbi një milion ndjekës në rrjetet sociale – me ç’rast mendimi  i tij bëhet i painjorueshëm. Mamaqi këshillonte se njerëzit duhet të lexojnë libra të zhanrit të ashtuquajtur “psikologji pozitive” (self-help), në disfavor të romaneve.

“Kush lexon më romane? Vetëm pensionistët. Duhet të lexosh libra që kanë vlerë për profesionin tënd, ose situatën që po kalon. Në vend që ta mbushësh kohën me TV, Instagram, lexo një libër. Lexo libra, jo përralla, por në profesionin tënd. Çohu dhe vendos se çfarë do bëhesh, vendos tani një gjë që do i shërbejë jetës tënde me një impakt të jashtëzakonshëm. gjërat ndodhin, por rëndësi ka si e interpreton atë që ndodh”.

Ermal Mamaqi

 

Për dallim prej tij, komiku amerikan Bill Hader di ta nxjerrë humorin, tiparet më të theksuara, por edhe ato periferike të natyrës njerëzore, pikërisht nga shkrimet e Lev Tolstojit apo Tobias Wolff-it.

Mamaqi seç del kundër konstatimit të romancierit Philip Roth, i cili thotë që lexuesit e mirë “vijnë te fiksioni për t’u çliruar nga zhurma e atyre që mundohen të të ndryshojnë, bindin, joshin dhe kontrollojnë”.

Komiku amerikan Bill Hader

 

Sidoqoftë, shoumeni shqiptar nuk është as i pari dhe as i fundit që e konteston dobinë e letërsisë së fiksionit, mirëpo kontributi i këtij lloj arti në evoluimin e njerëzimit – qoftë i drejtpërdrejtë apo i tërthortë – është i pamohueshëm.

Autori kosovar Ag Apolloni, profesor i letërsisë shqipe në Universitetin e Prishtinës, e përthekon vlerën që bart romani, apo një shkrimtar fiksioni, nëse jo patjetër tek masat, atëherë tek individët që e kanë ndryshuar botën.

“Është e vërtetë që letërsia gjithmonë e ka frymëzuar shkencën. Shkencëtarët më të mëdhenj, nga Aristoteli deri te Ajnshtajni, apo edhe të tjerë pas tyre e kanë adhuruar letërsinë. Aristoteli te letërsia shihte një funksion terapeutik (shërues) për publikun, kurse Ajnshtajni shoqërohej vazhdimisht me shkrimtarë dhe kërkonte ndihmë te Tomas Mani që t’i sugjeronte romane për lexim”.

“Po ashtu, Steve Jobs adhuronte romanin ‘1984’ të Orwellit. Nuk njoh ndonjë shkencëtar, apo intelektual, që të mos jetë ndikuar nga romanet dhe nga letërsia, në përgjithësi. Kuptohet që letërsia nuk është art i masave, por ajo ndikon te njerëzit të cilët qëndrojnë mbi masën dhe mbi mesataren”.

 

Ag Apolloni

 

Megjithatë, Apolloni tregohet i kujdesshëm në qartësimin e pozicionit që romani ka në jetën e njeriut, duke e veçuar mbi të gjitha si ushqim të njerëzve inteligjentë dhe i atyre të ideve të mëdha prej të cilëve përfiton shoqëria si tërësi.

“Romani ndikon në formimin individual varësisht nga individët. Natyrisht, romani nuk ndikon në përmirësimin e jetës, as në përkeqësimin e saj, por vetëm në pasurimin shpirtëror dhe intelektual”.

“Njerëzit që lexojnë romane, përgjithësisht letërsi, janë më inteligjentë se ata që nuk lexojnë. Kjo për një arsye të thjeshtë, sepse letërsia të familjarizon me diskursin e figurshëm, të vetëdijëson për efektet e gjuhës që mbush ide”.

Autori i “Ujku i Ulurimave” dhe “Zazen” nuk konsideron se teknologjia ka bërë që njerëzit të zgjedhin të mos lexojnë, porse pohon që ka ndikuar që njerëzit të zgjedhin çfarë të lexojnë.

“Nuk mendoj se teknologjia e ka zvogëluar interesimin për romanin, por natyrisht ka nxitur një kriter selektimi. Nuk lexohet gjithkush e gjithçka, por vetëm ata autorë dhe vepra që lexues i merr si modele për formimin intelektual të tij, apo për t’i dhënë kuptim gjendjes së tij”.

 

Steve Jobs

 

Ligjëruesi në Departamentin e Antropologjisë në Universitetin e Prishtinës, Durim Abdullahu, e cilëson romanin si formë ideale për edukim dhe formësim shkaku i spektrit gjithpërfshirës që e karakterizon si gjini artistike.

“Letërsia në përgjithësi dhe romani veçanërisht nuk janë vetëm arte për argëtim a bjerrakohje, siç merren nga një pjesë e madhe e shoqërisë në Kosovë. Romani është gjinia artistike tekstuale më komplekse, që ka mundësi të përfshijë në të të gjitha format e mendimit dhe traditës, nga besimi religjioz te filozofia dhe nga teoritë shkencore te përsiatjet personale”.

“Europa nuk mund të mendohet dhe as të kuptohet pa artin e romanit. Romani nuk është një lloj vepre arti me formë libri që lexohet për t’u argëtuar a për ta kaluar kohën e lirë, por një tablo që përmbledh gjithë kulturën humane siç është përceptuar ajo pas-Iluminizmit, veçanërisht në shoqëritë perëndimore. Romani mbahet si mënyrë e mirë për t’u vetëedukuar”.

Abdullahu argumenton që mediat sociale të çfarëdollojta nuk mund ta zëvendësojnë romanin, pasi psikologjia e njeriut nuk mund të reduktohet në përmasa imazhore pa mendim të thënë, përkatësisht të shkruar.

Përmes pafundësisë së mundësive dhe rrëfimit që e ofron, ai e cilëson romanin si shpikje e cila do të jetë fuqishëm e pranishme aq sa të jetë edhe njerëzimi.

“Si rrëfim i përjetimeve njerëzore përmes shkrimit të tyre, romani mbetet përçuesi më i mirë dhe më i lirë i përvojave të species humane”.

“Mundësitë e pafundme të artit të romanit për të përfshirë në tekst çdo lloj bote a kulture njerëzore e bëjnë romanin një nga shpikjet më të pakohshme të historisë së njerëzimit”.

Durim Abdullahu

 

Rrugëtimi i romanit ndër shekuj e ka parë këtë gjini të marrë trajta të ndryshme, të rritet e rishpiket kurdo dhe kudo. Edhe atëherë kur mund të jetë menduar nga disa se romani është shndërruar në aktivitet ezoterik, ai e ka rigjetur veten në spektrin e gjithëmbarshëm shoqëror.

Ndonëse edhe në këtë debat ka dallime dhe polemika, është një gjë që i afrohet konsensuales sa i përket rëndësisë dhe pranisë së romanit në kohën që nuk resht së kaluari e së transformuari. Është rrëfimi, gjithanshmëria,  larushia e konteksteve e njohurive që romani i qet para dhe që e njofton a mishëron lexuesin me të qenit, me kulturën, historinë dhe gjithçka tjetër – ajo që e përngjit jetëgjatësinë e tij me atë të vetëdijes njerëzore.

 

lajme të ngjashme