Përqindje e lartë e votave të pavlefshme (VIDEO) NULL NULL nga Valdrin Ibishi 21.10.2021 20:35 nga Valdrin Ibishi 21.10.2021 20:35 Vizatimet e mesazhet në fletëvotime, bënë që shumë të tilla të shpallen të pavlefshme në zgjedhjet e fundit lokale në vend. Në këtë fushë, më së shumti u dëmtuan kandidatët për asamble në kuvende komunale. Flamur Beqirit i munguan dhjetëra vota për të hyrë në asamblenë komunale të Prishtinës. “Qysh e kuptova unë, ishin shtatë përqind apo gjashtë mijë vota, që është goxha një impakt i madh në këtë aspekt”, tha ai. Beqiri thekson se jo domosdoshmërish arsimimi i njerëzve ka përcaktuar çështjen e asaj se a kanë ditur ose jo se si duhet të votohet. Qytetarët u ankuan se nuk ishin të informuar mjaftueshëm për procesin e votimit. Nga shoqëria civile janë të shqetësuar për këtë çështje. Sipas Qëndrim Arifit nga Iniciativa për Progres, ka pasur të atillë që këtë e kanë bërë me qëllim prishjen e fletëvotimit. Ndërsa, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve thonë se jo çdo votë e cila numëron më shumë se një kandidat për asamble shpallet e pavlefshme. “Në raste kur votuesi zgjedh më shumë kandidatë se sa është paraparë, fletëvotimi është i vlefshëm vetëm për subjektin politik, ndërsa për pjesën e kandidatit, KQZ s’e llogaritë”, tha Valmir Elezaj. Numër të madh të votave të pavlefshme për asamble komunale kanë pasur edhe gjashtë qendra tjera të mëdha në Kosovë. Madje, në të gjitha ato, numri i tyre shkon mbi tremijë.