Përplasja mes shkrimtarëve, Lubonja: Akuzat e Kadaresë ndaj meje janë qesharake NULL NULL 14.04.2017 09:56 14.04.2017 09:56 Shkrimtari, kandidat për Çmimin Nobel disa herë Ismail Kadare ka vijuar replikat me analistin dhe opinionistin Fatos Lubonja. Kadare ka thënë se Lubonja ka dëshmuar në hetuesi kundër të atit. Kadare ka cituar gjyqin e Lubonjëve më 1975, duke thënë se ky gjyq është rast ekzemplar, kur i biri akuzon babanë se “ka bërë gabime ideologjike”. Këtë ngjarje shkrimtari Kadare, e merr si rast ilustrimi për të stigmatizuar regjimin diktatorial të Enver Hoxhës, duke u shprehur: “Dosja për të cilën ju flisni, duke pasur në thelb një ngjarje disi të rrallë, rastin e familjes Lubonja at e bir, ku i biri ka bërë shkaktar të atin për “mendimet e gabuara”, që po e çonin drejt burgut, në një pamje të parë mund të duket si dramë brenda familjes, në të cilën e drejta për t’u përzier është vetvetiu e kufizuar…”. Dhe më tej, duke iu adresuar Fatos Lubonjës, nëpërmjet GSH, Kadare thotë: “Në vend të një vrasje sado të thjeshtë ndërgjegjeje, siç ndodh në raste të tilla, ky njeri tregoi një dashakeqësi të papërfytyrueshme, shoqëruar me akuza makabre ndaj meje si shovinist shqiptaromadh, racist antiserb (gjuha serbe një jevgë përballë zonjës së rëndë shqipe) e të tjera si këto…”. Pas kësaj, ka reaguar Fatos Lubonja, që në një prononcim për “News 24” është shprehur se akuzat e drejtuara në drejtim të tij janë qesharake. “Akuzat e Kadaresë ndaj meje janë qesharake. Ndjej keqardhje për kulturën e manipulimit, shkruan Gazeta Shekulli. Historia manipulohet për hatër të pushtetit. Në Shqipëri është krijuar një regjim i dytë. Unë as nuk shpik dhe as nuk shtoj. Hapni gazetën ‘Drita’ dhe verifikoni thëniet e mia”, ka thënë Lubonja.