Përparim Rama: Rruga “George Bush” pas 8 janarit do të hapet vetëm për trafikun urban (VIDEO) NULL NULL 22.12.2022 20:56 22.12.2022 20:56 22:13 – Rama: Problemi i qenve endacakë s’zgjidhet pa përfshirjen e krejt komunave Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, thotë se kanë investuar më shumë se çdo komunë tjetër për zgjidhjen e problemit me qentë endacakë. “Kemi investuar dhjetëfish më shumë se çdo qeveri deri tani, nivelin qendror apo të komunave, kemi bërë çdo gjë për brenda ligjit për ta zgjidhur problemin e qenve endacakë”. “Kemi krijuar strehimoren e parë në vend, e cila është në përfundim e sipër në Hajvali, i kemi ndarë 10 hektarë për park të kafshëve me fokus për qentë endacakë, kemi krijuar hapësira për ushqim të qenve endacakë për ta zbritur agresivitetin, i kemi shtatë kompani të ndryshme që merren me kapje, vaksinim, sterilizim të qenve” u shpreh Rama. Rama, në Rubikon në Klan Kosova, tha se problemi i qenve endacakë mund të zgjidhet vetëm nëse përfshihen edhe komunat tjera dhe niveli qendror për shkak të lëvizjes së qenve nga një qytet në tjetrin. “Por këto janë të pamjaftueshme nëse nuk involvohen të gjitha komunat tjera dhe niveli qendror, për arsye se qentë po vijnë nga komunat tjera, ne po bëjmë çmos që ta zgjidhim” tha Rama. 21:45- Rama: Qytetarët do të kenë shumë opsione për të lëvizur në kryeqytet Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se komuna është i angazhuar në disa projekte që sipas tij do ta lehtësojnë lëvizjen e qytetarëve. Rama tha në Rubikon në Klan Kosova i përmendi projektet në fjalë të cilat parasheh t’i realizojë deri në fund të mandatit. “Paralelisht me testimet në rrugë kemi nënshkruar kontrata për pesë shkolla në zonat periferike, pra tri shkolla me partneritet me publiko-privat, një në Kalabri drejtpërdrejt komuna dhe tjetrën që e kemi në bashkëpunim me Ministrinë e Edukimit. Shkollat janë pjesë e problemit të trafikut dhe këto shkolla do ta ndihmojnë shumë trafikun, rruga A do ta ndihmoj trafikun, unaza e qytetit po ashtu” tha Rama. “Qytetarët të jenë më të sigurt në hapësira publike, do të lëvizin lirshëm në trafik urban, do të lëvizin lirshëm me biçikleta e trotinete dhe normal me makina, do të kenë më shumë opsione ku mund të parkohen dhe të ecin, pra opsionet do të jenë të shumta për kryeqytetin” tha Rama në Rubikon të Klan Kosovës. 21:12 – Zgjerimi i sheshit ka qenë pjesë e programit tim elektoral Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka folur për ndryshimet që janë bërë gjatë këtij viti në rrugët e kryeqytetit. Në emisionin Rubikon në Klan Kosova ai tha se shndërrimi i rrugës “George Bush” në shesh dhe ndryshime të tjera që janë bërë, kanë qenë pjesë e programit të tij elektoral. “Çdo ndryshim i lëvizjes brenda qytetit fillimisht krijon një hezitim të lëvizjes së qytetarëve që i përdorin makinat në qytet sepse qytetarët gjatë ditës e kanë trasenë e njëjtë”. “E kam thënë edhe gjatë kampanjës që synimi ynë është që këmbësori të jetë i pari, trafiku urban, ai alternativ si biçikleta dhe trotinete i dyti dhe makinat të tretat”. Sipas tij, sheshi i ri në rrugën “George Bush” do të hapet nga 8 janari për trafikun urban, por jo edhe për veturat private. “Te katedralja deri më 8 janar do të jetë shesh, pra pa qasje të asnjë makine. Nga 8 janari hapet për trafikun urban, pra autobusët dhe taksitë, normal që rastet emergjente si ambulancat, policia, zjarrfikësit dhe të tjerët kanë qasje në çfarëdo kohe”. 21:04 – Rama: Ne e kemi mundësuar organizimin e bienales “Manifesta” Kreu i kryeqytetit, Përparim Rama, tha se bienalja Manifesta që u mbajt këtë vit ka rrezikuar të mos organizohet fare për shkak të problemeve logjistike. Rama tha se kjo bienale nuk dështoi si rezultat i angazhimit të tij, njofton Klankosova.tv. “Manifesta ka pasur probleme fillimisht për shkak të pandemisë që i ka humb një vit, pastaj aspekte logjistike për pagesë të disa faturave për t’i mundësuar shumë procese që nuk janë bërë me kohë nga qeverisja e kaluar, nuk janë bërë për aspekte burokratike që ne është dashur t’i shtyjmë përpara”. “Manifesta ka qenë shumë e rrezikuar, tepër e rrezikuar, këtë e thotë edhe Hedwig Fijen, se po të mos isha unë që kam qenë pjesë e Manifestës prej fillimit si zëvendëskryetar, pastaj si kryetar i kryeqytetit, Manifesta ka pasur shumë shanse të mëdha të mos ndodhte, kështu që e kemi mundësuar që Manifesta të ndodhë” tha Rama. Rama, mes tjerash, në Rubikon në Klan Kosova, tha se Manifesta ka pasur 147 mijë vizitorë dhe kjo i ka ndihmuar ekonomisë së kryeqytetit. “Pa një bashkëpunim të mirëfilltë ndërmjet nivelit lokal dhe atij qendror dhe ekipës së Manifestës nuk kishim mujtë me i shty projektet e mirëfillta përpara dhe ta transformojmë kryeqytetin, ta bëjmë gati për bienalen e Manifestas, që ka pru shumë vizitorë. Ka pasur mbi 800 mijë vizita në secilën prej këtyre pikave, 147 mijë vizitorë, ka pasur numër të madh të vizitorëve që kanë ardhur enkas vetëm për bienalen Manifesta dhe kjo ka pasur impakt pozitiv për ekonominë e kryeqytetit”, tha Rama. 21:00 – Rama: Ka filluar përmirësimi i jetës së qytetarëve në kryeqytet Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, vlerëson se gjatë këtij viti sa ai ka udhëhequr me kryeqytetin qytetarët kanë arritur ta vërejnë përmirësimin e jetës. “Mendoj se kam pasur hapësirë të mjaftueshme, një koalicion të mirëfilltë me drejtorë të cilët janë profesionistë, janë edhe menaxherë, kemi filluar shumë procese dhe transformime në kryeqytet të cilat veçse po shihen nga qytetarët, ka filluar përmirësimi i jetës në kryeqytet në shumë sfera”, u shpeh Rama. Rama, në Rubikon në Klan Kosova, shtoi se viti i parë ka qenë sfidues për shumë arsye, duke përfshirë rritjen e inflacionit për shkak të luftës në Ukrainë. “Lufta në Ukrainë ka ndikuar në rritjen enorme të çmimeve të materialeve, e cila ka shkaktuar probleme edhe me vazhdimin e disa kontratave të cilat normal që janë kontraktuar në qeverisjen e mëparshme, por nuk kanë pasur mundësi financiare të vazhdojnë”. “Po ashtu kemi pasur mungesë të bordit të organit shqyrtues të prokurimit e cila ka ndikuar që shumë projekte që kanë qenë shqyrtim të prokurimit nuk kanë mundur të vazhdojnë, megjithatë kemi arritur shifër rekord të projekteve që i kemi dërguar në prokurim” tha Rama. Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, vjen sonte në Rubikon për të folur mbi një vjetorin e udhëheqjes së tij me kryeqytetin. – Çfarë punë janë kryer gjatë këtij viti në Prishtinë? – Cilat janë planet për punët në vazhdim? – Si është bashkëpunimi i të parit të kryeqytetit me Qeverinë Kurti? – Cili është rezultati i testeve në trafik? – Kur do të vazhdojë projekti i zgjerimit të sheshit? Këto dhe shumë tema të tjera që lidhen me Prishtinën, diskutohen sonte në ora 20:45, në Klan Kosova.