Për pak u dogj i gjallë, piloti i Formula 1 gati për rikthimin në pistë NULL NULL 25.09.2025 16:53 25.09.2025 16:53 Shoferi i Formula 1, Romain Grosjean do të rikthehet në timon ku do të marrë pjesë në testime me ish-skuadrën e tij, Haas, në Itali të premten. Ky rikthim vjen pothuajse pesë vjet pas aksidentit të rëndë që pësoi në fillim të Çmimit të Madh të Bahreinit 2020. Ai shpëtoi nga flakët që përfshinë makinën e tij Haas pasi u përplas me barrierën me 220 kilometra në orë ku mbeti i bllokuar. Grosjean pësoi djegie në pjesën e pasme të duarve, gjë që e pengoi të merrte pjesë në dy garat e fundit të sezonit 2020 dhe t’i jepte lamtumirën Haasit në pistë. Grosjean gjithmonë ka pasur dëshirë të rikthehej në një makinë të Formula 1 për të siguruar që aksidenti të mos ishte akti i tij i fundit në garat e mëdha. Mercedes kishte planifikuar një test të veçantë për të në Francë në vitin 2021, por kufizimet e udhëtimit për shkak të Covid-19 çuan në shtyrjen e tij, shkruan NY Times, transmeton Klankosova.tv. Por Grosjean më në fund do të ketë mundësinë të premten pasi Haas njoftoi se do të marrë pjesë në programin e tij të fundit të testimeve “Testing of Previous Cars” që po zhvillohet në Mugello. Testi do të kryhet me makinën e Haas-it të vitit 2023 dhe do të mbikëqyret nga disa prej anëtarëve të skuadrës së kohës kur Grosjean garonte për ta. Grosjean planifikon të përdorë një helmetë speciale, të dizajnuar nga fëmijët e tij për garën e fundit të planifikuar në Abu Dhabi në fund të vitit 2020, e cila nuk u përdor kurrë për shkak të aksidentit.