PE kërkon sërish heqjen e vizave për kosovarët (VIDEO) NULL NULL nga Besnik Tahiri 09.02.2021 21:12 nga Besnik Tahiri 09.02.2021 21:12 Fushata parazgjedhore e 2021-ës e ka një veçanti. Kandidatët për kryeministër e as ata për president të Republikës nuk po premtojnë liberalizimin e vizave. Në dekadën e fundit ky ka qenë premtim kapital i partive politike por që kurrë nuk u realizua. Ndërkohë nga Brukseli vijnë lajme për një angazhim të eurodeputetëve që të ecet para me heqjen e vizave për shtetasit e Kosovës për në Zonën Schengen. “Për momentin po negociohet Raporti për Kosovën në Parlamentin Evropian .Me këtë dokument do ti kërkohet disa vendeve anëtare të BE-së që urgjentisht të heqin bllokadën e tyre për liberalizimin e vizave për Kosovën. Të gjitha kriteret tashmë janë plotësuar dhe kosovarët meritojnë udhëtimin e lirë pa viza” tha eurodeputeti Lukas Mandl. Për tu bërë realitet liberalizimi duhet të votohet nga Këshilli evropian përderisa Komisioni disa herë ndër vite ka aprovuar vendim se Kosova i ka përmbushur kriteret dhe se vendet anëtare duhet të votojnë. Zyrtarisht Franca dhe Holanda janë dy vendet që i kanë thënë Jo liberalizimit për shtetasit e Kosovës. Parisi dhe Amsterdami kërkojnë nga Prishtina zyrtare rezultate konkrete në luftimin e krimit dhe korrupsionit të nivelit të lartë. “Parlamenti Evropian vepron në emër të evropianëve . Ne jemi përfaqësuesit e popullit dhe po e shtyjmë përpara procesin në mënyra të ndryshme. I mbetet Këshillit të BE-së pra vendeve anëtare të vendosin për heqjen e regjimit të vizave” thotë Mandl. Liderët e Bashkimit Evropian sipas agjendës më 24 dhe 25 Qershor debatojnë për ardhmërinë e Zonës së lëvizjes së Lirë Schengen ku Kosova mëton të bëhet pjesë tash e 12 vjet.