Pastori Burns: Në Kosovë nuk isha si zyrtar i ShBA-së, por do t’ia përcjell vërejtjet e mia administratës NULL NULL 16.07.2026 18:25 16.07.2026 18:25 (Radio Evropa e Lirë) – Pastori Mark Burns, këshilltar joformal i presidentit amerikan, Donald Trump, për çështje shpirtërore, thotë për Radion Evropa e Lirë se gjatë vizitës së tij të fundit në Kosovë, nuk ishte në cilësinë e një përfaqësuesi zyrtar të Shteteve të Bashkuara, negociatori apo të dërguari për çështjen e statusit të Kishës Ortodokse Serbe, ose për ndonjë çështje tjetër politike. Megjithatë, thotë se vërejtjet e tij për pozitën e Kishës Ortodokse Serbe dhe liritë fetare në vend do t’ia përcjellë Departamentit amerikan të Shtetit. Ai sqaron se vizita e tij në Kosovë dhe në objektet e trashëgimisë kulturore të Kishës Ortodokse Serbe, nuk ishte e koordinuar me administratën amerikane. Sipas tij, roli i tij si këshilltar shpirtëror i presidentit Trump është “një nismë e pavarur fetare, e përkushtuar për promovimin e paqes, mbrojtjen e lirive fetare dhe nxitjen e dialogut përtej ndarjeve kulturore, politike dhe fetare”. “Kam udhëtuar si pastor i krishterë dhe themelues i lëvizjes ‘Spiritual Diplomats’ (Diplomatët Shpirtërorë)”, thotë ai, duke shtuar se kjo nismë jozyrtare diplomatike buron nga bindja se “ka vende ku vetëm politika nuk mund t’i shërojë plagët”. Në fillim të korrikut, Burns, i shoqëruar nga patriarku serb Porfirije, vizitoi manastiret mesjetare të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë – Deçanin, Patriarkanën e Pejës dhe Graçanicën – të cilat janë të përfshira edhe në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Kisha Ortodokse Serbe njoftoi se gjatë vizitës, Burns u njoh me historinë e këtyre manastireve. Vetë Burns deklaroi se në Kosovë nuk kishte udhëtuar për të thelluar ndarjet, por për të dëgjuar dhe për të mbështetur paqen, pajtimin dhe shërimin – në Kosovë dhe në Ballkan. Të njëjtin qëndrim ai e përsërit edhe për Radion Evropa e Lirë, duke thënë se, gjatë angazhimeve të tij në Ukrainë, Moldavi, Serbi, Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë, Izrael dhe zona të tjera të prekura nga konfliktet, mesazhi i tij ka qenë i pandryshuar: “Çdo jetë njerëzore është e shenjtë, liritë fetare duhet të mbrohen dhe paqja e qëndrueshme kërkon që të dëgjohen ata, zërat e të cilëve shumë shpesh mbeten të padëgjuar”. “Në Kosovë, po ashtu, kam ardhur për të kuptuar më mirë shqetësimet historike, shpirtërore dhe humanitare të njerëzve me të cilët jam takuar, duke besuar se udhëheqja e përgjegjshme fillon me dëgjimin përpara se të flasësh”, thotë Burns. Çfarë u diskutua në takimet me udhëheqësit e Kishës Ortodokse Serbe? Dioqeza e Rashkës-Prizrenit në Kosovë nuk dha detaje nëse udhëheqësit e Kishës Ortodokse Serbe diskutuan me pastorin Burns për pozicionin ose statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe çështje të tjera. Vetë Burns thotë se gjatë vizitës së tij në Kosovë, udhëheqësit e Kishës e informuan atë për shqetësimet, përvojat dhe perspektivën e tyre historike. “Siç është zakon në takimet me udhëheqësit fetarë në mbarë botën, mora informacione që kishin për qëllim të më ndihmonin që të kuptoja më mirë komunitetin e tyre dhe sfidat me të cilat përballen. Marrja e informacionit nuk duhet të ngatërrohet kurrë me mbështetjen e çdo qëndrimi të shprehur. Si diplomat shpirtëror, përgjegjësia ime është të dëgjoj me kujdes, të kërkoj të vërtetën dhe të flas me respekt për të gjithë njerëzit”, thotë Burns. Liritë fetare përmenden në Marrëveshjen për Normalizimin e Marrëdhënieve Ekonomike midis Kosovës dhe Serbisë, e njohur më mirë si Marrëveshja e Uashingtonit, e nënshkruar në shtator të vitit 2020 në Shtëpinë e Bardhë, gjatë mandatit të parë të presidentit Trump. “Të dyja palët zotohen t’i respektojnë liritë fetare, duke përfshirë ripërtëritjen e dialogut ndërfetar, mbrojtjen e vendeve fetare dhe zbatimin e vendimeve gjyqësore që mbrojnë Kishën Ortodokse Serbe”, thuhet, mes tjerash, në atë marrëveshje. Në vitin 2023, Kosova dhe Serbia ranë dakord për Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes së miratuar më parë për Rrugën drejt Normalizimit të Marrëdhënieve, e cila përmend formalizimin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe, përkatësisht se “Kosova duhet të ofrojë një nivel shtesë mbrojtjeje për objektet dhe trashëgiminë e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë”. Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit të Marrëdhënieve nuk është nënshkruar, por Bashkimi Evropian, i cili e ndërmjetëson dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, ka deklaruar se ajo është ligjërisht e detyrueshme për të dyja palët. “Do t’i ndaj vërejtjet mia me Departamentin e Shtetit” Pastori Burns thotë se ajo që ka parë dhe dëgjuar nga përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, “meriton vëmendje serioze”. “Ashtu siç kam bërë në pjesë të tjera të botës, kam ndërmend t’i ndaj vërejtjet e mia me zyrtarët përkatës të Departamentit të Shtetit të SHBA-së dhe politikëbërës të tjerë përkatës, në mënyrë që ata të jenë të vetëdijshëm për shqetësimet që më janë përcjellë në lidhje me lirinë fetare, pozicionin e bashkësive fetare dhe çështjet më të gjera humanitare”, thotë Burns. Ai shton se synon të përdorë platformën e vet publike “për të nxitur ndërgjegjësim më të madh për këto çështje, për të promovuar dialog të informuar dhe për të avokuar për zgjidhje paqësore që mbrojnë dinjitetin njerëzor dhe të drejtën themelore të çdo personi për të shprehur lirisht besimin e tij”. Dushan Janjiq, nga Forumi për Marrëdhënie Etnike me seli në Beograd, thotë për Radion Evropa e Lirë se vizita e pastorit Burns në Kosovë përfaqëson “një shembull të mirë të diplomacisë joformale”. “Burns erdhi si pastor i Kishës Ungjillore – është e pamohueshme që ai është një nga këshilltarët shpirtërorë të presidentit Trump. Ai nuk erdhi, as nuk mundi të vinte në një vizitë zyrtare, por është mirë që erdhi [në Kosovë]”, thotë Janjiq. Ai shton se statusi i Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë duhet të zgjidhet në nivelin e kishave, pa përfshirjen e autoriteteve në Beograd ose në Prishtinë. “Kisha nuk mund të organizohet përgjatë kufijve shtetërorë, por përgjatë metropoliteve që janë të pavarura. Për lexuesit modernë, Kisha duhet të marrë një status të ngjashëm me atë të universiteteve – me autonomi të garantuar ose një formë ekstraterritorialiteti”, thotë Janjiq. Po sipas tij, një marrëveshje e mundshme për statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë mund të arrihet vetëm me pëlqimin e kishave të tjera të krishtera, përfshirë Papën. Dioqeza Rashkë-Prizren e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë i mohoi në gusht të vitit të kaluar pretendimet se po zhvilloheshin negociata me institucionet e Kosovës për një “marrëveshje themelore”. Janjiq shton se roli i pastorit Burns është ende i panjohur, por beson se vizita e tij në Kosovë është një hap i rëndësishëm, sepse “do të përshpejtojë interesin e administratës amerikane”. Sa është e mbrojtur Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë? Në vitin 2007, ish-presidenti finlandez, Martti Ahtisaari, i cili ishte përgjegjës për çështjen e statusit të Kosovës në emër të Kombeve të Bashkuara, hartoi një dokument – i njohur për publikun si Plani i Ahtisaarit – në bazë të të cilit komunitetit serb i jepen garanci të forta. Plani rregullon çështje të ndryshme – nga kultura, gjuha, feja dhe tradita, tek arsimi, shëndetësia, çështjet ekonomike dhe të pronës, deri te formimi i komunave me shumicë serbe përmes procesit të decentralizimit. Plani i Ahtisaarit mbron, gjithashtu, Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë dhe pronën e saj, dhe në vitin 2008, bazuar në atë dokument, u miratua Ligji për Zonat e Veçanta të Mbrojtura. Ky ligj siguron mbrojtjen e manastireve, kishave dhe vendeve të tjera fetare ortodokse serbe në Kosovë, si dhe mbron vendet e tjera kulturore dhe historike që janë me rëndësi të veçantë për komunitetin serb. Megjithatë, Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë ka ndërprerë komunikimin me autoritetet aktuale, për shkak të, siç ka thënë, “deklaratave joprofesionale dhe politikisht nxitëse nga zyrtarët më të lartë të Kosovës”. Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë ishte e përfshirë në një mosmarrëveshje gjyqësore për 16 vjet për çështjen se kush i zotëron 24 hektarë tokë dhe pyje pranë Manastirit të Deçanit. Më pas, në vitin 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi në favor të Manastirit të Deçanit, por autoritetet lokale refuzuan për vite me radhë ta zbatonin vendimin, duke argumentuar se ai legjitimonte një vendim të vitit 1997 të ish-presidentit jugosllav, Sllobodan Millosheviq, i cili ia kishte dhuruar pronën Manastirit. Vendimi u zbatua vetëm në mars të vitit 2024, me kërkesë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, pas trysnisë së vazhdueshme ndërkombëtare. Kurti tha se qëndrimi i tij ndaj këtij vendimi nuk kishte ndryshuar, por se zbatimi ishte bërë për të mos rrezikuar përpjekjet e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Manastiri i Deçanit ka një tjetër mosmarrëveshje me autoritetet lokale në Deçan, që është ndërtimi i rrugës kryesore Deçan – Plavë. Punimet e ndërtimit në këtë rrugë po zhvillohen përmes Zonës së Mbrojtur dhe janë ndërprerë disa herë me kërkesë të Qeverisë së Kosovës ose bashkësisë ndërkombëtare. Një tjetër kontest lidhet me Kishën e Krishtit Shpëtimtar në kampusin e Universitetit të Prishtinës. Universiteti pretendon se objekti është ndërtuar në mënyrë të paligjshme gjatë viteve ‘90, në tokë universitare, në kohën e regjimit të Sllobodan Millosheviqit. Për këtë çështje, procesi gjyqësor vazhdon ende në Gjykatën Themelore në Prishtinë. /REL