Osmani pritet nga Barduani në selinë e KFOR-it, flasin për sfidat e sigurisë NULL NULL 20.01.2025 21:10 20.01.2025 21:10 Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me Komandantin e KFOR-it, Gjeneralmajor Enrico Barduani, në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm për forcimin e partneritetit me NATO-n. Në emër të qytetarëve të Kosovës, Osmani shprehu mirënjohjen për misionin e NATO-s në Kosovë, i cili ka luajtur rol të rëndësishëm prej më tepër se dy dekada për paqen dhe stabilitetin. Sipas njoftimit për media, në këtë takim, Osmani theksoi se duke pasur parasysh sfidat e sigurisë, bashkëpunimi i ngushtë dhe partneriteti ndërkombëtar janë të nevojshme për ta siguruar paqen dhe stabilitetin në vend, rajon dhe më gjerë. Tutje, presidentja potencoi rëndësinë e angazhimit të përbashkët për mbrojtjen e vlerave të paqes dhe sigurisë, duke theksuar se kohezioni ndërkombëtar është kyç në trajtimin e sfidave globale. Me ftesë të gjeneralmajor Barduani, dreka e punës u mbajt në selinë e KFOR-it. “Takimi me Gjeneralmajor Barduani është pjesë e angazhimit të përhershëm të Presidentes Osmani për forcimin e marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë dhe për promovimin e sigurisë dhe stabilitetit si parakusht për zhvillimin e Kosovës dhe rajonit”, thuhet më tutje në njoftim, raporton Klankosova.tv.