Nis vaksinimi kundër gripit sezonal (VIDEO) NULL NULL 28.10.2021 18:10 28.10.2021 18:10 Në Qendrën e Vaksinimit “1 Tetori” në Prishtinë tashmë, pos vaksinave kundër COVID-19, do të jepen edhe vaksinat kundër gripit sezonal. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë janë 140 mijë vaksina kundër gripit sezonal të cilat kanë nisur sot të shpërndahen edhe në komunat e tjera. Kategoritë me prioritet për vaksinim kundër gripit sezonal janë qytetarët mbi 65 vjeç, personat me sëmundje kronike, gratë shtatzëna dhe lehonat, personeli shëndetësor dhe fëmijët me indikacione shëndetësore. Në mesin e këtyre dozave janë edhe 5000 vaksina pediatrike. Klan Kosova ka provuar të kontaktojë me dikë nga Ministria e Shëndetësisë për të kuptuar se sa është numri i atyre që janë vaksinuar kundër gripit sezonal, por të njëjtit nuk kanë qenë të qasshëm. Në këtë qendër vazhdon paralelisht edhe vaksinimi kundër COVID-19, përkundër ekipeve mobile të vaksinimit të cilat janë vendosur në sheshin e Prishtinës, ashtu si edhe në gjashtë sheshe të qyteteve të mëdha të Kosovës.