Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Nënkryetarët e LDK-së, i dalin kundër Hotit që kërkoi lidership të ri në parti

NULL NULL
18.03.2025 16:34
Lumir Abdixhiku me nënkryetarët e partisë, Lutfi Haziri, Doarsa Kica Xhelili dhe Gazmend Muhaxheri. Foto e përpunuar nga Klankosova.tv

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Avdullah Hoti, ditën e sotme bëri një deklaratë e cila ngjalli goxha reagime në opinion.

Përmes një postimi në Facebook, deputeti i zgjedhur Hoti deklaroi se partia ka nevojë për lidership të ri, teksa u shpreh se në katër vitet e fundit, lidershipi aktual është angazhuar për ristrukturim të partisë në degë, por shtoi se “jo në pak raste kjo është bërë në mënyrë selektive”, raporton Klankosova.tv.

Ai ka thënë se rezultati zgjedhor i LDK-së nuk është i kënaqshëm “e as i përafërt me atë që kemi shpresuar pas katër vitesh përgatitje”.

Për këtë deklaratë kanë reaguar nënkryetarët e LDK-së.

Lutfi Haziri tha se LDK nuk i takon funksionarëve, por anëtarësisë, e cila, sipas tij, më 19 nëntor 2023 vendosi për një mandat të ri të lidershipit.

“Kryetari i LDK-së, Abdixhiku, erdhi nga një Kuvend i jashtëzakonshëm, si pasojë e rezultatit më të rëndë historik. Ky ishte Kuvend i përballimit të situatës së jashtëzakonshme, me frymë unifikuese e me rrugëtim të përbashkët. Ndonëse ishte një fushatë e jashtëzakonshme e një mobilizim i madh, rezultati nuk ishte ai që e deshëm. Por, duhet ta ritheksojmë një të vërtet të madhe se betejat e fituara nuk ta garantojnë luftën politike, e aq më pak betejat e humbura të atyre që sillen sikur LDK-së i ka ra morti”, shkroi Haziri.

Ndërkaq, homologu i tij, Gazmend Muhaxheri është shprehur kundër shkarkimit të kryetarit të LDK-së Lumir Abdixhiku dhe kryesisë së LDK-së pas rezultatit zgjedhor të 9 shkurtit.

Ai tha se nuk ka kuptim që të shkarkohet dikush që e rriti partinë për 70%.

“Është dashtë me punu ma shumë për me dalë rezultati më i mirë. Qysh kur rritet 70% me kërku me u shkarku? Kërkohet me u shkarku dikush kur e zvogëlon partinë, jo kur e rritë. Nuk e di këso logjike ku e kanë pa”, tha ai për rtv21.

Reagim pati edhe nga nënkryetarja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, e cila e ka quajtur “kërkesë qesharake” deklarimin e zyrtarit të kësaj partie, Avdullah Hoti, që të ndërrohet lidershipi i partisë.

Ajo ka deklaruar për KOHËN se strukturat e LDK-së i kanë dhënë dhe i japin mbështetje të plotë Lumir Abdixhikut si kryetar i partisë, duke shtuar se ai “e ktheu në trendin më të madh historik të ngritjes”.

“Si nënkryetare e LDK, deklaroj se kjo është kërkesë qesharake. Strukturat e LDK-së i kanë dhënë dhe i japin mbështetje të plotë kryetarit aktual të partisë, i cili partinë e mori me rënien më të madhe historike në 12%, dhe e ktheu në trendin më të madh historik të ngritjes (me 70% rritje)”, ka thënë ajo të martën.

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në reagimin e tij, i ka renditur edhe disa arsye se pse duhet të  vjen lidershipi i ri në parti.

“Personalizimi i fushatës zgjedhore, përbërja e listës, renditja e kandidatëve në listë, paraqitja dhe favorizimi medial i një liste të ngushtë të kandidatëve të LDK-së, si dhe çështje të tjera para dhe gjatë fushatës, kanë dëmtuar kohezionin e brendshëm partiak, me gjithë përpjekjet e të gjithë neve për t’i tejkaluar ato pakënaqësi. Votimi disproporcional në diasporë e ka rënduar dhe cenuar më tutje atmosferën kolegiale dhe bashkëpunuese brenda LDK-së”, tha Hoti.

“LDK-ja ka nevojë për një lidership me qasje ekipore, që është gjithëpërfshirës, me orientime të qarta politike të qendrës së djathtë, që mbledh rreth vetes profesionistë dhe e rikthen LDK-në në epiqendrën e profesionistëve më të mirë të Kosovës, siç ka qenë LDK-ja”.

“LDK-ja ka nevojë për një lidership që punon me transparencë të plotë karshi strukturave partiake në të gjitha nivelet, që e kthen partinë në funksionimin statutar, që merr vendime kolegjiale në bazë të statutit të LDK-së (që është kushtetuta e partisë) dhe në konsultim të gjerë me strukturat qendrore dhe lokale të partisë”.

“LDK-ja ka nevojë për një lidership ekipor që i fashit përçarjet, që tregon kujdes ndaj të gjithë aktivistëve të rinj e të vjetër, që i bën bashkë të gjitha copat e LDK-së në të katër anët e vendit dhe në diasporë”, shkroi mes tjerash Hoti.

Në zgjedhjet e 9 shkurtit, Lidhja Demokratike e Kosovës, është renditur e treta, duke marrë 171 mijë e 357 vota, apo 18.27 për qind.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, LDK-ja pati 12.73%, apo 110 mijë vota. /Klankosova.tv

lajme të ngjashme