Muzeu “Onufri” pasurohet me 20 objekte të reja NULL NULL 24.06.2016 12:56 24.06.2016 12:56 “Thesare të fjetura” quhet ekspozita e realizuar nga Qendra Kombëtare e Muzeve në Berat si një grishje drejt trashëgimisë kulturore për të sjellë në çdo sezon një produkt të ri, një koleksion të paekspozuar më parë, një thesar që vjen në dritën e diellit me të gjithë shkëlqimin e tij. Për herë të parë që nga krijimi, Koleksioni i Muzeut Ikonografik “Onufri” pasurohet me 20 objekte të transferuara së fundmi nga Fondi i DRKK-së Berat. Është një seri ikonash, të gjitha të dorës së parë, që u atribuohen mjeshtërve ikonografë: Onufrit, Nikollës, Qipriotit, atelies së familjes Çetiri etj., një kryq argjendi dhe lipsanat veshur në argjend, të destinuara kryesisht për kishat dhe manastiret e Kalasë së qytetit të Beratit, por dhe të zonës përreth. Ekspozita “Thesare të Fjetura” është konceptuar në katin e dytë të pjesës perëndimore të hajatit, një mjedis i veçantë e impresionues, i cili pas viteve ’90 ka qenë i pashfrytëzuar. Janë një seri ikonash dhe objekte të realizuara rreth shekujve XVI – XIX, të cilat ekspozohen për herë të parë. Ikona e titulluar “Strategu” (Shën Dhimitri), i atribuohet shkollës së Onufrit. Kjo vepër është marrë nga kisha e Vangjelistrës prej nga vijnë dhe ikonat e tjera të kryemjeshtrit. Është një ikonë e përmasave të vogla, por krejt e veçantë nga vlerat dhe realizimi mjeshtëror. Në kompozimin e skenës monumentale spikasin detaje të stilizuara të motiveve brenda një miniature perfekte. Shkrimin e plotë mund ta lexoni këtu.