Ministri Shala diskuton për librin me botuesit e Kosovës NULL NULL 27.01.2016 17:54 27.01.2016 17:54 Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, sot, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, së bashku me drejtuesit e shtëpive botuese të Kosovës dhe drejtorin e kësaj biblioteke, Fazli Gajrakun, kanë diskutuar për politikat librit. Në këtë takim është folur për sfidat e veprimtarisë botuese, nevojën e intensifikimit të promovimit të librit dhe diplomacisë kulturore jashtë Kosove dhe krijimin e lehtësirave që libri i botuar në Kosovë të ketë mundësi të botohet e promovohet edhe në botën e jashtme, nëpërmjet subvencionimit nga MKRS-ja. Ministri Shala u informua drejtpërdrejtë nga botuesit e Kosovës me sfidat dhe vështirësitë specifike, me të cilat ballafaqohet libri dhe veprimtaria botuese në përgjithësi. Ai u shpreh se politikat e librit dhe financimi i tij janë prioritet i MKRS-së dhe se për këtë arsye është rritur dukshëm buxheti për botimin e librit dhe blerjen e tij dhe kjo është në funksion të ndihmës për botuesit dhe autorët. Ministri Shala u shpreh gjithashtu se po punohet në rishikimin e “Ligjit mbi Veprimtarinë Botuese”, me çka do të krijohen lehtësira dhe kushte më të mira për ushtrimin e veprimtarisë botuese, si dhe për promovimin e librit dhe kulturës shqipe në Kosovë dhe jashtë saj. Në këtë takim u diskutua edhe për të drejtat e autorit dhe keqpërdorimet që bëhen nga veprimtari të papërgjegjshme. Ministri Shala inkurajoi botuesit që për çdo gjë të njoftohen organet e rendit dhe departamenti përkatës i MKRS-së, në mënyrë që të luftohet kjo dukuri e keqe e keqpërdorimit të drejtave të autorit.