Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Ministri francez: Mbështesim perspektivën evropiane të Kosovës

NULL NULL
28.07.2026 22:21
Foto: Getty Images

Franca është një nga partnerët kryesorë të Kosovës në mbështetjen e perspektivës evropiane të vendit.

Kështu është shprehur mes tjerash Ministri i Deleguar i Francës për Çështjet Evropiane, Benjamin Haddad, në një intervistë për RTK.

Haddad tha më tutje se Franca mbështet perspektivën evropiane të Kosovës dhe është e gatshme ta ndihmojë vendin në zbatimin e reformave dhe marrëveshjeve në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.

Në këtë intervistë, Haddad tha se dy vendet kanë qëndruar pranë njëra-tjetrës që nga fillimi.

“Ne ishim këtu në vitin 1999 dhe ishim këtu edhe në vitin 2008 për të mbështetur, që në fazat e para, pavarësinë e Kosovës. Tani po përgatitemi së bashku për të ardhmen e Evropës”, deklaroi Haddad.

Ministri francez tha se integrimi evropian i Ballkanit Perëndimor është me rëndësi jetike për Evropën.

“Nëse synojmë ribashkimin e kontinentit tonë dhe garantimin e paqes e stabilitetit, nuk mund të lëmë asnjë pjesë të tij jashtë këtij procesi. Megjithatë, duhet të jemi shumë të qartë: procesi i zgjerimit bazohet në meritë. Kjo do të thotë se çdo vend duhet të zbatojë reforma, të forcojë sundimin e ligjit, të harmonizojë legjislacionin e tij me acquis communautaire, pra me legjislacionin e Bashkimit Evropian, si dhe të respektojë angazhimet ndërkombëtare që ka marrë përsipër”.

“Po, unë mbështes perspektivën evropiane të Kosovës dhe ky është një qëndrim i qartë i Qeverisë franceze. Ky proces do të ecë përpara përmes zbatimit të marrëveshjeve, siç është Marrëveshja e Brukselit, në të cilën kemi punuar dhe për zbatimin e së cilës jemi të gatshëm ta mbështesim Kosovën. Po ashtu, do ta ndihmojmë vendin edhe në realizimin e reformave të nevojshme për përafrimin me legjislacionin evropian”.

“Është një proces kërkues, por njëkohësisht përbën garancinë më të mirë për demokracinë liberale, luftën kundër korrupsionit dhe ndërtimin e një Bashkimi Evropian që mbështetet në bashkëpunim, institucione demokratike, paqe dhe stabilitet”, potencoi ministri i Deleguar i Francës për Çështjet Evropiane, Benjamin Haddad.

Ai shtoi se në dritën e luftës së Rusisë në Ukrainë, pasigurisë lidhur me rolin e ardhshëm të Shteteve të Bashkuara në garantimin e sigurisë, si dhe të presionit ekonomik që vjen nga Kina, “Evropa duhet të forcojë sovranitetin e saj, autonominë strategjike dhe të shndërrohet në një fuqi të vërtetë”.

“Në këtë kontekst, nuk mund të lëmë pas dore asnjë rajon. Prandaj, angazhimi ynë për sigurinë e Ballkanit Perëndimor mbetet thelbësor”.

“Siç e dini, Bashkimi Evropian ka dy misione të rëndësishme në rajon: EUFOR Althea në Bosnje dhe Hercegovinë dhe KFOR-in në Kosovë, të cilin e vizitova dje. Franca ka një kontingjent ushtarak në KFOR. Në vitin 1999 dhe në fillim të viteve 2000 kishim rreth 6 mijë ushtarë francezë në Kosovë. Sot numri është më i vogël, por dje pata rastin t’i vizitoj dhe t’i falënderoj për angazhimin e tyre”.

“Le të jemi realistë: fatmirësisht situata e sigurisë është e qetë, por duhet të mbetemi gjithmonë vigjilentë. Pikërisht për këtë arsye angazhimi ynë në KFOR dhe për sigurinë e rajonit vazhdon të jetë shumë i rëndësishëm”, u shpreh ai.

Haddad tha se gjatë viteve të fundit “kemi parë një rritje të investimeve franceze dhe të shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve, gjë që është një zhvillim shumë pozitiv”.

“Kosova po zhvillohet me ritme të shpejta dhe kjo krijon mundësi të reja edhe për kompanitë franceze”, deklaroi ai, teksa shtoi se në vizitën e tij, ai ka qenë i shoqëruar nga përfaqësues të kompanive franceze, veçanërisht nga sektori i sportit, “sepse Lojërat Mesdhetare 2030 do të jenë një mundësi e jashtëzakonshme për Kosovën”.

Ai përmendi se bashkëpunimi mes dy vendeve nuk kufizohem vetëm te sporti, por shkon deri te Inteligjenca Artificiale, teknologjia, tranzicioni energjetik, dekarbonizimi, kultura dhe arsimi, të cilat, sipas tij, “janë fusha me perspektivë të jashtëzakonshme për bashkëpunim të thelluar ndërmjet dy vendeve tona”.

“Prandaj, kjo vizitë nuk është një ngjarje e izoluar. Ajo përfaqëson një nivel të ri në marrëdhëniet mes Francës dhe Kosovës dhe është një sinjal i qartë se na presin projekte dhe partneritete edhe më të mëdha në të ardhmen”, përfundoi ministri i Deleguar i Francës për Çështjet Evropiane, Benjamin Haddad.

lajme të ngjashme