Mesazhi prekës i aktores shqiptare që mposhti kancerin NULL NULL 22.10.2016 16:11 22.10.2016 16:11 Ajo luftoi shumë, rezistoi përballë sëmundjes vdekjeprurëse dhe në fund ia doli të qëndrojë e fortë duke u kapur pas jetës. Aktorja e mirënjohur e kinematografisë shqiptare dhe teatrit, Hajrie Rondo, u ngjit sërish në skenë aty ku edhe numëron me dhjetëra role të suksesshme. E ndërsa vetë ia doli të fitojë mbi të keqen, Rondo vjen edhe me një mesazh të fortë për të gjithë gratë dhe vajzat në muajin kundër kancerit të gjirit: “Bëhuni të forta, jeta është e bukur dhe jeta duhet mbajtur fort, me dhëmbë”. Më poshtë fjala e plotë e aktores në ceremoninë e marrjes së Medaljes së Mirënjohjes nga kryetari i Bashkisë së Tiranës. “Ne mbrëmë kishim premierën në Teatrin e Metropolit dhe unë jam pjesë e asaj shfaqeje. Kur dy zonjushat e nderuara, drejtoresha dhe Sonila më bënë ofertën isha në dilemë, do ta marr apo jo thashë? Do të rri në shtëpi të mbyllem dhe të bashkëbisedoj e trishtuar me sëmundjen apo ti them asaj def, ik tutje sepse kam pak punë? Zgjodha këtë të dytën dhe bëra mirë dhe ia dola. U lodha një çikë vërtet por gjithë stafi, drejtoresha, regjisorja dhe partnerët ma amortizuan dhe ma lehtësuan sëmundjen. Me këtë rol le të kontribuoj pak edhe mesazhi, meqë është dhe muaji i luftës kundër kancerit të gjirit, për t’iu dhënë të gjitha grave shqiptare dhe për t’iu thënë atyre që të bëhen të forta, jeta është e bukur dhe jeta duhet mbajtur fort, me dhëmbë. Kam një bekim nga nëna ime dhe kam edhe një poezi që unë e mbaj në arkivin tim si artiste dhe sa herë më duhen e recitoj. Është një poezi me pak vargje, nëse dëshironi: Më lindi nëna rreth vatrës zjarr ndriçuar Përreth, ishte errësirë Në terr e qara ime u dëgjua Në këmbë u ngrit një ditë mugëtirë Por diellin në sy ma la të shkruar Me dritën do të vdes e dashuruar Faleminderit të gjithë pjesëmarrësve, duke filluar që nga i lashti i skenës, Nderi i Kombit, zoti Arbana dhe deri te më të rinjtë, te Gazi, te vajza ime, të gjithë stafin, te motra ime e dashur, mbesa dhe të gjithë stafin tuaj zoti kryetar. Betohem dhe të jap fjalën që do të luftoj, do të luftoj fort t’i ngjit prapë ato shkallë, ajo është shtëpia ime”./lapsi.al