Mbi dy javë pa u larguar mbeturinat te një lagje e Fushë Kosovës, banorët ankohen për neglizhencë NULL NULL 06.06.2026 14:58 06.06.2026 14:58 Banorët e kompleksit banesor Lamella 20, në lagjen Britani Home në Fushë Kosovë, po përballen me një situatë shqetësuese për shkak të moslargimit të mbeturinave tash e më shumë se 15 ditë. Siç shihet edhe në fotografitë e siguruara nga Klan Kosova, sasi të mëdha mbeturinash janë grumbulluar pranë objektit, duke krijuar shqetësime për banorët dhe duke rrezikuar përhapjen e erërave të pakëndshme dhe problemeve higjieno-sanitare. Lidhur me këtë çështje, drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Fushë Kosovës, Izet Mjeku, tha për Klan Kosova se largimi i mbeturinave është kompetencë e kompanisë rajonale “Pastrimi”. “Është kompetencë e kompanisë ‘Pastrimi’. Ne jemi duke komunikuar dhe bashkëpunuar me ta, duke besuar se problemi do të zgjidhet sa më shpejt”, deklaroi Mjeku. Ndërkohë, Klankosova.tv ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga kompania “Pastrimi”, por deri në publikimin e këtij lajmi nuk ka pranuar asnjë reagim zyrtar. /Klankosova.tv