Mbahet ceremonia hapëse e Olimpiadës Matematike Kosovë-Shqipëri NULL NULL 28.06.2026 11:53 28.06.2026 11:53 Edicioni i shtatë i Olimpiadës Matematike Kosovë-Shqipëri (KAMO 2026) për klasat VII-IX po mbahet në Kosovë. Në ceremoninë hapëse të Olimpiadës KAMO 2026 në Prizren mori pjesë edhe U.D e presidentes, Albulena Haxhiu. Duke iu drejtuar të pranishmëve, Haxhiu tha se Prizreni e ka historinë të pranishme në çdo hap, në rrugët, shtëpitë, shkollat dhe institucionet e tij, janë ndërthurur ngjarjet më të rëndësishme kulturore dhe politike përgjatë historisë së kombit tonë. “Sot, në mendjet e nxënësve që garojnë me dije, përqendrim dhe këmbëngulje po merr formë edhe një pjesë tjetër e së ardhmes, mu në qytetin e Prizrenit. Ju e dini që matematika e mëson njeriun të mos kënaqet me përshtypjen e parë. Para një problemi, ju duhet të ndaleni, t’i lexoni udhëzimet me kujdes, ta provoni një rrugë, të ktheheni mbrapsht kur ajo nuk çon askund dhe ta kërkoni zgjidhjen me durim”, u shpreh ajo. Ajo më tej tha se gara do të ketë rezultate, medalje dhe renditje, siç i ka çdo olimpiadë, por përvoja që merrni prej saj do të zgjasë gjatë gjithë jetës. “Përmes KAMO-s, Kosova dhe Shqipëria bëhen bashkë në shkollë, te fëmijët, te mësuesit dhe te dija. Këtu shihen fëmijë që kanë punuar shumë, mësues që i kanë përgatitur me përkushtim dhe familje që i përcjellin me krenari. Kjo është një traditë e mirë, sepse talenti i fëmijëve tanë duhet zbuluar herët, duhet mbështetur dhe duhet çuar përpara”.