Mal i Zi: Një ushtar vdiq e tjetri u plagos, ishin në luftë me zjarret NULL NULL 13.08.2025 08:21 13.08.2025 08:21 Një ngjarje tragjike ka ndodhur ditën e djeshme në Malin e Zi. Atje vdiq një ushtar dhe një tjetër u lëndua derisa ishin në luftë duke u përpjekur për ta fikur zjarrin. Ngjarja ndodhi kur një autocisternë e përdorur për shuarjen e flakëve u përmbys. Lajmi u bë i ditur nga Ministria e Mbrojtjes së këtij vendi, shkruajnë mediat malazeze transmeton Klankosova.tv. Lidhur me këtë incident, hetimet tashmë kanë nisur. Përpjekjet për shuarjen e zjarreve në rajonin e Kuçës dhe zonat përreth Podgoricës, si dhe mes Budvës dhe Tivarit, po vazhdojnë për ditën e dytë me radhë. Në këto zona, përveç dëmeve nga flakët, është shënuar edhe djegia e një shtëpie dhe e disa pronave të tjera. Për shkak të rrezikut, disa banorë janë evakuuar. Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Miodrag Beshoviq, deklaroi: “Situata është pak më e qëndrueshme, por nuk mund të parashikojmë zhvillimet e mëtejshme. Me përkushtimin e ekipeve tona dhe mbështetjen nga partnerët, presim të marrim kontrollin mbi zjarret.” Për shkak të tymit dhe ajrit të ndotur, Instituti i Shëndetit Publik ka këshilluar qytetarët të shmangin qëndrimin jashtë dhe të tregojnë kujdes maksimal. Në Mal të Zi është shpallur “Alarm i Kuq”, ndërsa era e fortë po e vështirëson më tej luftën kundër zjarreve.