Lufta për një vend në klasën e parë – Çka po ndodh në Prishtinë? (VIDEO) NULL NULL nga Florentina Hoti 12.06.2026 19:51 nga Florentina Hoti 12.06.2026 19:51 Lufta për një vend në klasën e parë - Çka po ndodh në Prishtinë? (VIDEO) Fillimi i klasës së parë për të bijën, ishte një moment i veçantë dhe i rëndësishëm për të. Mirëpo gjithcka sikur mori tatëpjetën ende pa filluar. Arton Menxhiqi nga Prishtina, nuk po mund të e regjistrojë të bijën në shkollën afër shtëpisë, të cilën ia dirigjon edhe harta zonale. Me t’u takuar me drejtorin e kësaj shkolle, 38-vjecarit i jepet lajmi që kjo shkollë nuk ka vend për vajzën e tij e as për nxënës të tjerë. Me të marrë këtë lajm, Menxhiqi u drejtua për në DKA në komunën e Prishtinës, duke adresuar një kërkesë për zgjidhjen e problemit. Mirëpo edhe pse kanë kaluar 3 javë, një përgjigje mbrapsht ai nuk mori kurrë. 38-vjeçari i shqetësuar thotë se e ka të pamundur që të e dërgojë të bijën në shkollat e tjera. Që 7-vjecarja të vazhdojë klasën e parë në shkollë tjetër, Menxhiqi thotë se i duhet që t’i sigurojë një automjet dhe një person që e vozitë. E një gjë e tillë, ai thotë se është e papërballueshme ekonomikisht për të. 38-vjecari për KIKS Kosovën shprehet i shqetësuar për gjendjen emocionale të së bijës. Kjo për shkak se sipas tij, e ka përgaditur atë psiqikisht që do vazhdojë klasën e parë në këtë shkollë. Prindi 38-vjecar thotë se është i zhgënjyer që e bija e tij po përballet me këto lloj padrejtësi qysh në fillim të rrugëtimit të saj shkollor. Lidhur me këtë problem, për KIKS Kosovën foli edhe drejtori i shkollës Model “Qamil Batalli”, Liridon Maliqi. Mirëpo konkurs sipas drejtorit të kësaj shkolle, nuk u hap kurrë përvec herës kur u themelua shkolla. Sipas Maliqit, kjo shkollë funksionon duke marrë në klasë të parë, ata fëmijë që ndoqën klasën përgatitore po në këtë shkollë dhe për më shumë nuk ka hapësirë shkolla. Këtë vit, pranimi i nxënësve të tjerë u bë edhe më problematik. Kjo për faktin se Komuna e Prishtinës ka marrë një vendim për numrin mesatar të nxënësve në një klasë, që për këtë shkollë i është vendosur 30. Drejtori i DKA-së në Prishtinë, Arianit Elshani për KIKS Kosovën tha se prioritet për ta është cilësia, andaj edhe kanë marrë një vendim të tillë. Elshani për KIKS-in thotë se nuk mund të tolerojë më klasa me 38 nxënës në kryeqytet. Nëse në një shkollë limitohet numri, Elshani thotë se prindërit mund të dërgojnë fëmijët në shkollën tjetër më të afërt. Sipas tij, kryeqyteti ka mjaftueshëm shkolla, klasë e mësimdhënës. Sipas tij, edhe kolonat nuk do të ishin kaq të theksuara në mëngjes e pasdite, nëse secili prind do e dërgonte fëmijën në shkollën e lagjes ku jeton. Gjithë kjo tollovi, sipas Elshanit po bëhet sepse deri para pak kohësh ka qenë e hapur rruga për noterizime të shpejta e mashtrime. Deri në fund të afatit të konkursit, drejtori i DKA-së tha se do shikojnë çdo mundësi që askush të mos mbetet i pakënaqur dhe të mbushet çdo vend.