LIVE| Zgjedhjet në veri, KQZ-ja tregon se sa qytetarë votuan deri në orën 15:00 (VIDEO) NULL NULL 23.04.2023 08:00 23.04.2023 08:00 Votimi Sot po mbahen zgjedhjet për kryetarë në katër komunat veriore të Kosovës: Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan. Në këto zgjedhje votohet në 19 qendra të votimeve në këtë pjesë të vendit, ndërkaq të drejtë vote kanë 45 mijë votues. Kujtojmë se këto zgjedhje po mbahen pasi serbët, u larguan nga të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat. 15:45 – KQZ tregon se sa qytetarë votuan në veri deri në orën 15:00 Sot në katër komunat veriore po mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar. Lidhur me procesin e zgjedhjeve në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, detaje kanë dhënë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi, në konferencën e tretë të mbajtur për media ka folur rreth pjesëmarrjes në votime të qytetarëve deri në orën 15:00. “Në Leposaviq, kanë votuar 110 qytetarë apo 0.83 për qind, në Zubin Potok 240 apo 3.6 për qind, në komunën e Zveçanit 145 apo 2.07 për qind dhe në Mitrovicën e Veriut kanë votuar 597 qytetarë apo 3.3 për qind”, tha Elezi. Elezi tha se procesi po ecë mirë dhe pa incidente. 14:50 – Qytetarët konfuzë, s’po dinë në cilat qendra të votimit duhet të votojnë Disa qytetarë kanë pasur probleme në zgjedhjet e sotme në Mitrovicën e Veriut. Ata kanë ngatërruar qendrat e votimit, pasi nuk e kanë pasur të qartë se ku do të duhej të votonin. Kujtojmë se votimet në këtë komunë janë duke u zhvilluar qetë, pa incidente. 14:49 – Qytetarët shpresojnë se zgjedhjet në veri do të jenë të suksesshme (VIDEO) Në katër komuna të Kosovës po mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme. Qytetarët e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, po votojnë për të zgjedhur kryetarët. Ndërkaq në dy komuna, Zveçan dhe Zubin Potok po zhvillohen zgjedhjet edhe për Kuvendet Komunale. Lidhur me zgjedhjet, qytetarët u shprehën se do të jenë të qeta dhe të suksesshëm./ Klankosova.tv ______________________________________________________________________________________________________ 14:41 – Kryeziu, DnV: Ky është improvizim, nuk i plotëson standardet për t’u quajtur proces zgjedhor Ismet Kryeziu nga Demokracia në Veprim (DnV) ka thënë se rrethanat në të cilat po zhvillohet procesi zgjedhor nuk garantojnë zgjedhje të lira, të drejta dhe barabarta. “Demokracia në Veprim në fillim të këtij procesi ka deklaruar se nuk ekzistojnë kushtet dhe rrethanat në të cilat jemi duke vepruar. Nuk janë rrethana që garantojnë zgjedhje të lira, të drejta dhe të barabarta, nuk plotësojnë standardet e zgjedhjeve”. “Dhe sot, duke parë refuzimin e qytetarëve serbë për të marrë pjesë në zgjedhje dhe numrin e vogël që s’mund të kalojë as gishtërinjtë e dorës, nendoj që ky proces është më tepër improvizim i procesit zgjedhor sesa një proces që garanton standardet e zgjedheve të drejta dhe të lira ku përfshihen komunitete”, ka thënë ai në RTK nga Zveçani. “Unë mendoj se përveç legjitimitetit juridik, ky proces nuk ka legjitimitet politik. Ky proces nuk i plotëson standardet për t’u quajtur proces zgjedhor i ndershëm dhe për të garantuar standardet dhe idenë pse po mbahen zgjedhjet”, tha Kryeziu. 14:16 – Në Jasenevik të Zubin Potokut deri tani asnjë votues (VIDEO) Në Jasenevik të Zubin Potokut deri më tani nuk ka votuar asnjë qytetar. Kjo u konfirmua për Klan Kosova nga udhëheqësi i qendres së votimit Igor Cirkoviq. Cirkoviq tha se të drejtë vote këtu kanë 387 qytetarë. Në këtë vend zyrtarët përgjegjës po punojnë me gjeneratorë, pasi aty nuk ka energji elektrike/ Klankosova.tv 13:20 – Muja bashkë me anëtarët e KQZ-së vizitojnë qendrën e votimit në Koshtovë (FOTO) Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja e ka vizituar qendrën e votimit në Koshtovë. Në këtë vizitë ai ka shkuar bashkë me anëtarët e KQZ-së, Sami Kurteshin dhe Arianit Elshanin, njofton Klankosova.tv. Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber. BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS. 12:59 – Daka: Pavarësisht pjesëmarrjes së ulët, kryetarët do të zgjidhen Ish-kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Valdete Daka, tha se, pavarësisht numrit të vogël të votuesve në veri të Kosovës, kryetarët e komunave atje do të zgjidhen, nëse procesi është i rregullt. “Përsëritje [të zgjedhjeve] nuk do të ketë, veç nëse dëmtohet procesi, atëherë po. Por, në rrethana të rregullta, në rrethana kur qytetarët dalin e votojnë dhe kryejnë detyrën e tyre, mbyllen vendvotimet, numërohen votat… Përsëritje nuk do të ketë”, thotë Daka për Radion Evropa e Lirë, transmeton Klankosova.tv. Partia më e madhe e serbëve të Kosovës, Lista Serbe, e cila vetë nuk merr pjesë në zgjedhje, ka bërë thirrje për bojkotimin e procesit. Në këtë qëndrim, ajo ka pasur edhe mbështetjen e Beogradit zyrtar. “Me këtë mosdalje në zgjedhje, serbët janë duke e përcjellë një mesazh te Qeveria e Kosovës, se ata nuk do t’i pranojnë kryetarët, të cilët dalin nga këto zgjedhje”, thotë Daka. Sipas saj, zgjedhjet janë organizuar dhe po mbahen sipas të gjitha rregullave ligjore. 12:57 – Kryetari i KQZ-së monitoron zgjedhjet edhe në Çabër të Zubin Potokut Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Kreshnik Radoniqi, përpos monitorimit të procesit zgjedhor ka vazhduar edhe në Çabër të Zubin Potokut. Sot në katër komuna, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Zveçan po mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunave. Në dy prej tyre, në Zveçan dhe Leposaviq, po votohet edhe për Kuvendet Komunale. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri në orën 11:00 kanë votuar afro 1 për qind e qytetarëve. Të drejtë vote kanë 45 mijë e 95 qytetarë. 12:25 – Atiq: Ditë të mira po vijnë për Mitrovicën Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për Mitrovicën e Veriut, Erden Atiq, u shpreh i bindur sot se ditë të mira po vijnë për këtë komunë. Pasi votoi në qendrën e votimit në “Lagjen e Boshnjakëve”, ai tha se ka përfunduar koha kur Mitrovica është përmendur për të keq. Atiq ftoi qytetarët që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, duke zgjedhur udhëheqjen e re të Mitrovicës së Veriut. “Unë sapo votova, sapo e kreva obligimin qytetar. Shpreh mundësinë nëpërmjet televizioneve tuaja t’i bëj ftesë të gjithë qytetarëve të komunës veriore të Mitrovicës që të votojnë në numër sa më të madh ta përkrahin kandidatin, të cilën ata mendojnë që është më i miri”, tha Atiq. Atiq u shpreh i bindur se ditë të mira po vijnë për Mitrovicën e Veriut. “Unë jam më se i bindur që për Mitrovicën po vijnë ditë të mira. Kanë përfunduar ditët kur komuna veriore e Mitrovicës u përmend vetëm në konotacion të keq edhe ka pasur vetëm lajme të këqija. Jam i sigurt që ditë të mira për Mitrovicën më në fund po vijnë”, shtoi ai. Në Mitrovicën e Veriut garojnë Betim Osmani nga Iniciativa Qytetare, Taulant Kelmendi nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje. Të drejtë vote në katër komunat veriore kanë mbi 45 mijë qytetarë./KP 12:22 – Voton kandidati i VV-së në Leposaviq: Dilni në zgjedhje, të mos humbë asnjë votë (VIDEO) Kandidati i Vetëvendosjes në Leposaviq, Lulzim Hetemi e ka hedhur votën e tij. Ai ka bërë thirrje për pjesëmarrje në zgjedhje, duke thënë që nuk duhet humbur asnjë votë, përcjell Klankosova.tv. “Për banorët, dilni në zgjedhje sa më shumë, mos të humbet asnjë votë. Ma merr mendja që do të dalin edhe serbët, do të qeverisim së bashku, me ata serb të guximshëm. Ne jetojmë më shekuj këtu, në vendin tonë jemi, Leposaviqi është qyteti ynë”, është shprehur ai. 12:07 – Voton kandidatja e PDK-së për Leposaviq, fton për pjesëmarrje në zgjedhje (VIDEO) Ka votuar kandidatja e PDK-së për Leposaviq, Albulena Hetemi. Ajo më pas u ka bërë thirrje edhe qytetarëve që të marrin pjesë në zgjedhje, përcjell Klankosova.tv. “Unë sapo votova, e kryva obligimin tim qytetar, i ftoj të gjithë qytetarët që të dalin masovisht në këto zgjedhje. Unë për këto zgjedhje pres që çdo gjë të jetë në rregull dhe të mos ketë incidente”, u shpreh ajo. 12:00 – Rakiq bën thirrje për bojkot të zgjedhjeve në veri Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, u bëri thirrje serbëve në veri të Kosovës që të bojkotojnë zgjedhjet në katër komunat me shumicë serbe. “Për shkak të çdo serbi të arrestuar padrejtësisht, për çdo gënjeshtër të thënë nga Kurti, për çdo plumb të gjuajtur ndaj fëmijëve serbë, për shkak të represionit të përditshëm që pëson populli serb, për shkak të keqtrajtimit të vazhdueshëm të serbëve nga njësitë speciale në veri, për shkak të frikës mes serbëve që mbjell politika e Kurtit, për çdo vend të shenjtë të përdhosur serb dhe çdo monument të shkatërruar, për shkak të moszbatimit të të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara! Bojkot të zgjedhjeve jolegjitime dhe ilegale”, ka shkruar Rakiq, njofton Tanjug, përcjell Klankosova.tv. Lista Serbe vendosi të mos marrë pjesë në zgjedhje pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat. 11:44 – Elezi: Në Mitrovicën e Veriut dhe Zubin Potok deri më tani votuan më shumë qytetarë Komisioni Qendor i Zgjedhjeve ka bërë të ditura të dhënat e pjesëmarrës së qytetarëve në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë në katër komunat, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. Këto të dhënat përfshijnë pjesëmarrjen në votime deri në ora 11:00. Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi, tha se pjesëmarrja më e madhe e votuesve vërehet në Mitrovicën e Veriut. “Në komunën e Leposaviqit kanë votuar 28 votues apo 0.21 për qind, Zubin Potok 65 votues apo 1 për qind, Zveçan apo 0.41 për qind dhe në Mitrovicën e Veriut 191 votues që e kanë hedhur votën e tyre apo 1.05 për qind”, tha Elezi në konferencën e mbajtur për media. Elezi tha se deri në këto momente procesi i zgjedhjeve po shkon mire./Klankosova.tv 11:07 – Pantoviq pas votimit: Ka ardhur koha për ndryshme në Komunën e Zveçanit Kandidatja e vetme serbe në zgjedhjet për kryetar të Komunës së Zveçanit, Sllagjana Pantoviq, ka votuar në qendrën e votimit, e cila gjendet krejt pranë stacionit të policisë në këtë komunë. Me këtë rast, në një prononcim për media, ajo deklaroi se ka ardhur koha për ndryshime pas qeverisjes dhjetëvjeçare të Listës Serbe në këtë komunë. “Po pres për qytetarët e Zveqanit se do të jetë më mirë sesa që ka qenë deri më tani, që zgjedhjet do të mbahen të qeta, në mënyrë të qetë dhe pa incidente, sepse mendoj se zgjedhjet po mbahen dhe duhet të mbahen në paqe, në dashuri dhe respekt për popullin dhe jo me urrejtje, kërcënime dhe shantazhe”, tha ajo. Kandidatja e vetme serbe në zgjedhjet e 23 prillit që po mbahen në veri të vendit është shprehur optimiste se edhe serbët do të dalin në votime. “Kjo është disi një rregull i imi, kush do të dalë, unë mendoj që populli do të dalë, do t’iu ngjallet ndjenja. Kush del e falënderoj, kush nuk del po njësoj. Çfarë të them ne këtë situatë e cila është specifike, nuk kam koment, mendoj nuk mund të them përafërsisht sa votues pres që do të dalin, apo diçka, por në çdo rast shpresoj se do të ketë”, tha ajo. Në Komunën e Zveçanit të drejtë vote kanë 6 mijë e 998 persona./KP 10:56 – Prokuroria e Shtetit angazhohet për parandalimin e parregullsive në zgjedhjet e veriut Nga ora 07:00 e mëngjesit në katër komunat veriore të Kosovës po mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë. Po ashtu në Zveçan e Zubin Potok, po mbahen edhe zgjedhjet për Kuvendet Komunale. Për të mbikëqyrur procesin, janë angazhuar edhe prokurorët e gjyqtarët kujdestarë, të cilët janë të gatshëm të reagojnë aty ku ka pengim të procesit. “Po ashtu, prokurori i shtetit me qëllim të parandalimit të çdo parregullsie që lidhet me të drejtën e votës, fton qytetarët, mediat dhe shoqërinë civile, të bashkëpunojnë dhe raportojnë në Polici dhe Prokurori për të gjitha pretendimet eventuale lidhur me keqpërdorimet zgjedhore”, njofton Prokuroria e Shtetit. 10:41 – Ndalet uji në “Kodrën e Minatorëve” në Mitrovicë të Veriut Është ndalur uji në “Kodrën e Minatorëve” në Mitrovicë të Veriut. Klan Kosova merr vesh se nuk ka ujë në qendrën e votimit tek shkolla “Aziz Sylejmani”, e rrjedhimisht as në shtëpitë përreth. 10:33 – Qytetari boshnjak voton në Mitrovicën e Veriut Xhelal Sylejmani, është qytetar nga komuniteti boshnjak, i cili ka dalë sot në zgjedhje në Mitrovicë të Veriut. Ai tha se nga këto zgjedhje pret punësime dhe çdo të mirë për të gjithë qytetarët. “Punësime e krejt të mirat për të gjithë. Do të kenë besoj, edhe dielli po rrezaton. Konsideroj se do të dalin, se sot është e diel, është ditë pushimi njerëzit ende janë në gjumë”, u shpreh ai. 10:29 – Ibishi: Lista Serbe përmes kërcënimeve ka arritur ta minimizojë daljen e serbëve në zgjedhje Sot po mbahen zgjedhjet për kryetar të komunave në katër komuna, në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq. Aktualisht, gjendja në terren paraqitet e qetë atje. Eksperti i sigurisë Nuredin Ibishi, tha në një intervistë për Klan Kosova se Lista Serbe përmes kërcëmimeve ka arritur që ta minimizojë daljen e serbëve në zgjedhje. “Tash i fundit është edhe rasti i tërheqjes së z. Jabllanoviq, njëri nga 11 kandidatët, tashmë mbesin 10, një nga komuniteti serb, kandidate për kryetare të komunës së Zveçanit”, tha Ibishi. 10:28 – Elshani i KQZ-së: Përveç disa vonesave të vogla, gjithçka ka shkuar sipas planifikimit (VIDEO) Anëtari i KQZ-së, Arianit Elshani ka shkuar për vizitë në Mitrovicën e Veriut për të parë nga afër procesin e votimit në këtë komunë. Ai tha se në vendvotimin ku ai e bëri vizitën, deri më tani kanë votuar rreth 60 qytetarë. “Konsiderojmë që kjo qendër e votimit plotëson të gjitha kushtet dhe kriteret për t’iu mundësuar qytetarëve për të shprehur vullnetin e tyre të lirshëm. Deri më tash siç u raportua nga kryesuesi i këtij vendvotimi, u tha që rreth 60 votues kanë marrë pjesë në këtë qendër votimi, pra kanë votuar”, u shpreh ai. Tutje, Elshani u shpreh se përveç disa vonesave të vogla, gjithçka tjetër ka shkuar sipas planifikimit, përcjell Klankosova.tv. “Deri më tani nuk kemi diçka të raportuar, përveç disa vonesave të vogla që kanë ndodhur lidhur me bartjen e materialit në orët e hershme të mëngjesit, gjithçka tjetër ka shkuar sipas planifikimeve që kemi bërë”, u shpreh tutje ai. 10:19 – Kryetari i KQZ-së nga Mitrovica e Veriut fton qytetarët të dalin në zgjedhje Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka vizituar qendrat e votimit në Mitrovicën e Veriut, nga ku ka ftuar qytetarët të dalin në zgjedhje për të votuar për përfaqësuesin e tyre. Ai tha se procesi i votimit deri tani është duke shkuar në rregull dhe nuk është raportuar për ndonjë telashe. “Erdhëm t’i vizitojmë qendrat e votimit, po e shohim që procesi po shkon me rregull, nuk ka problem. I ftoj qytetarët që të dalin në zgjedhje dhe në këtë mënyrë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre dhe të votojnë institucionet legale demokratike. I kemi ndërmarrë të gjithë masat që ky proces të shkojë në rregull, me qetësi. Shpresojmë që të përfundojë i qetë, i bëj thirrje qytetarëve të votojnë në mënyrë masive të zgjedhin përfaqësuesit e tyre”, ka thënë Radoniqi para gazetarëve. Ai theksoi se nuk kanë dhënë ndonjë urdhër për moslejimin e gazetarëve nëpër vendvotime. 10:05 – Shabani: Shpresojmë që së paku 8 për qind e qytetarëve të votojnë në Zubin Potok (VIDEO) Sot po zhvillohen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar komune në komunat Mitrovicë e veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq. Ekipi i Klan Kosovës po qëndron për ta përcjell nga afër se si po shkon procesi. Në këtë komunë për të parin e saj po garojnë Flatron Hasani, nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Izmir Zeqiri, nga Partia Demokratike e Kosovës. E kryesuesi i qendres kryesore 2813 B, Ferid Shabani, tha se pret që qytetarët të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar. “Sa i përket 4 mijë e 111 votues, nuk mund të parashikojë se çfarë, por shpresojmë që të paktën 8 për qind do të përgjigjen nga numri i tërësishëm i votuesve”, tha Shabani. ___________________________________________________________________________________________________ 09:25 – Voton kandidati për kryetar të Mitrovicës së Veriut nga Iniciativa Qytetare Mitrovica Kandidati për kryetar të Mitrovicës së Veriut nga Iniciativa Qytetare Mitrovica, Betim Osmani, ka votuar në këtë komunë. Osmani tha se shpreson që shumë shpejt të formohen mekanizamat në komunë. “E kryva një obligim qytetar, shpresoj që shumë shpejt do të formohen institucionet e komunës. Besoj që qytetarët kanë shumë nevojë për insititucione, tash e sa muaj jemi duke hequr keq për insttiucione”, ka thënë Osmani. Në Mitrovicën e Veriut ekipet e gazetarëve lejohen të hyjnë nëpër vendvotime për të xhiruar vetëm atëherë kur votojnë kandidatët, në të tjera raste jo, njofton Klankosova.tv Ky vendim raportohet se është marrë për shkaqe sigurie. Po ashtu, as kryesuesit e qendrave të votimit nuk kanë të drejtë të prononcohen për medie. 09:12 – Voton kandidatja e pavarur për kryetare të Zveçanit Kandidatja e pavarur për kryetare të Zveçanit, Sllagjana Pantoviq, votoi pak minuta pas orës 8 në njërën nga qendrat e votimit në këtë komunë. Pantoviq është e vetmja nga komuniteti serb nga gjithsejtë dhjetë kandidatë që garojnë në zgjedhjet e parakohshme lokale në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq./REL Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber. BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS. 08:46 – Në Çabër deri më tani kanë votuar 50 qytetarë Në komunat veriore, Mitrovicë e veriut, Zveçan, Zubin Potok, dhe Leposaviq po mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës. Në fshatin Çabër të Zubin Potokut, në Qendren e Votimit në shkollën “Osman Rama”, deri më tani kanë votuar 50 persona. Sipas menaxherit të kësaj qendre, Enver Hasani, kanë të drejtë vote 1 mijë e 534 qytetarë. Ekipet e Klan Kosovës nga afër po e përcjellin procesin zgjedhor/ Klankosova.tv ______________________________________________________________________________________________________ 08:27 – Elezi: Qendrat e votimit në veri janë hapur me kohë, 45 mijë 95 qytetarë kanë të drejtë vote Ka nisur procesi zgjedhor në katër komuant veriore. Qytetarët e Mitrovicës së veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, do të zgjedhin kryetarët e komunave. Po ashtu do të ketë zgjedhje edhe për dy Kuvende Komunale, atë të Zveçanit dhe Leposaviqit. Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, në konferencën e mbajtur për media tha se numri i qytetarevë me të drejtë vote është 45 mijë e 95. “Sipas planifikimeve është bërë shpërndarja e materialit zgjedhor, ku bëjnë pjesë edhe fletëvotimet. Natyrisht, sipas procedurave materialet zgjedhore janë shpërndarë nën përcjelljen e policisë. Sipas informacioneve që kemi pranuar nga Komisionet Komunale Zgjedhore, janë hapur me kohë të gjitha qendrat e votimit, gjithsejt 19 qendrat e votimit që do të presin qytetarët gjatë ditës, gjashtë prej tyre janë të rregullta dhe 13 të tjera alternative”, tha Elezi. ______________________________________________________________________________________________________ 08:26 – Zgjedhjet në veri, policia: Kemi angazhuar numër të mjaftueshëm të policëve Në katër komunat veriore sot po mbahet zgjedhjet e jashtëzakonshme. Për të shkuar gjithçka mbarë në procesin e zgjedhjes së udhëheqësve komunalë atje, policia, Prokuroria e Shtetit dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kanë hartuar një plan të përbashkët. Sipas organeve të rendit, për të realizuar një proces të qetë dhe të suksesshëm zgjedhor janë angazhuar një numër i mjaftueshëm i zyrtarëve policorë. “Synimi i PK-së si çdo herë mbetet, që përmes realizimit të detyrave në mënyrë profesionale të garantojë ushtrimin e lirë të së drejtës së votës, të ndërmarrë veprime parandaluese ndaj dukurive negative dhe aktiviteteve kriminale që në çfarëdo mase do të rrezikonin sigurinë, qetësinë dhe stabilitetin në vend”, njofton policia. Policia inkurajon qytetarët që të raportojnë çdo rast kundërligjor që ndërlidhen me sigurinë dhe procesin zgjedhor. “raportime këto të cilat do të trajtohen në mënyrë konfidenciale”, thuhet në njoftim. 08:11 – Zveçan: Qendra e votimit në shkollën fillore “Isa Boletini” hapet me një orë vonesë Qendra e votimit në shkollën fillore “Isa Boletini” në Zveçan është hapur me një orë vonesë. Këtë vonesë e shkaktoi mosarritja me kohë e materialit për votim. Në këtë qendër mund të votojnë banorët e dy fshatrave të kësaj komune, Zhazhë dhe Lipë. 07:54 – Hapet me kohë edhe qendra më e madhe e votimit në Zubin Potok (VIDEO) Qendra më e madhe e Votimit në Zubin Potok është hapur me kohë siç është paraparë në orën 7:00. Në këtë qendër alternative, e cila është e vendosur në magjistralen Mitrovicë-Bërnjak, konkretisht në dalje të Zubin Potokut, janë gjithsej 3 vendvotime. Nëpër këtë qytet janë parë duke patrulluar edhe ekipe të Misionit Paqeruajtës të KFOR-it si dhe të EULEX-it. Theksojmë se 6661 qytetarë kanë të drejtë vote në këtë qytet verior. Në garë për të parin e kësaj komune janë dy kandidatë, Flatron Hasani nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Izmir Zeqiri nga Partia Demokratike e Kosovës. 07:47 – Vendvotimi te Stacioni i Autobusëve në Mitrovicën veriore hapet me 10 minuta vonesë Vendvotimi te Stacioni i Autobusëve në Mitrovicën veriore është hapur me 10 minuta vonesë për shkak të disa problemeve teknike. Votues i parë në këtë pikë ishte zëvendëskryetari i Kuvendit Komunal, Skender Sadiku. Sadiku u bëri thirrje edhe qytetarëve serbë të votojnë në zgjedhjet e sotme. “Shpresoj që komuniteti shumicë në zgjedhjet e ardhshme të marrë pjesë. Shpresoj të ketë tranzicion. Mitrovicës i duhet normalizim e qetësi. Shpresoj të kalojë mbarë pa asnjë telashe. 07:42 – Hapen vendvotimet në Leposaviq, voton kandidati i Partisë së Serbëve të Kosovës Vendvotimet janë hapur edhe në Leposaviq. Në këto zgjedhje ka dalë për të votuar edhe kandidati i Partisë së Serbëve të Kosovës, Radomir Radojiq. Kujtojmë se në këto zgjedhje nuk merr pjesë Lista Serbe. 07:32 – Hapen qendrat e votimit në Zveçan Edhe qendrat e votimit në Komunën e Zveçanit janë hapur me kohë për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës dhe këshilltarë komunalë, të cilat po mbahen sot në vendin tonë. Janë gjithsej pesë qendra të votimit në të cilat 6 mijë e 998 qytetarë të kësaj komune do të kenë mundësi ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës. Situata aktuale e sigurisë është e qetë dhe nuk ka ndonjë problem, ndërsa vërehen pjesëtarët e Policisë së Kosovës afër këtyre qendrave, sidomos atyre alternative, të cilët po vëzhgojnë situatën nga afër./KP 07:30 – Hapen të gjitha qendrat e votimit në veri të Mitrovicës Në veri të Mitrovicës ashtu siç është paraparë, të gjitha pesë qendrat e votimit janë hapur me kohë. Janë 18 mijë e 118 votues që do të kenë mundësi ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në këto qendra. Situata aktuale është e qetë dhe gjithçka po shkon sipas planit të paraparë, ndërsa vërehet numër jo i madh i qytetarëve, sidomos në zonat e banuara me shqiptarë, të cilët kanë dalë në mëngjes për ta ushtruar detyrën e tyre të votës. E veçanta e këtyre zgjedhjeve të jashtëzakonshme është se po mbahen për herë të parë pa pjesëmarrjen e partive politike serbe në përjashtim të një kandidateje të pavarur, dhe nga gjithsej 19 qendra, 6 janë të rregullta dhe 13 alternative. Në katër komunat veriore janë gjithsej 19 qendra të votimit me 34 vendvotime, ndërsa të drejtë vote kanë 45 mijë e 95 persona./KP