Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

LIVE| Nënkryetari i pestë e bën “llugë” parlamentin (VIDEO)

NULL NULL
28.08.2025 10:34

 12:28 – Rashiqi merr vetëm 56 vota “për”, s’zgjidhet nënkryetar i Kuvendit

Nenad Rashiq nuk ka arritur të marr votat e mjaftueshme për t’u zgjidhur nënkryetar i Kuvendit nga komuniteti serb.

Ai mori gjithsej 56 vota “për”, që nuk i mjaftuan të merrte postin në fjalë, transmeton Klankosova.tv.

Me këtë, punimet në Kuvend u ndërprenë, derisa kryetari Dimal Basha bëri të ditur se diskutimet do të vazhdojnë në seancën e radhës, që mund të ndodhin edhe sot.


12:12 – Igor Simiq nuk e kalon shortin për ulësen e nënkryetarit

Igor Simiq nuk ka arritur të marrë votat për t’u zgjedhur nënkryetar i parlamentit nga radhët e komunitetit serb, njofton Klankosova.tv

Votimi i tij u bë pas hedhjes së shortit për këtë post.


12:12 – Haradinaj përjashton Adem Hoxhën, ‘sebep’ vota për Simiqin


 12:09 – Dimal Basha e harron mikrofonin ndezur: “Dmth Branisllavi qitu tash djeget”

Kryetar i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, gjatë votimit për njërin nga deputetët serbë që u hodh në short për pozitën e nënkryetarit nga ky komunitet, lëshoi disa fjalë, pa qenë në dijeni se mikrofoni ishte ndezur.

Basha tha se “domethanë Branisllavi qitu tash djeget”.

Deputeti nga Lista Serbe, Nikolliq nuk e mori asnjë votë për nënkryetar.

Kundër tij votuan 55 deputetë dhe 25 abstenime.


12:08 – Sërxhan Popoviq dështon të zgjidhet nënkryetar

Sërxhan Popoviq ka dështuar të zgjidhet nënkryetar i Kuvendit të Kosovës.

Me 0 vota pro, 54 kundër dhe me 19 abstenime, Popoviq dështoi të kap postin e nënkryetarit nga komuniteti serb, transmeton Klankosova


 12:07 – Edhe Duda Balje braktis seancën: S’kanë vota, s’kam arsye të rri

Deputetja e komunitetit boshnjak, Duda Balje ka braktisur seancën e sotme.

Ajo lëshoi sallën e kuvendit, për siç tha s’ka arsye qëndrimi meqë s’ka vota për të, transmeton klankosova.tv.

”Nuk kanë vota, nuk kalon asnjë, unë nuk e votoj, s’kam pa arsye pse me nejt në sallë”.


 12:05 – Zlatan Elek dështon për herë të tretë, s’merr votat për nënkryetar

Zlatan Elek nga Lista Serbe ka dështuar për herë të tretë, për t’u zgjedhur nënkryetar i Kuvendit të Kosovës.

Me 0 vota për, 55 kundër, dhe 19 abstenime, ai u eliminua nga gara për këtë post, transmeton Klankosova.tv.


12:03 – As Stefan Kovaçeviq nuk i merr votat për nënkryetar

As Stefan Kovaçeviq nga Lista Serbe nuk i ka marrë votat për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës.

Për Kovaçeviqin nuk ka qenë asnjë votë për, 53 kundër dhe 19 abstenime.

Edhe emri i Stefan Kovaçeviq është tërhequr me short./Klankosova.tv


12:00 – Dy dështime për Elekun, nuk arrin të bëhet nënkryetar

Zlatan Elek nga Lista Serbe ka dështuar për herë të dytë të marrë votat e deputetëve për t’u zgjedhur nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, njofton Klankosova.tv.

Ai përsëri nuk mori asnjë votë.

Para tij, për këtë pozitë bazuar në short, ishte kandidat Branislav Nikoliq.


11:56 – Edhe Zlatan Elek nga Lista Serbe ka dështuar të zgjidhet nënkryetar i Kuvendit

Elek nuk e mori asnjë votë pasi emri i tij u hodh në votim përmes procedurës së shortit


11:52 – Shorti për nënkryetar, zero vota për Branislav Nikoliqin

Branislav Nikoliq nuk ka arritur ta marrë asnjë votë për t’u zgjedhur në postin e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb.

Votimi i tij u bë pas shortit për këtë pozitë, njofton Klankosova.tv.

55 vota kundër dhe 5 abstenime ishin votat për Nikoliqin.


11:48 – ”Ka shkelje kushtetuese”, Haradinaj braktis seancën

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka braktisur seancën e sotme ku pritej të zgjedhej nënkryetari i kuvendit nga komuniteti serb.

Siç merr vesh Klan Kosova, Haradinaj lëshoi sallën e kuvendit, mbi arsyet se ka shkelje kushtetuese nga kryesia parlamentare.


11:46 – Zgjedhja e nënkryetarit serb vazhdon me short

Deputetët e Kuvendit të Kosovës pritet të votojnë sot për nënkryetarin serb për ta përmbyllur konstituimin e Kuvendit.

Ky prcoes do të zhvillohet me procedurën e shortit, tha kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, raporton Klankosova.tv

Për shkak të refuzimit të Listës Serbe për të zëvendësuar kandidatin Sllavko Simiq për nënkryetar, Basha seancën e kaluar i hodhi në votim kandidatët e tjerë përmes shortit, përfshirë edhe emrin e Nenad Rashiqit, kryetarit të partisë serbe për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, i afërt me kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurti.


Ka nisur seanca e Kuvendit të Kosovës, ku pas zgjedhjes së kryeparlamentarit gjatë së martës, sot tentohet konstituimi.

Procesi ka ngecur te zgjedhja e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb, gjë që nuk u arrit dy ditë më parë, njofton Klankosova.tv

11:15 – Krasniqi kritika partive: Si lejojnë individë që akuzojnë UÇK-në të mbajnë ligjërata patriotike?

Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik ka kritikuar partitë politike në vend, se lejuan sot ‘ligjërim’ nga kryeparlamentari Dimal Basha, ndonëse doli hapur kundër UÇK-së.

Siç thotë ai, është absurditet që madje vet opozita po bie nën ndikimin e kësaj retorike të Vetëvendosjes, transmeton klankosova.tv.

”Kredencialet patriotike janë pika më e fortë e partive politike opozitare. Secila prej tyre ka në radhët e veta figura të shquara të luftës tonë për liri.
Është e pakuptimtë sesi këto parti lejojnë të akuzohen se janë me Serbinë, dhe tu mbahen ligjërata patriotike nga individ që kanë dal hapur kundër UÇK-së. Edhe më absurde është se opozita po bie nën ndikimin e kësaj retorike, duke lejuar që kundërshtarët t’i diktojnë veprimet dhe t’ua përmbysin narrativen historike”.

11:11- Lushtaku për votën “pro” Bashës: S’ju besojmë Dimalave të VV-së, e bëmë për të dalë nga ngërçi

Deputeti i betuar i PDK-së, Mergim Lushtaku ka thënë se votën për Dimal Bashën për kryekuvendar nuk e dhanë se i besojnë, por për të dalë nga ngërçi institucional.

Ai foli edhe rreth punimit shkencor që Basha është bashkautor, ku shkruhet kundër UÇK-së, e për këtë Lushtaku tha se nëse Basha nuk do të votohej për kryekuvendar, do të kishte mundësi që ky skandal të mos dilte asnjëherë në pah, transmeton Klankosova.tv.

“Nëse nuk ish votu Dimal Basha si kryetar i Kuvendit, ndoshta nuk do të ishte zbuluar ky skandal i radhës i Dimal Bashës. I Dimalit dhe të tjerëve që përfaqësojnë Vetëvendosjen. Prandaj ne e kemi thënë që nuk e bëjmë me besim, që besojmë në Dimalat e Vetëvendosjes, por e kemi bërë për me dalë nga ngërçi politik”, tha Lushtaku.

Sipas tij, VV e ka pasur të qartë nga fillimi bllokimin e Kuvendit, pasi sipas tij, tani zor që zgjidhet nënkryetari nga komunitetet.


11:08 – Limaj: Artikulli i Bashës fyen të gjithë ata që ndihmuan çlirimin e Kosovës

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka komentuar artikullin e kryeparlamentarit Dimal Basha për UÇK-në.

Sipas Limajt, Basha për një punim shkencor poshtëroi vendin e tij, njofton Klankosova.tv.

“Serioze është natyra, artikulli, punimet të tilla shkencore,  ne kemi pasur në akuza, nga organet ndjekëse”.

“Artikulli fyen krejt ata që ndihmuan çlirimin e Kosovës”.

“Ai artikull fyen të gjithë dëshmorët e Kosovës, mijëra qindra shqiptarë”, tha Limaj


11:03 – Gashi: Basha, përfaqësuesi më autentik i VV-së

Deputeti i betuar i LDK-së, Arben Gashi ka thënë se Dimal Basha është përfaqësuesi më autentik i Lëvizjes Vetëvendosje.

”Ky është një narracion që po i bëhet Dimalit nga partia e vet, e cila nuk po do me e shpërfaq anticitetin e VV-së. Mendoj që Dimali është përfaqësues autentik i VV-së dhe e tillë është Vetëvendosja, dhe populli duhet me e kuptu cila është qasja e të menduarit politik në Kosovë”, u shpreh ai, transmeton Klankosova.tv.

Sa i përket pjesëmarrjes në votimin për nënkryetar të Kuvendit nga komuniteti serb, Gashi tha se duhet pyetur Hykmete Bajrami, e cila është shefe e GP-së së LDK-së.

Sakaq, ai tha se as Nenad Rashiq e “as aj tjetri”, s’kanë dallim ndërmjet vete, dhe se nuk i voton asnjërin.


11:01 – AGK dënon sulmet e Bashës ndaj gazetarëve: Vazhdimësi e akuzave të tij ndër vite

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka dënuar sulmet ndaj gazetarëve nga kryeparlamentari Dimal Basha, në konferencën e sotme në Kuvendin e Kosovës, ku doli për t’u shfajësuar lidhur me punimin ku flitet kundër UÇK-së dhe i njëjti është bashkautor, raporton Klankosova.tv

AGK ka shprehur keqardhje që Basha e ka nisur punën në postin e tij të ri e shumë të rëndësishëm duke sulmuar mediat.

Ai sot deklaroi: “Prej 6 vitesh, portalet dhe të ashtuquajtur gazetarë nuk kanë ndaluar së më ofenduari në mënyrat më të ulëta, duke përdorur edhe burime nga gazeta të Beogradit. Mos harroni se keni të njëjtat burime që kanë lobuar për ndarjen e Kosovës dhe për Listën Serbe.”

“AGK-ja e dënon fuqishëm këtë gjuhë të papranueshme dhe shumë të rrezikshme të zotit Basha, e cila është vazhdimësi e sulmeve, ofendimeve dhe akuzave të tij ndër vite ndaj mediave. AGK-ja e fton zotin Basha të kuptojë përgjegjësinë që e bart posti i tij i ri, si një prej udhëheqësve kryesorë të shtetit, dhe të respektojë punën e gazetarëve dhe mediave. Në vend të sulmeve, zoti Basha duhet të tregojë transparencë për të kaluarën e tij dhe t’u përgjigjet të gjitha pyetjeve e interesimit të mediave për aktivitetin, para se të bëhej kryetar.”/Klankosova.tv


11:00 – Behrami: Me premtimin që e mbajti, PDK-ja demaskoi politikën anti-UÇK të Albin Kurtit

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami, duke iu referuar votimit për zgjedhjen e kryeparlamentarit, tha se me premtimin që e mbajti, PDK-ja demaskoi politikën anti-UÇK të Albin Kurtit.

Ai gjithashtu u shpreh se Dimal Basha është personifikimi i doktrinës anti-UÇK të Kurtit.

“Me premtimin që e ka mbajtur Partia Demokratike e Kosovës, ne e kemi demaskuar politikën anti-UÇK të Albin Kurtit, e cila gjithmonë është fshehur prapa njerëzve si Glauk Konjufca dhe Shqipe Selimi dhe që nga sot ai nuk mund të fshihet prapa këtyre figurave, sepse Dimal Basha është personifikimi i doktrinës anti-UÇK të Albin Kurtit”, u shpreh tutje ai./Klankosova.tv


10:55 – Balje: Unë s’e votova Bashën, e barazoi Zotin me gjygym – veç i pastër s’mund të jetë

Deputetja nga komuniteti boshnjak, Duda Balje ka komentuar kryeparlamentarin e ri Dimal Basha, mbi qasjen e tij ofenduese ndaj UÇK-së në një artikull të publikuar.

Në pyetjen e Klan Kosovës, referuar këtij zhvillimi që nëse mund të vazhdohet me Bashën kryeparlamentar ajo u shpreh se ai mund të jetë kryetar dhe deputet por i pastër asnjëherë.

”Personalisht nuk votova për Dimal Bashën, për shumë arsye sepse e ka barazu, Zotin me gjygym. Ai mund të jetë edhe deputet edhe kryetar, por një person i pastër jo”.

Ndër tjera, Balje edhe konfirmoi se nuk ka asnjë votë për komunitetin serb.

”Unë shkova me konsultu, sepse edhe ne e kishim kandidatin tonë boshnjak, mendova që e kam të drejtën e njëjtë. Dimal Basha nëse konstituohet kuvendit, ka mundësi me jap dorëheqje dhe zëvendësja e parë, Albulena. Kjo mund të ndodhë”.

”Nuk kam votë për asnjë kandidat për komunitetin serb”.


10:50 – Shkrimi kundër UÇK-së, Izmaku: Basha të dorëhiqet ose të shkarkohet

Deputetja e Nismas, Xhevahire Izmaku ka komentuar konferencën e kryetarit të Kuvendit, Dimal Bashës, duke e quajtur se turpi që e ka kapur atë për punimin shkencor, e që vihen në pah qëndrimet e tij kundër UÇK-së, nuk kalon me një konferencë për shtyp.

Përmes një njoftimi në Facebook, Izmaku thotë se Basha duhet të jap dorëheqje, ose të shkarkohet, transmeton Klankosova.tv.

“Jo, nuk kalon ky turp me një konferencë për shtyp! Dorëheqje ose shkarkim! Kërkoj që jo vetëm ne që ngritëm dorën kundër, por edhe njerëzit me gjykim të shëndoshë dhe ata që e duan vendin e sakrificën e UÇK-së, edhe brenda VV-së, të kërkojnë dorëheqjen e menjëhershme të Dimal Bashës”, ka shkruar deputetja.

“Një njeri që ka bashkautorësi në punime shkencore kundër UÇK-së, në linjë me Serbinë, Dik Martyn dhe Rusinë, nuk mund dhe nuk guxon të udhëheqë Kuvendin e Kosovës. PDK dhe AAK duhet të japin llogari për këtë shkarje të rëndë! Punimet shkencore nuk botohen me bashkautorësi pa besim dhe pa përputhje në qëndrime.  Me votën e tyre, ata e bënë këtë narrativë pjesë të institucionit më të lartë të vendit”.


10:48 – Kurti heshti edhe sot, iku nga gazetarët

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, është futur në Kuvendin e Kosovës, duke mos e thënë asnjë fjalë para gazetarëve, siç ka vepruar rëndom që një kohë, raporton Klankosova.tv

Kurti i cili ka heshtur për zgjedhjen e Dimal Bashës kryeparlamentar dhe punimin ku ky i fundit është bashkautor dhe flitet kundër UÇK-së, dorëheqjen e shokut të partisë –  ish ministrit Liburn Aliu, sot iku edhe vet nga deklarimet për këto zhvillime.

Ndryshe, deputetët sot pritet të votojnë për nënkryetarin serb për ta përmbyllur konstituimin e Kuvendit.

Më 26 gusht, ata zgjodhën kryetarin dhe katër nënkryetarë. /Klankosova.tv


 10:46 – Votoi pro Bashës, Berisha: Nuk jam pishma

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha para fillimit të seancës për vazhdimin e konstituimit të Kuvendit tha se nuk është pishman që ka votuar pro Dimal Bashës për kryeparlamentar.

Ai u shpreh se duan t’i zgjidhin nyjet dhe siç u shpreh ai, të ecin përpara, përcjell Klankosova.tv.

“Që paska fol diçka kundër UÇK-së, goxha do njerëz kanë folur keq kundër UÇK-së këtu, tani po dalin kundër Dimal Bashës sikur po e mbrojnë UÇK-në”.

“Na jemi duke jetuar këtu, në këto rrethana, nuk jam pishman, duam t’i zgjidhim këto nyje, të ecim përpara. Këta janë deputetët e Kuvendit të Kosovës, të zgjedhur me votën e këtyre qytetarëve”, u shpreh tutje Berisha.


 10:39 – Avdyli: Basha sqaroi se nuk shkroi artikullin kundër UÇK-së, bllokimi tash ka emrin Slavko Simiq

Deputeti i Guxo, Haxhi Avdyli ka përmendur sërish Gjykatën Kushtetuese, tashmë për sfidën e emërimit të nënkryetarëve të kuvendit, çështje kjo e cila veçse mbetet e bllokuar.

Ai thotë se bllokimi i kuvendit për Slavko Simiq, është i pakuptimtë megjithatë shprehet se votimi vazhdon në pako dhe s’ka kthim prapa vetëm nëse rasti shkon në gjykatë, transmeton klankosova.tv.

”Në seancën e kaluar, avazi i bllokimit të vendit nga opozita po vazhdon. Ky bllokim e kishte njëherë emrin, Albulena Haxhiu, e tash ka ndërru emri, po bllokohet për Slavko Simiqin”.

”Bllokimi i kuvendit për Slavko Simiqin është e pakuptimtë”.

”Ajo procedurë tashmë është kry, dhe s’mund të kthehet. Pse duhet në pako, kur lejohet ndaras. Dhe kërkesa e pakicave ka qenë që të votohet ndaras, dhe kjo është respektu e votu”.

”Kolegët e mi nga opozita mendoj që do të lirohen nga mendësia e bllokimit. Ajo pjesa e votimit, është kalu për tri herë, veçse është kalu. Nuk e di pse insiston në pako, kur ajo është kry. Konstituimi i kuvendit mund të vazhdojë, nuk ka më votim në pako, nuk jemi duke folë për borën e parvjetve, ne jemi duke folë për fazën kur ka kalu procedura në short”.

Tutje Avdyli mohoi edhe ofendimet e kryeparlamentarit Dimal Basha ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

”Ai ka sqaru që nuk ka shkru atë artikull, ato pjesë për UÇK-së. Qëndrimi ynë është edhe i çdo qytetari të Kosovës, çdo patrioti të Kosovës se UÇK, është vlera më sublime e vendit”.


10:31 – Murati: Vota jonë është kundër kandidatëve nga Lista Serbe për nënkryetar të Kuvendit

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati ka komentuar procesin e konstituimit të Kuvendit ku pritet të zgjidhet edhe nënkryetari i 5-të I Kuvendit që është nga radhët e komunitetit serb.

Ai në një postim në Facebook tha se vota e tyre është kundër për cilindo kandidatë për këtë post nga radhët e Listës Serbe.

“Para deputetëve janë dy opsione:- Të zgjedhin njërin nga 9 deputetët e Listës Serbe, që nënkupton dikush i dirigjuar nga terroristi Milan Radojçiq në kryesi të Kuvendit, apo- Të zgjedhin një deputet si z. Nenad Rashiq që nuk është nga Lista Serbe”.

“Ne e kemi bërë të qartë që për cilindo nga Lista Serbe, e cila punon kundër Republikës së Kosovës, vota jonë është kundër”.

“Prandaj i vetmi opsion që mbetet për t’u zgjedhur nënkryetar i Kuvendit është z. Rashiq.

Për cilin opsion janë deputetët e opozitës?”, shkruan Murati, transmeton Klankosova.tv.


10:20 – Dimal Basha del dhe arsyetohet për punimin e vitit 2012: Asnjë fjalë s’e kam shkruar kundër UÇK-së

Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, ka dalë në konferencë për media para seancës së sotme, për t’u arsyetuar lidhur me punimin e vitit 2012, në të cilin ishte bashkautor dhe shkruhej zi e terr për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, raporton Klankosova.tv

Në këtë punim thuhej se “fondet për UÇK-në erdhën nga shqiptarë të zakonshëm në diasporë, por edhe nga trafikantët e drogës që operonin në gjithë Evropën Perëndimore dhe në Shtetet e Bashkuara”.

Basha tha se akuzat ndaj tij janë të ulëta, duke shtuar se asnjëherë nuk ka shkruar përmbajtje kundër UÇK-së, por vetëm për islamin fundamentalist në Evropën Juglindore.

“Në vitin 2012 kam dorëzuar hulumtim për publikim, atë kohë kam bërë hulumtim për deportimin e islamit fundamendalist në Evropën Juglindore, kam dërguar hulumtim vetëm për këtë temë. Këtu përfundon përgjegjësia ime për këtë temë.Edhe tema ime e diplomës master që kam, në vitin 2013, gjithashtu e mbulon vetëm këtë pjesë, aty asnjë fjalë nuk është kundër UÇK-së. Të njëjtën e thotë edhe profesoresha ku kam studiuar për bachelor, e cila ka dërguar email sqarues te mediat. Mbaj përgjegjësi vetëm për këtë pjesë. Këto akuza janë shumë të ulëta dhe rënduese për mua dhe për qytetarët e Kosovës. Unë kam bërë thirrje të luftohet raporti i Dick Marttyt. Unë Dimal Basha, si kryetar Kuvendi, e kam të shenjët luftën e UCK-së dhe sakrificën për liri. Dua të deklaroj me përgjegjësi të madhe, se kurrë në jetën time, nuk është shkruar dhe nuk do të gjendet asnjë përmbajtje që bie ndesh me këtë vlerë të shenjtë të popullit tonë”, tha Basha, raporton Klankosova.tv

lajme të ngjashme