Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Kurti: Nga sot nis konvertimi i targave në “RKS” (VIDEO)

NULL NULL
31.08.2022 21:24

08:49 – Kurti ripërsërit thirrjet për banorët serbë që të konvertojnë targat në “RKS” (VIDEO)

Kryeministri Albin Kurti, në gjuhën serbe ka ripërsëritur thirrjet për banorët serbë që të konvertojnë targat nga “KM” në “RKS”.

“Nga sot deri më 31 tetor, përgjatë 61 ditëve në 34 qendra të Regjistrimit të Automjeteve po rihapim dritaren e mundësisë për të konvertuar tabelat e regjistrimit të veturave ne ato të Republikës sonë të përbashkët”, ka thënë Kurti në një video të shpërndarë në Facebook, transmeton Klankosova.tv.

“Konvertimi dhe regjistrimi i automjeteve me targa “RKS” i shërben rendit publik, ligjit dhe sigurisë”, u shpreh ai.

I pari i Qeverisë tha se targat e lëshuara nga Serbia me shkurtesat e qyteteve kosovare janë trashëgimi e regjimit të Millosheviqit.

“Kjo trashëgimi është barrë që nuk do të duhej ta mbani ju. Përveç kësaj, ajo po synon të ju mbajë në të kaluarën dhe të izoluar”, deklaroi kryeministri.

Më poshtë mund ta ndiqni videon e plotë.

00:42 – Edhe në Bërnjak gazetari i Klan Kosovës, është qytetari i parë që kalon në Serbi veç me letërnjoftim

Gazetari i Klan Kosovës, Haris Ademi, ishte qytetari i parë që ka kaluar në Serbi përmes pikës kufitare në Bërnjak vetëm me letërnjoftim.

Më herët raportuam se gazetari tjetër i Klan Kosovës, Drin Demiri, kaloi i pari kufirin në Jarinjë vetëm me këtë mjet identifikues.

Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla konfirmoi se në të gjitha pikat kufitare ka filluar zbatimi i marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë për çështjen e letërnjoftimeve.

00:30 – Sveçla e konfirmon se dokumentet për hyrje-dalje nuk po lëshohen më në pikat kufitare

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka konfirmuar se dokumetet për hyrje-daljet nuk po lëshohen më në pikat kufitare.

“Jemi në Bërnjak, kishim një veturë të kolegëve tuaj që kaloi pa problem, është ndërprerë lëshimi i hyrje-daljeve edhe në Merdarë, Dheu i Bardhë e Muçibabë. Në Jarinjë ende s’kemi veturë që ka kaluar, por mund të konkludojmë që e kanë ndërprerë lëshimin e hyrje-daljeve”, ka thënë Sveçla, njofton Klankosova.tv

Ai tha se tani, pas zbatimit të marrëveshjes nga Serbia, nuk është e nevojshme që të lëshohet dokumenti i hyrje-daljeve për shtetasit e Serbisë që hyjnë në Kosovë.

Sveçla tha se shpreson që me këtë dinamikë të kalojë edhe çështja e targave.

00:24 – Edhe në Merdarë nuk lëshohet më dokumenti për hyrje/dalje

Edhe në pikën kufitare në Merdarë po zbatohet marrëveshja e arritur mes Kosovës dhe Serbisë për dokumentet identifikuese.

As këtu Serbia nuk po e lëshon më dokumentin për hyrje/dalje për shtetasit e Kosovës dhe rrjedhimisht as Kosova nuk do të nisë me lëshimin e këtij dokumenti për shtetasit e Serbisë.

Kjo u konfirmua edhe nga vetë qytetarët që po kalojnë nga Kosova në Serbi përmes kësaj pike kufitare.

Bazuar në marrëveshjen e 27 gushtit, pala serbe ka pranuar që të mos e lëshojë dokumentin për hyrje/dalje për poseduesit e dokumenteve kosovare me kusht që në të gjitha pikëkalimet kufitare të vendosë tabela ku thuhet se kjo po bëhet për të mundësuar lëvizjen e lirë dhe nuk nënkupton se Serbia e njeh pavarësinë e Kosovës.

00:20 – Jarinjë: Nis zbatimi i marrëveshjes, gazetari i Klan Kosovës i pari kalon në Serbi veç me letërnjoftim

Gazetari i Klan Kosovës, Drin Demiri, ka raportuar nga territori i Serbisë teksa tha se nuk i është lëshuar asnjë dokument shtesë nga pala serbe për kalimin e kufirit me letërnjoftim të Kosovës.

Ai tha se kalimin e kufirit Kosovë – Serbi në pikëkalimin kufitar në Jarinjë e bëri pa asnjë problem dhe nuk pati asnjë pyetje tjetër shtesë.

Marrëveshja për dokumentet e identifikimit do të respektohet edhe nga autoritetet kosovare të cilat ishin në pritje nëse pala serbe do ta respektojë të njëjtën.

00:11 – Xhelal Sveçla shkon në Bërnjak

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka shkuar në pikën kufitare në Bërnjak për të parë se si po zbatohet marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë për dokumentet.

00:01 – 1 shtator – hyn në fuqi marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë për dokumentet

Tashmë kur ka hyrë data 1 shtator ka hyrë në fuqi edhe marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë për dokumentet e identifikimit.

Duke filluar nga tani, Serbia duhet të mos lëshojë më dokumentet për hyrje/dalje për shtetasit e Kosovës dhe Kosova nuk duhet të nisë me lëshimin e tyre për shtetasit e Serbisë.

Kosova është zotuar se nëse Serbia nuk e respekton këtë marrëveshje dhe vazhdon të japë këtë dokument në pikat kufitare, atëherë do të vendosë reciprocitet.

23:57 – Kufitarët e Kosovës në Jarinjë presin veprimet e kolegëve serbë për reciprocitet

Në të dy anët e kufirit të Kosovës me Serbinë në pikëkalimin kufitar në Jarinjë të vetmit që janë duke patrulluar janë policët kufitarë.

Nga policët kufitarë të Kosovës është thënë se 1 shtatori do të nisë me dy opsione, e njëri nga ta është se në rast se Serbia s’i lëshon dokumentet hyrëse/dalëse atëherë këtë s’do ta bëjë as Kosova.

Por, nëse pala serbe pas mesnatës do të vazhdojë t’i lëshojë dokumentet për hyrje/dalje për shtetasit e Kosovës, atëherë Kosova do të vendosë reciprocitet.

Deri më tani në pikën kufitare në Jarinjë situata është e qetë ku deri tek pikëkalimi kufitar janë tri pika kontrolli të KFOR-it.

23:30 – Afishet mosnjohëse vendosen nga ana serbe në Merdarë

Edhe në pikën kufitare në Merdarë nga ana serbe janë vendosur afishet që tregojnë se nuk e njohin Kosovën si shtet.

Një veprim i tillë ka ndodhur kur ka mbetur edhe pak kohë prej kur pritet të hyjë në fuqi marrëveshja e arritur mes Kosovës dhe Serbisë për dokumentet identifikuese.

Pala serbe ka pranuar që të mos e lëshojë dokumentin për hyrje/dalje për poseduesit e dokumenteve kosovare me kusht që në të gjitha pikëkalimet kufitare të vendosë tabela ku thuhet se kjo po bëhet për të mundësuar lëvizjen e lirë dhe nuk nënkupton se Serbia e njeh pavarësinë e Kosovës.

Ekipi i Klan Kosovës po qëndron në këtë pikë kufitare për të parë nëse do të zbatohet ujdia e arritur më 27 gusht.

23:23 – Situata në Bërnjak vazhdon të jetë e qetë

Ka mbetur më pak se një orë që të hyjë në fuqi marrëveshja e Kosovës dhe Serbisë për letërnjoftimet.

Gjendja në pikën kufitare në Bërnjak vazhdon të jetë e qetë, derisa edhe forcat e KFOR-it po e vazhdojnë patrullimin në këtë pikë kufitare.

Gazetari i Klan Kosovës, Haris Ademi, ka raportuar nga Bërnjaku, ku po qëndron tash e sa orë:

21:10 – Sveçla: Presim të nisë zbatimi i marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë, po bëhet pas 11 vjetësh

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, foli për marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë për dokumentet e identifikimit që pritet të zbatohet pas tri orësh.

“Për pak kohë fillon zbatimi që qytetarët e Kosovës shkojnë pa pengesa në territorin e Serbisë. Ky vendim po zbatohet pas 11 vjetësh. Tanimë nuk do të mund të maltretohen qytetarët tanë me dokumentacione te ndryshme e të shumta”.

Ai tha se “të gjitha instrumentet e sigurisë së Kosovës janë vigjilente” karshi veprimeve të Serbisë.

“Ka një kohë që ka një mobilizim shtesë dhe tani në ballafaqimin e fundit atje, pas vendosjes së barrikadave, kemi parë njerëz të uniformuar nëpër rrugët e veriut të Kosovës brenda një kohe të shkurtër duke i lënduar edhe disa qytetarë tanë”, deklaroi Sveçla në televizionin publik.

Ministri i Brendshëm theksoi se ajo çka ka ndodhur më 31 korrik në veri ishte një skenar i organizuar nga Serbia dhe realizohej nga njerëz të Serbisë në bashkëpunim me grupet kriminale të veriut.

20:56 – Zyrtarët kosovarë në Merdarë janë gati ta zbatojnë reciprocitetin

Zyrtarët kosovarë në pikën kufitare në Merdarë thanë se janë të gatshëm për zbatimin e reciprocitetit me Serbinë, nëse pala serbe nuk e respekton ujdinë e arritur në Bruksel të shtunën e 27 gushtit.

Gazetari i Klan Kosovës, Flamur Gajtani, dhe ekipi i tij do të qëndrojnë në pikën më të madhe kufitare që lidh Kosovën me Serbinë për të parë nëse ujdia do të respektohet nga të dyja palët.

20:34 – Në Bërnjak, të gatshëm për reciprocitet

Situata në pikën kufitare të Bërnjakut momentalisht është e qetë.

Gazetari i Klan Kosovës, Haris Ademi, ka thënë se sa ishin duke shkuar te kjo pikë kufitare – nga fshati Çabër deri në Bërnjak – kanë hasur në dy pika patrulluese të KFOR-it të cilat janë vendosur aty që të sigurojnë se çdo gjë është nën kontroll.

Ai ka raportuar edhe për tri pika patrulluese të Policisë së Kosovës, derisa në Bërnjak janë të vendosura forcat që rregullisht qëndrojnë në afërsi të kësaj pike kufitare.

Në Bërnjak ka qarkullim të vogël të veturave, në ndërkohë që gjithçka në këtë pikë kufitare po funksionon si çdo ditë tjetër.

20:30 – Në Jarinjë Serbia vazhdon t’i lëshojë dokumentet për hyrje/dalje 

Në pikëkalimin kufitar në Jarinjë autoritetet serbe po vazhdojnë të lëshojnë dokumentin për hyrje/dalje për secilin person që me dokumente të Kosovës hyn në Serbi.

Kjo pritet të vazhdojë deri në mesnatë, kur edhe pritet të hyjë në fuqi marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë sipas së cilës asnjëra palë nuk do t’i lëshojë dokumentet për hyrje/dalje për shtetasit e palës tjetër.

Gazetari i Klan Kosovës, Drin Demiri, raporton se në Jarinjë autoritetet serbe kanë vendosur një tabelë që tregon se letërnjoftimet kosovare janë pranuar vetëm sa i përket lehtësimit të lëvizjes së lirë për qytetarët dhe për asnjë qëllim tjetër, duke bërë të ditur se Serbia s’e ka lëkundur qëndrimin e saj në lidhje me pavarësinë e Kosovës.

Policët kufitarë i kanë thënë Klan Kosovës se kanë urdhër që ta zbatojnë marrëveshjen vetëm nëse nis zbatimi i marrëveshjes nga Serbia.

Nëse Serbia nga mesnata, ashtu siç e parasheh marrëveshja, nuk do ta lëshojë më dokumentin për hyrje/dalje për shtetasit e Kosovës, atëherë as Kosova nuk do të nisë së lëshuari këtë dokument për shtetasit e Serbisë.

20:10 – Serbia vendos afishet mosnjohëse 

Pak orë para se të nisë regjimi i ri i lëvizjeve Kosovë-Serbi pa letra hyrje-dalëse, pra vetëm me letërnjoftime, Beogradi e mori një veprim.

Në të gjitha pikat kufitare kah ana serbe u vendos një lajmërim në serbisht e anglisht ku thuhet se kalimi veç me karta identiteti bëhet për çështje praktike në pajtim me ujdinë për lëvizjen e lirë nga viti 2011.

Me këtë veprim Serbia thotë se nuk e pranon atë që e quan shpallje të njëanshme të pavarësisë së Kosovës, që paraqitet me asteriks.

Po sipas lajmërimit të Beogradit s’paragjykohet statusi final i Kosovës dhe lëvizja me letërnjoftime s’i bie heqje dorë nga rezoluta 1244.

Të enjten po ashtu nis rrjedhja e dymujorit të caktuar nga qeveria kosovare për ndërrimin e targave nga ato serbe KM te ato të Kosovës RKS.

Emisari evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, deklaroi se deri më 1 nëntor kanë kohë për të gjetur një zgjidhje për targat. Ai shtoi se ata i kanë dhënë disa ide Kosovës dhe Serbisë, por s’i tregoi se cilat janë ato.

Nga ana e tij kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i tha Radios Evropa e Lirë se është duke nxitur diçka për targat që mund ta pranojnë të dyja palët.

E përfshirë në gjithë këto zhvillime është edhe Londra zyrtare.

I dërguari për Ballkanin, Sir Stuart Peach, shkoi në Beograd për biseda me presidentin Aleksandar Vuçiq. Dialogu Prishtinë-Beograd qe në qendër të bisedës.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.