Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

LIVE| Vota për Kosovën: Mbi 15% e qytetarëve votuan deri në mesditë

NULL NULL
07.06.2026 12:15

Vota për Kosovën!

Qytetarët e Kosovës i janë drejtuar sot, më 7 qershor, kutive të votimit për zgjedhjet e nivelit nacional, duke shënuar procesin e tretë zgjedhor parlamentar brenda një periudhe prej 16 muajsh.

Pas zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit 2025 dhe zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit 2025, vendi organizon sërish zgjedhje për Kuvendin e Kosovës. Ky proces vjen pas dështimit për të arritur konsensusin e nevojshëm për zgjedhjen e presidentit të vendit.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), këto janë zgjedhjet e 11-ta në nivel nacional që nga përfundimi i luftës në Kosovë.

Të drejtën e votës në këto zgjedhje e kanë 2.092.174 qytetarë, përfshirë diasporën ose 15.884 më shumë krahasuar me zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025.

Votimi brenda Kosovës organizohet në 949 qendra votimi me 2.550 vendvotime.


Fluks i madh votuesish në Lluzhan të Podujevës

47 qendra të votimit janë në Podujevë, derisa njëra nga qendrat që ndodhet në fshatin Lluzhan dhe përfshin tri vendvotime, është vërejtur fluks më i madh i qytetarëve që po shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës.

Sipas gazetares së Klan Kosovës, Artina Breznica, në Lluzhan gjatë gjithë ditës ka pasur lëvizje të vazhdueshme të votuesve dhe interesim të shtuar për procesin zgjedhor.

Ndërkohë, në Qendrën e Votimit me Kusht, deri më tani kanë votuar rreth 100 persona, një numër relativisht i ulët krahasuar me pritjet.

Gazetarja Breznica tha se një nga arsyet e mundshme për këtë pjesëmarrje më të vogël mund të jetë fakti se një pjesë e votuesve kanë zgjedhur ta lënë votimin për orët e mëvonshme të ditës.


Ndërrimi i vendbanimit të disa votuesve i vetmi problem në shkollën “Motrat Qiriazi” në Prizren

Proces normal i votimit është raportuar edhe në shkollën “Motrat Qiriazi” në Prizren.

Sipas udhëheqësit të kësaj qendre që ka folur për gazetaren e Klan Kosovës, Qëndresa Tërshani, deri në orën 12:30 kanë votuar 1 mijë e 300 qytetarë, nga rreth 8 mijë votues.

Ai ka thënë se e vetmja telashe ka qenë me disa qytetarë që e kanë ndërruar vendbanimin, për dallim nga zgjedhjet e kaluara.

“Në zgjedhjet e kaluara kanë votuar këtu, e në këto zgjedhje e kanë ndërruar vendbanimin e nuk kanë mundur të votojnë këtu, është dashur të shkojnë të gjejnë vendvotimin e tyre. Nuk është numër i madh, por ka kapak këso problemesh.”, ka thënë ai.

Sipas tij, vërehet fluks i qytetarëve që po votojnë në këtë qendër të votimit.


Ambasadori britanik: Kosova ka nevojë për institucione të reja sa më shpejtë pas zgjedhjeve

Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka shprehur shpresën që pas procesit zgjedhor, partitë politike të arrijnë marrëveshje për formimin e institucioneve dhe zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

Duke folur për KosovaPress gjatë vëzhgimit të procesit zgjedhor në Zubin Potok, Hargreaves tha se ai dhe diplomatë të tjerë janë pjesë e ekipit të vëzhgimit diplomatik të koordinuar nga Bashkimi Evropian, i njohur si “Diplo Watch”, i cili po monitoron zhvillimet në të gjithë Kosovën.

I pyetur nëse shpreson që këto të jenë zgjedhjet e fundit për katër vitet e ardhshme, ambasadori britanik tha se shumë qytetarë në Kosovë ndajnë të njëjtën pritje.

“Kam përshtypjen se shumë njerëz në këtë vend shpresojnë që këto të jenë zgjedhjet e fundit për këtë vit. Nëse është e nevojshme të shkohet sërish në zgjedhje, atëherë kjo do të ndodhë. Por do të ishte shumë mirë nëse pas këtyre zgjedhjeve partitë politike do të mund të arrinin një marrëveshje, jo vetëm për kuvendin dhe qeverinë, por edhe për zgjedhjen e presidentit”, deklaroi ai.

Lexo po ashtuCosta në Prishtinë, pritet nga HaxhiuSipas Hargreaves, është në interes të Kosovës që institucionet e reja të formohen sa më shpejt, transmeton Klankosova.tv.

Duke komentuar çështjen e zgjedhjes së presidentit dhe renditjen e proceseve institucionale, ai tha se kjo mbetet përgjegjësi e partive politike.

“Kjo i takon tërësisht partive politike ta zgjidhin mes vete. Unë thjesht mendoj se Kosova ka nevojë për një kuvend, një qeveri dhe një president sa më shpejt të jetë e mundur, ndërsa partive u takon të përcaktojnë renditjen dhe rezultatin e këtij procesi”, theksoi ambasadori britanik.


Votimi me kusht, vetëm 44 qytetarë shfrytëzuan të drejtën në një shkollë të Klinës

Gazetarja Amantina Hasani raportoi nga Klina se atmosfera në qendrat e votimit është e qetë, ndërsa pjesëmarrja e qytetarëve deri tani mbetet e ulët.

Sipas saj, në të gjithë komunën numri i votuesve është rreth 50 mijë, por në disa qendra votimi fluksi ka qenë minimal gjatë ditës.

Në qendrën e votimit me kusht nuk është raportuar pothuajse asnjë pjesëmarrje, ndërsa situata është krahasuar si më e ulët në raport me zgjedhjet e kaluara.

Drejtori i shkollës “Motrat Qiriazi” për Klan Kosova tha se procesi ka nisur me kohë, por deri tani pjesëmarrja është e vogël, me vetëm 44 votues të regjistruar.


Palatova e BE-së në terren, viziton qendrat e votimit në Prishtinë e Graçanicë

Shefja në detyrë e BE-së në Kosovë, Eva Palatova ka vizituar disa qendra votimi si pjesë e vëzhgimit diplomatik të koordinuar nga Bashkimi Evropian.

Ajo qëndroi në Prishtinë dhe Graçanicë.

“Duke vizituar qendrat e votimit në Prishtinë dhe Graçanicë si pjesë e Vëzhgimit Diplomatik të koordinuar nga BE-ja, Shefja në Detyrë e BE-së në Kosovë, Palatova, ishte e kënaqur që pa një proces votimi të qetë.Çdo zgjedhje është një provë e demokracisë”.

“Gjithë të mirat për pjesën tjetër të ditës”, thuhet në një njoftim të Zyrës së BE-së në Prishtinë.


Aeroporti i Prishtinës: Rreth 16 mijë hyrje gjatë fundjavës së zgjedhjeve

Në ditën e zgjedhjeve nuk ka pasur fluks të madh qytetarësh në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Sipas të dhënave të siguruara nga Klan Kosova, gjatë së premtes dhe së shtunës në Kosovë kanë hyrë rreth 16 mijë persona përmes aeroportit.

Kjo shifër është pak më e lartë krahasuar me fundjavën e kaluar, kur rreth 14 mijë udhëtarë kishin hyrë në vend, raporton nga aty gazetarja e Klan Kosova, Blerina Shoshi.

Ndërkohë, krahasuar me zgjedhjet e 28 dhjetorit, kur rreth 16 mijë e 300 persona kishin ardhur dy ditë para votimeve, këtë herë numrat janë në nivele të ngjashme.

Njëherësh, një pjesë e madhe e qytetarëve kanë zgjedhur të votojnë përmes postës, rreth 100 mijë votues, ndërsa rreth 27 mijë të tjerë kanë votuar në konsullata dhe ambasada nëpër botë.


Telashet me vërtetimet mjekësore, refuzohen tri raste të votimit në “Nazim Gafurri” të Prishtinës

Në shkollën “Nazim Gafurri” në lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë tri raste janë refuzuar të votojnë me asistencë, e të cilët nuk kanë pasur vërtetime nga Qendrat e Mjekësisë Familjare.

Menaxherja e kësaj qendre të votimit, Ardiana Makolli-Sadiku për Klan Kosova ka thënë se çështja e vërtetimeve ka qenë telashja më e madhe në këtë shkollë.

“Vështirësia më e madhe është e personave që nuk dinë shkrim e lexim dhe nuk ka një vërtetim që e dëshmon vështirësinë e tyre. Tri raste janë refuzuar në shkollën tonë. I kemi këshilluar të drejtohen në KQZ për të gjetur zgjidhje”, ka thënë ajo

Ai ka thënë se edhe në zgjedhjet e kaluara ka qenë e pranishme një problematikë e tillë, por për dallim prej atëherë, në këtë process zgjedhor nuk po pranojnë vërtetim që është më i ri se para pesë ditëve.

“Herën a kaluar edhe gjatë ditës së diel është kërkuar nga qendrat e mjekësisë familjare që të lëshohet një vërtetim i cili edhe është lëshuar, e në disa vende ka pasur edhe paqartësi, disa i kanë lejuar e disa edhe nuk e kanë lejuar. Këtë herë janë munduar që të jetë informimi pak më i hershëm, por sërish ka sjell telashe të njëjta. Tash po kërkohet që vërtetimi nga QKMF-të të jetë së paku pesë ditë më herët, ndryshe nuk po ju pranohet. Herën e kaluar këto janë pranuar”, ka thënë ajo.

Nga 6 mijë e 225 votues, deri në orën 13:00, sipas saj kanë votuar 1 mijë e 256 qytetarë.


Suharekasit ia mësyjnë më pak kutive të votimit se në zgjedhjet e dhjetorit

Në Suharekë, procesi zgjedhor po zhvillohet pa probleme në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Shkëndija”.

Drejtori dhe përgjegjësi i kësaj qendre, Ilmi Shala, ka deklaruar për gazetaren e Klan Kosovës, Sala Gashi, se procesi po zhvillohet në përputhje me rregullat dhe pa ndonjë parregullsi.

“Procesi sipas rregullave, pa asnjë problem deri në ora 13:00. Të drejtë vote kanë 1.989 votues, ndërsa deri tani kanë votuar 319 votues, vetëm një rast ka qenë me asistencë”, tha ai.

Ai ka shtuar se krahasuar me zgjedhjet e kaluara, vërehet një rënie e lehtë e fluksit të votuesve në këtë qendër.


KQZ u bën thirrje qytetarëve të votojnë me kujdes: Vota juaj ka rëndësi

Kosova po voton sot në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka intensifikuar thirrjet për informimin e qytetarëve lidhur me procesin e votimit.

Përmes një videoje udhëzuese, KQZ ka sqaruar mënyrën e saktë të plotësimit të fletëvotimit, me qëllim që të shmangen gabimet dhe çdo votë të numërohet si e vlefshme.

“Sot votojmë! Shiko videon për të mësuar si të plotësosh saktë fletëvotimin. Voto me kujdes – vota jote ka rëndësi!Shfrytëzo të drejtën tënde”, thuhet në një postim të KQZ-së në Facebook.


Udhëzuesit në gjuhën serbe, qytetari: Nuk votova pa i pasur në gjuhën shqipe 

Në shkollën fillore “Petro Petroviq” të Novobërdës, të gjithë udhëzuesit ishin në gjuhen serbe.

Rasti është paraqitur nga një ankues edhe në Klan Kosova.

Hatip Kryeziu, ka deklaruar se nuk ka hyrë për të votuar pa i parë udhëzuesit në gjuhen shqipe.

“Në ora 12:40 pastaj i kanë sjellë udhëzuesit në gjuhën shqipe. Shkuan dhe i morën në shkollën tjetër dhe i sollën”, shtoi Kryeziu.


Dragash: Shtohet interesimi i qytetarëve për të votuar në orët e pasdites 

Në qendrën më të madhe të votimit në Dragash fluksi i qytetarëve që dëshirojnë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës po rritet gjatë orëve të pasdites.
Menaxheri i shkollës “Ruzhdi Berisha” tha se deri në orën 11:00 nga 2200 qytetarë me të drejtë vote, votuan 150 votues, raporton klankosova.tv.

Ai tha se fluksi i qytetarëve po shtohet gjatë orëve të pasdites.

“Fillimisht në orën 07:00 u hap qendra e votimit 0501 në SHML Ruzhdi Berisha. Kjo qendër numëron 2200 votues, paradite ka qenë një numër i vogël, kurse tani është shtuar fluksi i qytetarëve që po dëshirojnë të ushtrojnë të drejtën e tyre. Deri në orën 11:00 kur kemi raportuar ka qenë diku rreth 150 votues në nivel qendre. Tani po shihet se shtohet numri dhe në orët e mëvonshme do shtohet edhe më shumë. Aktualisht ka qenë 6.6% pjesëmarrja e përgjithshme, mirëpo besojmë që shifrat dhe numrat do të ndryshohen në periudhën e pasdites”, tha ai.


Veç 88 qytetarë i drejtohen kutive të votimit në Smolicë

Në Gjakovë, në qendrën më të vogël të votimit në fshatin Smolicë, në shkollën “Sylejman Vokshi”, është regjistruar një numër i ulët i pjesëmarrjes në zgjedhje.

Siç raporton gazetarja e Klan Kosovës, Diellëza Berisha, deri në orët e pasdites kanë votuar vetëm 88 qytetarë.

Menaxheri i kësaj qendre ka deklaruar se pjesëmarrja deri më tani është më e ulët krahasuar me zgjedhjet e kaluara, por pret që situata të ndryshojë me kalimin e orëve.


DnV: Votimi me asistencë dukshëm më i vogël krahasuar me zgjedhjet paraprake

Demokracia në Veprim ka mbajtur konferencën e dytë lidhur me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në vend.

Eugen Cakolli nga DnV ka deklaruar se deri në mesditë, procesi i votimit në nivel vendi po zhvillohet i qetë dhe pa incidente që do të ndikonin në ecurinë e zgjedhjeve.

“Bazuar në gjetjet e raportimit nga vëzhguesit tanë në terren, deri në mesditë, që nga hapja e vendvotimeve, procesi në nivel vendi është duke rrjedhur qetë dhe po karakterizohet nga një respektim i kënaqshëm i rregullave përkatëse, dhe nuk është raportuar për asnjë incident që do të ndikonte në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor”, tha Cakolli.

Sa i përket pjesëmarrjes, ai bëri të ditur se deri në orën 12:00, dalja në nivel vendi është rreth 12% e votuesve me të drejtë vote.

“Në kuadër të kësaj përqindjeje, vërehet se komunat me shumicë serbe, sidomos ato në veri të vendit, kanë dalje më të lartë që shkon deri në 24%, që është gati dyfishi i mesatares në nivel vendi. Sa i përket rajoneve, Prishtina dhe Ferizaj kanë daljen më të lartë deri tani me mbi 13%, ndërsa Prizreni dhe Gjakova kanë dalje nën 9%”, ka shtuar ai.

Cakolli theksoi se janë evidentuar disa parregullsi teknike dhe procedurale, kryesisht lidhur me paraqitjen e votuesve në qendra të gabuara, por që sipas tij nuk ndikojnë në mbarëvajtjen e përgjithshme të procesit.

“Rajoni i Prizrenit dhe Gjakovës janë rajonet me më shumë parregullsi, ndonëse situata në përgjithësi mbetet e rregullt në nivel vendi”, tha Cakolli.


Sa qytetarë kanë votuar deri në ora 13:00? Përditësohen të dhënat e KQZ-së

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përditësuar të dhënat e pjesëmarrjes në votime për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Sipas të dhënave nga platforma e KQZ-së, deri në ora 13:00 në nivel vendi kanë votuar 15.10% të qytetarëve me të drejtë vote, raporton klankosova.tv.

Nga rreth 2 milionë qytetarë me të drejtë vote, deri tash kanë votuar 296 mijë e 19 qytetarë.


Molliqaj: Sa më shumë qytetarë të votojnë, aq më e madhe është garanca për demokracinë

Kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka bërë thirrje që qytetarët të dalin sa më shumë në votime, duke e cilësuar pjesëmarrjen e lartë si garanci për demokracinë.

“Faleminderit të gjitha mediave që na keni përcjellë pas një fushate kreative dhe intensive. Unë besoj që është jetike që pas debateve dhe fushatës, sa më shumë njerëz të shkojnë te kutitë e votimit, sepse aq më e madhe është garanca për demokraci. Demokracia është çelësi i organizimit shoqëror dhe politik”, tha Molliqaj.


Velekincë: Mbi 2,500 qytetarë me të drejtë vote, deri tani kanë votuar 410 persona

Në qendrën e votimit në shkollën “Mulla Idriz Gjilani” në Velekincë, sipas të dhënave të KQZ-së, mbi 2,500 qytetarë kanë të drejtë vote.
Kryesuesi i qendrës së votimit, Skender Bajrami, tha se procesi ka nisur me kohë dhe po zhvillohet pa probleme.

“Qendra është hapur me kohë. Kjo qendër votimi përmban tri vendvotime”, deklaroi ai.
Sipas Bajramit, deri në momentin e raportimit kanë votuar 410 qytetarë, ndërsa pesë persona kanë votuar me asistencë.


Rasti i Elbert Krasniqit, Policia: S’ka elemente të veprës penale 

Sot, pikërisht në Ditën e Zgjedhjeve, kryetari i Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha, ka publikuar pamje duke thënë se kryetari i IRDK-së dhe ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka ushtruar presion ndaj qytetarëve të komunitetit egjiptian.

Pas këtyre pretendimeve, Krasniqi është intervistuar nga Policia e Pejës në cilësinë e dëshmitarit.

Derisa lidhur me rastin është deklaruar për Klan Kosovën zëdhënësi Fadil Gashi.

“Pas intervistimit është vërtetuar se nuk ka elemente të vepres penale. Do të thotë rasti ka mbetur në shënim zyrtar dhe vazhdon të hetohet”, deklaroi Gashi.

“Nuk ka pasur elemente për çka është denoncuar nga ankuesi. Rasti vazhdon të hetohet”, theksoi ai për Klan Kosovën.


U.d Kryeprokurori i Shtetit viziton dhomën operative për monitorimin e procesit zgjedhor

Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj ka vizituar dhomën operative për monitorimin e procesit zgjedhor.

Ai është pritur nga Koordinatorja Nacionale për Zgjedhje, prokurorja nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, Laura Pula.

Sipas njoftimit, Qalaj ka parë nga afër punën e kësaj dhome, e cila është e angazhuar në mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve gjatë procesit zgjedhor.

Në njoftim thuhet se Qalaj ka falënderuar dhe inkurajuar koordinatoren Pula dhe gjithë stafin e kësaj dhome operative për punën që janë duke e bërë, me qëllim të sigurimit të integritetit të procesit zgjedhor.

“Në dhomën operative për monitorimin e procesit zgjedhor në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, po qëndron edhe një zyrtar nga Misioni për Sundim të Ligjit në Kosovë EULEX, i cili po monitoron rastet penale që mund të ndodhin gjatë ditës, e të cilat ndërlidhen me procesin zgjedhor.”, thuhet në njoftim.


Voton kreu i FFK-së, Ademi: Zgjedhjet sjellin siguri, japin të mira në sport

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, ka votuar në Prishtinë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Ai ka thënë se pret që nga këto zgjedhje të ketë më shumë siguri të shumë fusha.

“Mendoj se këto zgjedhje do të sjellin siguri, siguria e një pushteti institucional jep të mirat e saj edhe në jetën e përditshme, në ekonomi, sport e në të gjitha aspeket”, ka thënë Ademi.

Kreu i FFK-së ka komentuar edhe humbjen tragjike të jetës të futbollistit, Fatjon Bunjaku.

Ai ka thënë se Bunjaku ka qenë edhe futbollist i kombëtares dhe humbja e jetës në moshë kaq të re, është humbje për sportin, kombëtaren dhe Kosovën në përgjithësi.

Ndërkohë, Ademi ka komentuar edhe ndeshjen e sotme të Kombëtares së Kosovës, që do ta zhvillojë me Andorrën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Aio ka thënë se pret rezultat pozitiv.

“Kjo është lojë kontrolluese. Kemi futbollistë të ri që Foda i ka ftuar, të shohim se si do të përferojnë dhe se si do të inkorporohen në kombëtare. Presim rezultat pozitiv”, ka thënë Ademi.


Paraqitet në polici Elbert Krasniqi pas denoncimit për ndikim në procesin zgjedhor

Në ditën e sotme të zgjedhjeve, kryetari i Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha, ka publikuar pamje duke thënë se kryetari i IRDK-së dhe ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka ushtruar presion ndaj qytetarëve të komunitetit egjiptian.

Pas këtyre pretendimeve, Krasniqi është shoqëruar në Policinë e Pejës.

Koordinatorja për procesin zgjedhor, prokurorja Laura Pula, ka konfirmuar për Klan Kosovën se rasti është duke u hetuar.

“Veton Berisha është duke u intervistuar në Policinë Rajonale të Pejës për rastin që e ka raportuar, ushtrim ndikimi. Në intervistim ka deklaruar se ‘e kemi parë Elbert Krasniqin duke ardhur me përcjellje dhe kemi menduar se mund të ketë ndikim’, proces ky i cili mbetet të vërtetohet pas intervistimit të Elbertit”, tha Pula.


Mungesa e punëtorëve teknik në shkollën e Lipjanit, drejtori shpreh shqetësim për procesin mësimor

Në shkollën “Ismail Luma” në Lipjan drejtori i shkollës, Driton Sadiku ka ngritur shqetësim për mos përfshirjen e punëtorëve teknik në procesin zgjedhor për mirëmbajtjen e këtij objekti.

Ai tha se rrjedha e votimeve po shkon mirë, në përjashtim të këtij fakti, raporton klankosova.tv.

“Është qendra më e madhe në komunën e Lipjanit me mbi 9 mijë votues. Përgatitjet teknike janë kryer me kohë, gjithsej 10 vendvotime janë në këtë shkollë. Në përgjithësi rrjedha është duke shkuar mirë, në përjashtim që si menaxher i qendrës jam i vetmi person i ngarkum nga KQZ për procesin e mbarëvajtjes së këtyre zgjedhjeve duke përjashtuar këtë herë punëtorët teknik që nuk janë përfshirë fare në manxhimin apo mirëmbajtjen e pjesës”.

Sadiku shprehu shqetësimin duke thënë se nuk e di nëse do të arrihet të përgatitet objekti shkollor për procesin e nesërm mësimor në mungesë të punëtorëve teknik.

“Ky është shqetësimi im, kjo qendër është një shkollë dhe duke pasur parasysh që nuk kemi asnjë punëtorë teknik dhe pjesa që rëndohet e higjenës dhe mbeturinave që mbesin pas përfundimit të zgjedhjeve, shqetësimi më i madh është që do të fillojë nesër procesi mësimor a do të arrijmë me përgatit duke ditur që nga herët e kaluara deri në orët e vona të natës jemi marrur me përgatitjen e shkollës”, tha ai.


Tension në Shtime: Arrestohet i moshuari, shkak votimi për gruan me probleme me shikim

Një person i moshuar është arrestuar në Shtime pasi dyshohet se ka shkaktuar telashe në një qendër votimi lidhur me kërkesën për të votuar në emër të bashkëshortes së tij.

Sipas informacioneve fillestare, bashkëshortja e tij kishte probleme me shikimin, ndërsa rasti lidhet me procedurat për votimin me asistencë.

Klankosova.tv do të iu mbajë të informuar lidhur me rastin.


83-vjeçari: Ne po votojmë, por s’po kemi hajër prej tyre

Ekipi i Klan Kosovës e ka përcjellur nga afër votimin e 83 vjeçarit Ali Hasanmetaj, në Strellc të Deçanit.

Hasanmetaj votoi në shtëpinë e tij ku u vizitua nga ekipet mobile.

Ai iu bëri thirrje qytetarëve të dalin e ta shfrytëzojnë të drejtën e votës.

Por, pati edhe kritika nga ana e tij.

“Pasha Zotin, ne po votojmë, por s’po ka hajër prej tyre. Pasha Zotin kur po ulen në karrige populli po mbetet prapë ashtu. A po e sheh? Që 3-4 here ton këto pare që kanë shku. Ma mirë do të ishte me miratu diçka ose me ia dhënë popullit”, deklaroi 83-vjeçari për Klan Kosovën.


I moshuari që u arrestua në Shtime shqeu fletëvotimin kur iu ndalua të votojë për bashkëshorten

Menaxherja e qendrës së votimit, Floreta Abazi Gashi, ka bërë të ditur se rreth orës 11:20, në një vendvotim në Shtime, një person i moshuar ka insistuar që të ushtrojë të drejtën e votës edhe për bashkëshorten e tij.

Sipas saj, kryesuesi i vendvotimit ka kërkuar që të ndiqen procedurat dhe të paraqitet dokumentacioni i nevojshëm për votim me asistencë. Pas kësaj, ka pasur reagime nga qytetari, ndërsa është njoftuar Policia e Kosovës.

“Komunikimi ishte me ton të lartë. Shqetësimi ka ndodhur pasi ai ka marrë fletëvotimin dhe e ka shfrytëzuar rastin për ta dëmtuar atë, pa e ushtruar të drejtën e tij të votës”, ka deklaruar Abazi Gashi.


Në ditën e zgjedhjeve, Policia sekuestron arsenal armësh në Zubin Potok

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë ditës së zgjedhjeve ka zbuluar dhe sekuestruar armë dhe municion në një shtëpi të pabanuar në fshatin Mala Jabuka, në komunën e Zubin Potokut.

Sipas njoftimit në Facebook, njësitë policore kanë vepruar pas pranimit të informatës se në atë lokacion mund të gjendeshin armë, ku më pas gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar një armë AK-47, dy karikatorë të zbrazët, 422 fishekë të kalibrit 7.62 mm, 13 fishekë të kalibrit të panjohur, një fishek 9×19 mm, dy granata-hedhës (tromblon) si dhe një uniformë ushtarake me emblemë serbe.

Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e procedurës për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

“Lidhur me këtë rast, nuk ka persona të arrestuar, ndërsa rasti mbetet nën hetime. Policia e Kosovës falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe i fton ata që çdo informacion që ndihmon në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike ta raportojnë tek Policia në numrin 192”, thotë PK.

LIVE| Sot përcaktohet drejtimi – mbi 160 mijë qytetarë votuan deri më tash

lajme të ngjashme