LIVE: I hiqet imuniteti Sali Berishës – Basha pro arrestimit të tij NULL NULL 21.12.2023 10:18 21.12.2023 10:18 14:14 – Meta: Vendimi për Berishën është antikushtetues, u shkelën të drejtat e deputetit Ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, e ka quajtur vendim antikushtetues votimin e sotëm në Parlamentin e Shqipërisë, që zhvesh nga imuniteti ish-kryeministrin Sali Berisha dhe i hap rrugë SPAK-ut për arrestimine e tij. “Votimit i sotëm shënon përshkallëzim të përpjekjeve për asgjesimine opozitës vendim antikushteues që kërkon të ktheje kohën e partisë shtet. Njëkohësisht është pjesë e një programi për eleminimin e opozitës reale, dhe instalimin e një opozite fasadë që i bën fresk këtij regjimi,” u shpreh Meta në një konferencë për mediat. Ndonëse nuk u pa të marrë pjesë në protestat e thirrura nga Sali Berisha, Ilir Meta thotë se mbështet çdo protestë dhe nismë që ngjall opozitarizmin në vend. “Kanë qenë do të jenë edhe sipas rastit edhe unë do të jem përkrahim cdo protestë jo në mbrojtje të Berishës, por në mbrojtje të parlamentarizmit demokracisë, pluralizmit. Kërkesat e opozitës janë domosdoshmëri për rivendosjen e normalitetit në vend. Dhe cdo nismë që synon gjallërimin e opozitës në vend. Kushtojini vëmendje buxhetit, miratohet një herë në vit, por efeket janë për një vit të gjithë”, tha Meta ndërsa theksoi se ‘distanimi’ nga Berisha nuk vjen për shkak të SPAK./abcnews.al/ 13:41 – Kuvendi i dërgon SPAK-ut vendimin për autorizimin e arrestimit të Berishës Pak orë pasi Parlamenti i Shqipërisë miratoi me 75 vota pro autorizimin e SPAK për arrestimin e deputetit Sali Berisha, i ka dërguar Prokurorisë së Posaçme vendimin që njofton zyrtarisht heqjen e imunitetit të ish-kryeministrit. “Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Bashkëlidhur ju dërgojmë: Vendim nr. 127/2023 “Për kërkesën e Prokurorise sẽ Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Tiranë, për dhënien e autorizimit për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit Sali Berisha, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit. Gjithashtu, bashkëlidhur ju dërgojmë edhe raportin rekomandues të deputetëve të shumicës parlamentare, anëtare të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, dhe raportin rekomandues të deputetit Enkelejd Alibeaj, anëtar i Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin. Duke ju falenderuar për bashkëpunimin”- thuhet në dokument. “Për kërkesën e prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, për dhënien e autorizimit për arrestimin/ heqjen e lirisë së deputetit Sali Berisha nëpërmjet masës së sigurimit. Në mbështetje të nenit 73, pika 2, të Kushtetutës, nenit 288 të Kodit të Procedures Penale dhe neneve 118, pikat 4 dhe 5, e 55 të rregullores së Kuvendit, me rekomandim të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë vendosi: 1. Pranimin e kërkesës sẽ Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës sẽ Shqipërisë për arrestimin/heqjen e lirise së deputetit Sali Berisha, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit. 2. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”,– thuhet në vendimin që mbanë firmën e kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla. Tashmë SPAK ka të gjitha mjetet e nevojshme për të proceduar me arrestimin/ heqjen e lirisë së deputetit Sali Berisha nëpërmjet masës së sigurimit. Çfarë mund të ndodhë pas së enjtes? Një zyrë-shtëpi ose shtëpi-zyrë, këto janë dy skenarët e Sali Berishës për të sfiduar edhe njëherë masën e pritshme të arrestit shtëpiak që mund të vendosë SPAK. Kështu, ai mund të ‘burgoset’ në selinë e Partisë Demokratike. Ish-kryeministri ka hedhur në tavolinë me të besuarit e tij disa ide se si do të përballet me drejtësinë, në lidhje me çështjen “Partizani” që është i dyshuar për korrupsion pasiv. Top Channel ka mësuar nga burime konfidenciale zyrtare se një nga qasjet e Berishës që po diskutohet është shndërrimi i zyrës së tij në selinë blu në një dhomë izolimi ku do të vuajë dënimin. Zyra e punës së Berishës mund të ndryshojë me rendimin e masës së gjykatësve. Në rast të dakordësisë mes Berishës dhe mbështetësve për këtë ide, në zyrë do të duhet të shtohen mobiljet. Nuk do të ketë vetëm një tavolinë me dosje e karrige si dhe një divan pritës, por duhen krijuar hapësira për krevatin e gjumit të Berishës. Ky shihet si një opsion i mirë nga Rithemelimi me dhënien e adresës së selisë si vendqëndrim, përderisa edhe OPGJ-t e patën të vështirë të gjenin një banesë fikse në pronësi të Berishës për t’i komunikuar masën e kufizimit të lirisë. Një variant tjetër mendohet të jetë kthimi i shtëpisë së familjarëve ku ai jeton, në një zyrë. Vetë Berisha ka paralajmëruar se cilido qoftë vendimi i SPAK-ut, ai nuk do të heqë dorë nga drejtimi i Partisë Demokratike. Ashtu siç ka refuzuar paraqitjen në seancat gjyqësore kundër tij, Berisha mund të mo spranojë zbatimin e dënimit dhe të ashpërsohet masa në arrest me burg, pavarësisht kalimit të moshës 70 vjeç. Por edhe pse këto nuk janë ditët më të mira për Berishën, ai nuk ngurron që të premten kur pritet të shpallet edhe arrestimi i tij, të ftojë gazetarët një një takim festiv për fundvit në zyrën e tij./tch/ 12:19 – Basha pro arrestimit të Berishës Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka reaguar pasi Parlamenti i dha autorizim SPAK-ut për arrestimin e deputetit Sali Berisha. “Deputetët e PD-së mbeten të vendosur në mbështetjen e SPAK-ut dhe heqjen e imunitetit të çdo personi që është kërkuar nga drejtësia. Ky është standard i vendosur dhe do të ndiqet gjithmonë nga PD dhe deputetët e saj. Mosfunksionimi normal i seancave parlamentare pamundësoi sot pjesëmarrjen dhe votimin e grupit parlamentar të PD pro heqjes së imunitetit për deputetin Sali Berisha”. “Deputetët e PD-së nuk do të bëhen kurrë pjesë e skenarëve të përgatitura nga Edi Rama dhe Sali Berisha për t’i përdorur si argument për t’i ikur drejtësisë. Ata bënë gjithçka për të bllokuar dhe defunksionalizuar drejtësinë por nuk ia dolën”, tha Basha mes tjerash, raporton Tch. “PD është e vendosur në mbështetjen ndaj SPAK-ut dhe hetimeve të thella, të drejta dhe të paanshme për të gjithë ata qeveritarë apo ish-qeveritarë që kanë shpërdoruar besimin e shqiptarëve dhe përvetësuar pasuritë e tyre. Çdo lloj aleance e dukshme e kullave, apo e padukshme për t’i bërë bisht drejtësisë nuk do mund ta mbajë peng PD-në dhe misionin e saj për t’i dhënë shqiptarëve normalitetin, sigurinë dhe mirëqenien që meritojnë”, thuhet në deklaratën e Lulzim Bashës. /Klankosova.tv 10:33 – Pas votimit për heqjen e imunitetit, deklarohet Sali Berisha Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka folur nga ambientet jashtë sallës së Parlamentit për mediat, pasi me 75 vota pro, socialistët i hoqën këtë të enjte imunitetin duke i hapur rrugë arrestimit të tij nga Prokuroria e Posaçme. Votimin në Kuvend, Berisha e cilësoi si antikushtetues dhe premtoi një qëndresë historike përballë atij që ai e konsideron një plan të mazhorancës së majtë për të shuar Partinë Demokratike dhe opozitën në vend. “Sot narkoparlamenti në një akt antikushtetues, antidemokratik votoi në kundërshtim me çdo procedurë kushtetuese, në kundërshtim me çdo procedurë ligjore për heqjen e imunitetit dhe arrestimin tim. Parlamenti sot vazhdoi veprën që tentoi më datën 9 shtator dy vite më parë. Nëse dështoi më 9 shtator ju garantoj se sot do të jetë më i dështuar se kurrë, se ky vendim jo që nuk do mund të realizojë shkatërrimin e opozitës, por ky vendim do të mobilizojë opozitën në shkallën më të lartë dhe nën moton ‘O sot o kurrë’ do t’i japë përgjigjen më të merituar kësaj qeverie. Sot Parlamenti përfundoi në Parlamentin e vrimës së miut. Edi Rama u fut sot në parlament jo nga duart zyrtare por nga tunelet që lidhin Parlamentin me zyrën e Skënder Gjinushit. Beteja e nisur vijon fuqishëm si kurrë më parë dhe ju garantoj se kjo opozitë do të qëndroj e pamposhtur në ruajtjen e idealeve demokratike të saj”, tha Berisha. 10:25 – Kuvendi i Shqipërisë i heq imunitetin Sali Berishës – i hapet rruga arrestimit të tij Sali Berisha do të përballet me drejtësinë pa imunitetin e deputetit. Në më pak se 8 minuta, pa asnjë surprizë, me 75 votat e mazhorancës, Kuvendi i Shqipërisë miratoi heqjen e imunitetit të ish-kryeministrit, pas kërkesës së Strukturës së Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar (SPAK) për ashpërsim të masës së sigurisë ndaj tij, nga detyrim paraqitje në “Arrest me burg/shtëpie”, me akuzën për korrupsion pasiv. Ashtu siç e parashikonte rregullorja, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla i dha fjalën Sali Berishës, por ky i fundit refuzoi. Ai kërkoi që të hiqej garda e Republikës nga Foltorja, mirëpo një kërkesë e tillë nuk u mor parasysh, e për pasojë ish-kryeministri zgjodhi të heshtë, raporton A2CNN. As protesta jashtë parlamentit dhe as kaosi i në seancën plenare, skenar i parë edhe në të kaluarën nga opozita, me karrige pirg në Foltore dhe flakadanë blu, nuk e ndalën mazhorancën që me fuqinë e kartonit t’i hiqnin imunitetin kryetarit të opozitës. Tashmë, pas këtij vendimi të Kuvendit, SPAK ka rrugë të lirë për t’i bërë kërkesë Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për llojin e masës së sigurisë, nëse do të jetë arrest shtëpie apo arrest me burg. Berisha akuzohet se ka kryer veprime konkrete, si kryeministër, me miratime ligjesh dhe aktesh nënligjore, nga të cilat përfitoi dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi përmes privatizimit të pronës shtetërore- kompleksi sportiv Partizani. Përgjatë gjithë retorikës së tij, ish-kryeministri ka mohuar akuzat, duke i cilësuar si politike. Shqipëri: Protestë para Kuvendit ku pritet të merret vendimi për arrestimin e Sali Berishës Kreu i qeverisë Edi Rama ka mbërritur në Kuvend për të marrë pjesë në seancën e fundit plenare për këtë sesion. Mësohet se ai ka shkuar në këmbë në Kuvend ndërsa është futur nga hyrja anësore e Kuvendit për të mos pasur përplasje me protestuesit të cilët janë mbledhur në mbështetje të Sali Berishës. Deputetët e Partisë Socialiste kanë mbërritur 1 orë e 30 minuta më herët në ambientet e parlamentit, ku në orën 10:00 pritet të mbahet seanca plenare, për dhënien e autorizimit për arrestimin e ish-kryeministrit Sali Berisha, raporton “Euronews Albania”. Socialistët mbërritën më herët se zakonisht në parlament, për të parandaluar skenarin e seancës së kaluar, ku deputetët e PD bllokuan hyrjet e parlamentit dhe nuk lejuan futjen e tyre në sallë. Pas deputetëve socialistë kanë mbërritur në sallë kolegët e opozitës, ku të përjashtuarit u përplasën me gardën, e cila nuk i lejoi të hynin në sallë. Me të mbërritur në sallë, deputetët e opozitës bllokuan foltoren me karrige dhe u përplasën me gardën, e cila tentoi t’i ndalonte. Sakaq në ambientet e jashtme të Kuvendit ka nisur grumbullimi i simpatizantëve të ish-kryeministrit Berisha, të cilët me pankarta ku shkruhet “O sot, o kurrë”, kundërshtojnë vendimin për ish-kryeministrin. Pasi Gjykata Kushtetuese nuk mori në shqyrtim padinë e deputetëve të Rithemelimit, tashmë Kuvendi e ka rrugën e hapur për t’i hequr mandatin e deputetit Berishës dhe për të ashpërsuar masën e sigurisë. Më pas do të jetë Prokuroria e Posaçme që do të vendosë se çfarë mase shtrënguese do të kërkohet për Berishën, ‘arrest në shtëpi’ apo ‘arrest në burg’, i cili është nën hetim për aferën ‘Partizani’. Nuk priten shumë surpriza, pasi socialistët do të votojnë pro kërkesës së SPAK. Po ashtu edhe Partia Demokratike ka deklaruar hapur votën pro kërkesës së SPAK për arrestimin e Berishës, ndërsa Enkelejd Alibeaj ishte i pranishëm edhe në mbledhjen e Këshillit të Mandateve. PS dhe Enkelejd Alibeaj dorëzuan dy raporte në Kuvend për imunitetin e Berishës. Alibeaj tha se vota për imunitetin do t’i japë mundësi Berishës të pastrojë figurën e tij nga akuzat për korrupsion.