LIVE| Kosova voton: Pjesa e parë e ditës me 165 mijë votues, pleqtë me më së shumti telashe NULL NULL 07.06.2026 12:15 07.06.2026 12:15 Vota për Kosovën! Qytetarët e Kosovës i janë drejtuar sot, më 7 qershor, kutive të votimit për zgjedhjet e nivelit nacional, duke shënuar procesin e tretë zgjedhor parlamentar brenda një periudhe prej 16 muajsh. Pas zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit 2025 dhe zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit 2025, vendi organizon sërish zgjedhje për Kuvendin e Kosovës. Ky proces vjen pas dështimit për të arritur konsensusin e nevojshëm për zgjedhjen e presidentit të vendit. Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), këto janë zgjedhjet e 11-ta në nivel nacional që nga përfundimi i luftës në Kosovë. Të drejtën e votës në këto zgjedhje e kanë 2.092.174 qytetarë, përfshirë diasporën ose 15.884 më shumë krahasuar me zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025. Votimi brenda Kosovës organizohet në 949 qendra votimi me 2.550 vendvotime. DnV: Votimi me asistencë dukshëm më i vogël krahasuar me zgjedhjet paraprake Demokracia në Veprim ka mbajtur konferencën e dytë lidhur me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në vend. Eugen Cakolli nga DnV ka deklaruar se deri në mesditë, procesi i votimit në nivel vendi po zhvillohet i qetë dhe pa incidente që do të ndikonin në ecurinë e zgjedhjeve. “Bazuar në gjetjet e raportimit nga vëzhguesit tanë në terren, deri në mesditë, që nga hapja e vendvotimeve, procesi në nivel vendi është duke rrjedhur qetë dhe po karakterizohet nga një respektim i kënaqshëm i rregullave përkatëse, dhe nuk është raportuar për asnjë incident që do të ndikonte në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor”, tha Cakolli. Sa i përket pjesëmarrjes, ai bëri të ditur se deri në orën 12:00, dalja në nivel vendi është rreth 12% e votuesve me të drejtë vote. “Në kuadër të kësaj përqindjeje, vërehet se komunat me shumicë serbe, sidomos ato në veri të vendit, kanë dalje më të lartë që shkon deri në 24%, që është gati dyfishi i mesatares në nivel vendi. Sa i përket rajoneve, Prishtina dhe Ferizaj kanë daljen më të lartë deri tani me mbi 13%, ndërsa Prizreni dhe Gjakova kanë dalje nën 9%”, ka shtuar ai. Cakolli theksoi se janë evidentuar disa parregullsi teknike dhe procedurale, kryesisht lidhur me paraqitjen e votuesve në qendra të gabuara, por që sipas tij nuk ndikojnë në mbarëvajtjen e përgjithshme të procesit. “Rajoni i Prizrenit dhe Gjakovës janë rajonet me më shumë parregullsi, ndonëse situata në përgjithësi mbetet e rregullt në nivel vendi”, tha Cakolli. Sa qytetarë kanë votuar deri në ora 13:00? Përditësohen të dhënat e KQZ-së Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përditësuar të dhënat e pjesëmarrjes në votime për zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Sipas të dhënave nga platforma e KQZ-së, deri në ora 13:00 në nivel vendi kanë votuar 15.10% të qytetarëve me të drejtë vote, raporton klankosova.tv. Nga rreth 2 milionë qytetarë me të drejtë vote, deri tash kanë votuar 296 mijë e 19 qytetarë. Molliqaj: Sa më shumë qytetarë të votojnë, aq më e madhe është garanca për demokracinë Kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka bërë thirrje që qytetarët të dalin sa më shumë në votime, duke e cilësuar pjesëmarrjen e lartë si garanci për demokracinë. “Faleminderit të gjitha mediave që na keni përcjellë pas një fushate kreative dhe intensive. Unë besoj që është jetike që pas debateve dhe fushatës, sa më shumë njerëz të shkojnë te kutitë e votimit, sepse aq më e madhe është garanca për demokraci. Demokracia është çelësi i organizimit shoqëror dhe politik”, tha Molliqaj. Velekincë: Mbi 2,500 qytetarë me të drejtë vote, deri tani kanë votuar 410 persona Në qendrën e votimit në shkollën “Mulla Idriz Gjilani” në Velekincë, sipas të dhënave të KQZ-së, mbi 2,500 qytetarë kanë të drejtë vote. Kryesuesi i qendrës së votimit, Skender Bajrami, tha se procesi ka nisur me kohë dhe po zhvillohet pa probleme. “Qendra është hapur me kohë. Kjo qendër votimi përmban tri vendvotime”, deklaroi ai. Sipas Bajramit, deri në momentin e raportimit kanë votuar 410 qytetarë, ndërsa pesë persona kanë votuar me asistencë. Rasti i Elbert Krasniqit, Policia: S’ka elemente të veprës penale Sot, pikërisht në Ditën e Zgjedhjeve, kryetari i Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha, ka publikuar pamje duke thënë se kryetari i IRDK-së dhe ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka ushtruar presion ndaj qytetarëve të komunitetit egjiptian. Pas këtyre pretendimeve, Krasniqi është intervistuar nga Policia e Pejës në cilësinë e dëshmitarit. Derisa lidhur me rastin është deklaruar për Klan Kosovën zëdhënësi Fadil Gashi. “Pas intervistimit është vërtetuar se nuk ka elemente të vepres penale. Do të thotë rasti ka mbetur në shënim zyrtar dhe vazhdon të hetohet”, deklaroi Gashi. “Nuk ka pasur elemente për çka është denoncuar nga ankuesi. Rasti vazhdon të hetohet”, theksoi ai për Klan Kosovën. U.d Kryeprokurori i Shtetit viziton dhomën operative për monitorimin e procesit zgjedhor Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj ka vizituar dhomën operative për monitorimin e procesit zgjedhor. Ai është pritur nga Koordinatorja Nacionale për Zgjedhje, prokurorja nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, Laura Pula. Sipas njoftimit, Qalaj ka parë nga afër punën e kësaj dhome, e cila është e angazhuar në mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve gjatë procesit zgjedhor. Në njoftim thuhet se Qalaj ka falënderuar dhe inkurajuar koordinatoren Pula dhe gjithë stafin e kësaj dhome operative për punën që janë duke e bërë, me qëllim të sigurimit të integritetit të procesit zgjedhor. “Në dhomën operative për monitorimin e procesit zgjedhor në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, po qëndron edhe një zyrtar nga Misioni për Sundim të Ligjit në Kosovë EULEX, i cili po monitoron rastet penale që mund të ndodhin gjatë ditës, e të cilat ndërlidhen me procesin zgjedhor.”, thuhet në njoftim. Voton kreu i FFK-së, Ademi: Zgjedhjet sjellin siguri, japin të mira në sport Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, ka votuar në Prishtinë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Ai ka thënë se pret që nga këto zgjedhje të ketë më shumë siguri të shumë fusha. “Mendoj se këto zgjedhje do të sjellin siguri, siguria e një pushteti institucional jep të mirat e saj edhe në jetën e përditshme, në ekonomi, sport e në të gjitha aspeket”, ka thënë Ademi. Kreu i FFK-së ka komentuar edhe humbjen tragjike të jetës të futbollistit, Fatjon Bunjaku. Ai ka thënë se Bunjaku ka qenë edhe futbollist i kombëtares dhe humbja e jetës në moshë kaq të re, është humbje për sportin, kombëtaren dhe Kosovën në përgjithësi. Ndërkohë, Ademi ka komentuar edhe ndeshjen e sotme të Kombëtares së Kosovës, që do ta zhvillojë me Andorrën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Aio ka thënë se pret rezultat pozitiv. “Kjo është lojë kontrolluese. Kemi futbollistë të ri që Foda i ka ftuar, të shohim se si do të përferojnë dhe se si do të inkorporohen në kombëtare. Presim rezultat pozitiv”, ka thënë Ademi. Paraqitet në polici Elbert Krasniqi pas denoncimit për ndikim në procesin zgjedhor Në ditën e sotme të zgjedhjeve, kryetari i Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha, ka publikuar pamje duke thënë se kryetari i IRDK-së dhe ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka ushtruar presion ndaj qytetarëve të komunitetit egjiptian. Pas këtyre pretendimeve, Krasniqi është shoqëruar në Policinë e Pejës. Koordinatorja për procesin zgjedhor, prokurorja Laura Pula, ka konfirmuar për Klan Kosovën se rasti është duke u hetuar. “Veton Berisha është duke u intervistuar në Policinë Rajonale të Pejës për rastin që e ka raportuar, ushtrim ndikimi. Në intervistim ka deklaruar se ‘e kemi parë Elbert Krasniqin duke ardhur me përcjellje dhe kemi menduar se mund të ketë ndikim’, proces ky i cili mbetet të vërtetohet pas intervistimit të Elbertit”, tha Pula. Mungesa e punëtorëve teknik në shkollën e Lipjanit, drejtori shpreh shqetësim për procesin mësimor Në shkollën “Ismail Luma” në Lipjan drejtori i shkollës, Driton Sadiku ka ngritur shqetësim për mos përfshirjen e punëtorëve teknik në procesin zgjedhor për mirëmbajtjen e këtij objekti. Ai tha se rrjedha e votimeve po shkon mirë, në përjashtim të këtij fakti, raporton klankosova.tv. “Është qendra më e madhe në komunën e Lipjanit me mbi 9 mijë votues. Përgatitjet teknike janë kryer me kohë, gjithsej 10 vendvotime janë në këtë shkollë. Në përgjithësi rrjedha është duke shkuar mirë, në përjashtim që si menaxher i qendrës jam i vetmi person i ngarkum nga KQZ për procesin e mbarëvajtjes së këtyre zgjedhjeve duke përjashtuar këtë herë punëtorët teknik që nuk janë përfshirë fare në manxhimin apo mirëmbajtjen e pjesës”. Sadiku shprehu shqetësimin duke thënë se nuk e di nëse do të arrihet të përgatitet objekti shkollor për procesin e nesërm mësimor në mungesë të punëtorëve teknik. “Ky është shqetësimi im, kjo qendër është një shkollë dhe duke pasur parasysh që nuk kemi asnjë punëtorë teknik dhe pjesa që rëndohet e higjenës dhe mbeturinave që mbesin pas përfundimit të zgjedhjeve, shqetësimi më i madh është që do të fillojë nesër procesi mësimor a do të arrijmë me përgatit duke ditur që nga herët e kaluara deri në orët e vona të natës jemi marrur me përgatitjen e shkollës”, tha ai. Tension në Shtime: Arrestohet i moshuari, shkak votimi për gruan me probleme me shikim Një person i moshuar është arrestuar në Shtime pasi dyshohet se ka shkaktuar telashe në një qendër votimi lidhur me kërkesën për të votuar në emër të bashkëshortes së tij. Sipas informacioneve fillestare, bashkëshortja e tij kishte probleme me shikimin, ndërsa rasti lidhet me procedurat për votimin me asistencë. Klankosova.tv do të iu mbajë të informuar lidhur me rastin. 83-vjeçari: Ne po votojmë, por s’po kemi hajër prej tyre Ekipi i Klan Kosovës e ka përcjellur nga afër votimin e 83 vjeçarit Ali Hasanmetaj, në Strellc të Deçanit. Hasanmetaj votoi në shtëpinë e tij ku u vizitua nga ekipet mobile. Ai iu bëri thirrje qytetarëve të dalin e ta shfrytëzojnë të drejtën e votës. Por, pati edhe kritika nga ana e tij. “Pasha Zotin, ne po votojmë, por s’po ka hajër prej tyre. Pasha Zotin kur po ulen në karrige populli po mbetet prapë ashtu. A po e sheh? Që 3-4 here ton këto pare që kanë shku. Ma mirë do të ishte me miratu diçka ose me ia dhënë popullit”, deklaroi 83-vjeçari për Klan Kosovën. I moshuari që u arrestua në Shtime shqeu fletëvotimin kur iu ndalua të votojë për bashkëshorten Menaxherja e qendrës së votimit, Floreta Abazi Gashi, ka bërë të ditur se rreth orës 11:20, në një vendvotim në Shtime, një person i moshuar ka insistuar që të ushtrojë të drejtën e votës edhe për bashkëshorten e tij. Sipas saj, kryesuesi i vendvotimit ka kërkuar që të ndiqen procedurat dhe të paraqitet dokumentacioni i nevojshëm për votim me asistencë. Pas kësaj, ka pasur reagime nga qytetari, ndërsa është njoftuar Policia e Kosovës. “Komunikimi ishte me ton të lartë. Shqetësimi ka ndodhur pasi ai ka marrë fletëvotimin dhe e ka shfrytëzuar rastin për ta dëmtuar atë, pa e ushtruar të drejtën e tij të votës”, ka deklaruar Abazi Gashi. Në ditën e zgjedhjeve, Policia sekuestron arsenal armësh në Zubin Potok Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë ditës së zgjedhjeve ka zbuluar dhe sekuestruar armë dhe municion në një shtëpi të pabanuar në fshatin Mala Jabuka, në komunën e Zubin Potokut. Sipas njoftimit në Facebook, njësitë policore kanë vepruar pas pranimit të informatës se në atë lokacion mund të gjendeshin armë, ku më pas gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar një armë AK-47, dy karikatorë të zbrazët, 422 fishekë të kalibrit 7.62 mm, 13 fishekë të kalibrit të panjohur, një fishek 9×19 mm, dy granata-hedhës (tromblon) si dhe një uniformë ushtarake me emblemë serbe. Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e procedurës për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. “Lidhur me këtë rast, nuk ka persona të arrestuar, ndërsa rasti mbetet nën hetime. Policia e Kosovës falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe i fton ata që çdo informacion që ndihmon në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike ta raportojnë tek Policia në numrin 192”, thotë PK. LIVE| Sot përcaktohet drejtimi – mbi 160 mijë qytetarë votuan deri më tash