Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Libri i parë artistik shqiptar për Nënë Terezën

NULL NULL
06.03.2016 15:19

Bota ka shkruar e shkruan shumë për Nënë Terezën, këtë personalitet të famshëm të humanizmit bashkëkohor, por libri i parë artistik për të është romani “Qerrja e dritës” i shkrimtarit të njohur Ibrahim Kadriu nga Karadaku, që jeton në Prishtinë.

Ky roman është botuar dy herë në Prishtinë e dy herë në Tiranë dhe është pritur me konsideratë nga lexuesit dhe mendimi kritik.

Me përvojën e pasur si shkrimtar e publicist Ibrahim Kadriu ka mundur të krijojë librin “Qerraja e dritës” si një biografi të letrarizuar, që më saktësisht duhet të quhet roman biografik, sepse në strukturën e librit gjejmë të gërshetuara mjeshtërisht elemente romaneske, po që në asnjë rast nuk e cenojnë vërtetësinë e fakteve e të dhënave të tjera historike që hedhin dritë mbi biografinë e Nënë Terezës, vajzës shqiptare Gonxhe Bojaxhiu që u bë nëna e botës, “se ajo gjithnjë vazhdon të shërojë dhembjet kudo në botë”.

Autori, me pikësynim të caktuar i ka kushtuar vëmendje të veçantë familjes së Gonxhes, marrëdhënieve të prindërve të saj me bashkëqytetarët, fisnikërinë e altruizmin e të atit Kolë Bojaxhiut e të ëmës, Dranes. Krahas theksimit të kësaj tradite familjare, në libër pasqyrohen edhe idetë atdhetare të kësaj familjeje, të cilat e ndjekin Gonxhen pas në rrugëtimet e shumta nëpër botë në formën e mallit e dashurisë për njerëzit e saj dhe qytetin e vendlindjes, po sidomos me krenarinë e të qenit shqiptare. Autori lë të kuptohet se janë pikërisht atdhedashuria e qëndrimet burrërore të Kolës që çuan në vdekjen e tij tragjike.

Historia e Kosovës dhe e viseve të tjera shqiptare në ish-Jugosllavi flet për shumë e shumë vrasje të pabesa me helm, tortura e plumb të personaliteteve shqiptare, që në një mënyrë ose një tjetër kanë kundërshtuar politikën shkombëtarizuese të shovinistëve serbë. Në libër vend qendror zënë (dhe kjo është e kuptueshme për një vepër biografike) njerëzit e familjes së Gonxhes, po njëkohësisht hyn e dalin edhe personazhe të tjera sa të rëndësishëm, aq dhe të zakonshëm, po gjithsesi këta janë në funksion të sfondit historik, po dhe që kanë luajtur rol në ecurinë e ngjarjeve të familjes Bojaxhiu e të Nënë Terezës. Duke i mëshuar idesë së edukimit familjar që ka kushtëzuar e përcaktuar botëkuptimin e botëndijimin e mëvonshëm të bamirëses sonë, autori ka përtërirë si ritual didaktik në kujtesë të Gonxhes këshillat e nënë Dranes.

Kjo moto nuk është një lloj asketizmi shterp, po kulm humaniteti e moraliteti, që ajo e zbatoi tërë jetën e vet të mbushur me një veprimtari, që s’e njihte lodhjen, pushimin, tërheqjen. Dashuria e pashuar për vendin e vet, krenaria e trashëguar nga fisi i vet që e bën të mos i frikësohej vuajtjeve e vdekjes, trimëria për t’i dalë në mbrojtje çdo të pambrojturi dhe për të kapërcyer çdo pengesë në rrugën e saj drejt njeriut, janë pasqyra që reflektojnë karakterin legjendar të nobelistes sonë. Pikërisht në këtë drejtim është dalluar edhe pena e Ibrahim Kadriut si shkrimtar. Për të thyer monotoninë e rrëfimit kronologjik, autori ka ndërkallur në libër edhe rrëfime me karakter psikologjik e lirik të personazheve të ndryshëm, po dhe përsiatje me nuanca filozofike për raportet ekzistenciale të njeriut me luftërat e pushtimet, me rrethin e ngushtë e të gjerë shoqëror etj. Duhet theksuar se libri “Qerrja e dritës”, duke qenë në thelb moral, nuk moralizon, duke qenë plotësisht historik, është në radhë të parë thellësisht artistik. Kuptimi metaforik i titullit “Qerrja e dritës” na sugjeron, njëherëshi unitetin e jetës dhe të ëndrrës, të tokësares dhe ideales./Shekulli

 

lajme të ngjashme