Letër gjyqtarëve të Speciales, Mahmuti: Mos përsëritni “gabimet historike” në rastin Thaçi dhe të tjerët NULL NULL 13.07.2026 11:44 13.07.2026 11:44 Ish-përfaqësues politik i UÇK-së, Bardhyl Mahmuti. Njëri nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Bardhyl Mahmuti, i ka dërguar një letër trupit gjykues të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, duke i ftuar gjyqtarët që, gjatë përpilimit të vendimit në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të mbështeten në jurisprudencën ndërkombëtare dhe t’i shmangin, siç thotë ai, “gabimet historike” në drejtësi. Letra në fjalë iu adresohet gjyqtarëve Charles Smith III, Christoph Barthe, Guenaël Mettraux dhe Fergal Gaynor, përmes Shefes së Njësisë për Informim dhe Komunikim me Publikun, Angela Griep. Ai e krahason procesin gjyqësor në Hagë me “Çështjen Dreyfus”, duke kujtuar 120-vjetorin e vendimit të Gjykatës së Kasacionit të Francës që shpalli të pafajshëm kapitenin Alfred Dreyfus. Sipas tij, rasti Dreyfus mbetet një shembull historik për juristët lidhur me rrezikun e ndikimeve politike dhe institucionale në vendimmarrjen gjyqësore. Ai përmend figurat franceze që mbrojtën pafajësinë e Dreyfusit, si Georges Picquart dhe Émile Zola, duke theksuar se “heshtja ndaj së vërtetës të bën bashkëfajtor në padrejtësi”. Në letër, Mahmuti pretendon se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi mbahen në paraburgim prej pesë vjetësh e tetë muajsh “padrejtësisht”, ndërsa kritikon kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar për dënime prej 45 vjetësh ndaj secilit prej tyre. Ai argumenton se shtylla kryesore e aktakuzës, që lidhet me pretendimin për “ndërmarrje kriminale të përbashkët”, bie ndesh me jurisprudencën ndërkombëtare.