Kurti të hënën në Shkup, takime me homologun Mickoski e me kabinetin qeveritar NULL NULL 03.08.2024 18:10 03.08.2024 18:10 Albin Kurti dhe Hristijan Mickoski. Foto e montuar / Klankosova.tv Kryeministri Albin Kurti, të hënën me fillim nga ora 10 do të nisë një vizitë zyrtare në shtetin fqinj, Maqedoninë Veriore. Siç mëson Klan Kosova, kreu i ekzekutivit kosovar do të ketë takime me krerët e shtetit maqedonas, nga homologu i tij Hristijan Mickoski, pastaj me ministrat e kabinetit qeveritar. Ndërkaq, burimet kanë paralajmëruar një takim edhe me kryeparlamentarin e RMV-së, Afrim Gashi. Kjo vizitë e Kurtit në Shkup vjen pak ditë pas një incidenti që u shënua në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit me presidenten Vjosa Osmani, e cila po e shfrytëzonte të njëjtin për një udhëtim privat. Incidenti erdhi pasi sigurimi i aeroportit, sipas Zyrës së Presidentes, i kërkoi asaj ta dorëzonte telefonin e saj personal. Ky incident është konsideruar nga shumë si skandal diplomatik. MPJ-ja e Kosovës madje i ka dërguar notë proteste Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke kërkuar sqarime dhe informata mbi këtë rast. Ndërkaq, MPJ-ja maqedonase ka shprehur keqardhje për rastin, teksa ka thënë se janë duke e trajtuar rastin. /Klankosova.tv