Kurti pret në takim Ekipin e Kombeve të Bashkuara, riafirmohet përkushtimi për zhvillim dhe reforma NULL NULL 31.03.2026 12:38 31.03.2026 12:38 Kryeministri Albin Kurti, zhvilloi një takim me Ekipin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNKT), të udhëhequr nga Koordinatori për Zhvillim i OKB-së, Stephen O’Malley. Në takim u diskutua për prioritetet e Planit Strategjik të UNKT 2026–2030, si dhe forcimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë dhe OKB-së, ndërsa të dyja palët riafirmuan përkushtimin e përbashkët për avancimin e prioriteteve zhvillimore të Kosovës dhe zbatimin e Agjendës 2030. Kurti theksoi së është e rëndësishme që prioritetet e Planit Strategjik të UNKT janë në përputhje me agjendën kombëtare të zhvillimit dhe mirëpriti vazhdimësinë e tyre. “UNKT prezantoi prioritetet e saj për vitin 2026 dhe ritheksoi gatishmërinë për të mbështetur Qeverinë, si në zbatim ashtu edhe në aspektin normativ. Vëmendje e veçantë iu kushtua fushave, ku agjencitë e OKB-së mund të kontribuojnë në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe avancimin e reformave”, bën të ditur zyra për media e Kurtit. Ai theksoi përkushtimin e Kosovës ndaj bashkëpunimit me OKB-në, duke nënvizuar se Qeveria ka kontribuar edhe përmes bashkëfinancimit në programet e OKB-së në vend. Të dyja palët u dakorduan për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë dhe për të forcuar më tej mekanizmat e koordinimit.