Kurti, në Berlin, takon Borrellin dhe Lajçakun: Djegia e veturave në veri është krim NULL NULL 03.11.2022 10:02 03.11.2022 10:02 Kryeministri Albin Kurti, para nisjes së Samitit të Procesit të Berlinit, është takuar me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, dhe Emisarin e BE-së për dialog, Miroslav Lajçak. Kurti tha se me Borrellin dhe Lajçakun ka diskutuar për kornizën e marrëveshjes Kosovë-Serbi, vendimin e fundit të qeverisë për targat dhe çështje të tjera. Ai deklaroi po ashtu se djegia e veturave, me targa RKS, në veri është krim që duhet të dënohet nga të gjithë. “Përpara samitit të sotëm të Procesit të Berlinit, që është i përvitshëm, u takova me Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak për të diskutuar Marrëveshjen Kornizë të përqendruar në njohjen reciproke dhe çështje të tjera. Plaçkitja dhe djegia e veturave në veri të Kosovës është krim dhe duhet dënuar nga të gjithë”, ka shkruar ai në Twitter, njofton Klankosova.tv. Kryeministri Albin Kurti e përfaqëson Kosovën në Samitin e Procesit të Berlinit për Ballkanin Perëndimor që mbahet sot në kryeqendrën gjermane. Në këtë takim mungon presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ndërsa Serbinë do ta përfaqësojë kryeministrja, Ana Bërnabiq.