Kurti garanton Macronin se Kosova do të jetë gjithnjë me aspiratat evropiane - Klan Kosova


Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Kurti garanton Macronin se Kosova do të jetë gjithnjë me aspiratat evropiane

NULL NULL
23.06.2021 20:11

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është ndjerë i nderuar që do të takohet me presidentin e Francës Emmanuel Macron, derisa nga Pallati Presidencial Elysee e ka garantuar atë se Kosova do të ketë gjithmonë aspirata evropiane.

“Jam i privilegjuar të jem këtu me ju, presidentin e një shteti të fuqishëm dhe me histori shumë dimensionale të pranisë në Evropën dhe botën tonë. Është privilegj dhe përgjegjësi për mua si kryeministri i shtetit më të ri të Evropës të jem para Pallatit Presidencial të Francës për t’iu garantuar se Kosova do të jetë gjithnjë me aspiratat evropiane dhe demokratike. Duhet t’iu shpreh edhe një herë mirënjohjen time dhe të popullit të Kosovës për drejtësinë e lartë që vendosët në kuadrin e aleancës euroatlantike për t’i dhënë fund një regjimi shovinist që synonte territore me çdo kusht, qoftë edhe me gjenocid mbi civilët”.

“Ne jemi të ndërgjegjshëm se pas rënies së Murit të Berlinit konfliktet nën federatat arbitrare do të binin mbi popuj që dilnin prej kampit komunist si popuj të nënpërfaqësuar dhe populli më i nënpërfaqësuar në Ballkan ishim ne. Ne besojmë se cilësia e përfaqësimit të një populli nuk duhet të merret peng nga gjendja që krijon një rrethanë e padrejtë historike. Ne besojmë se Evropa është bashkimi më i mirë për të hedhur bazat e një paqeje afatgjatë dhe të konceptuar drejt”.

Ai, në deklarimin për media bashkë me presidentin francez, ka deklaruar se sado e vogël që është Kosova e ka model organizimin e shtetit si Franca.

“Ndihem i nderuar që do të kem mundësinë të flas me ju, përfaqësuesin më të lartë të popullit francez, për zhvillimet e Kosovës dhe mbi angazhimet tona qeveritare. Sado i vogël shteti jonë ai ka për mision të organizojë ndërtimin e vet të plotë institucional, shtetin e së drejtës dhe lirinë e mendimit me të njëjtën cilësi sa edhe shtetet e mëdha historike mes të cilëve një prej modeleve më të mira është Franca. Linjat e veprimit qeveritar kanë të njëjtën larmi në Kosovën e vogël sa edhe në shtetet dhjetramilionëshe. Numri i talenteve që gëzon dhe duhet të zhvillojë një shoqëri janë po aq të larmishme sa edhe një shoqëri që ka punuar pandërprerë ndër shekuj. Për këtë jemi angazhuar unë si kryeministër dhe si qeveri – për demokracinë dhe drejtësinë, paqen dhe mirëqenien, integrimin dhe zhvillimin”.

Kurti ka thënë se ka ardhur koha që Kosova t’i tregojë Francës, që është një nga shtetet e para që e njohu pavarësinë e vendit tonë, aftësitë e saj, shkruan Klankosova.tv.

“Ju jeni një prej shteteve që na njohët të parët si subjektivitet politik sovran. Ka ardhur koha që ne të bëjmë të njohur për ju objektivisht aftësitë tona si shoqëri e Kosovës në zhvillim dhe ekonomi. Agjencia e Francës për Zhvillim mund të jetë bashkëpunëtor dhe adresë e mirë për përdorimin e inteligjencës dhe vullnetit të njerëzve tanë në Kosovë”.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Francës Emmanuel Macron kanë nisur takimin pas konferencës së përbashkët për media.