Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Autoritetet turke e konfirmojnë se bomba u shpërthye nga një grua (VIDEO)

NULL NULL
13.11.2022 14:47

20:30 Autoritetet turke e konfirmojnë se bomba u shpërthye nga një grua

6 të vdekur dhe 81 të plagosur si pasojë e një shpërthimi në Stamboll.

Ky është bilanci i ri i ngjarjes tragjike që ndodhi sot gjatë ditës.

Kështu deklaroi nënpresidenti i Turqisë, Fuat Oktai.

Oktaoi konfirmoi se autore e shpërthimit është një grua.

“Kemi konstatuar se një femër është autore e shpërthimit. Po bëhen hetimet lidhur me rastin. Deri më tani kanë vdekur 6 persona dhe janë plagosur 81 të tjerë. Hetimet po vazhdojnë me shpejtësi dhe kushdo që qëndron pas këtij sulmi do të mbajë përgjegjës”, tha ai.

19:30 – Publikohet fotografia e gruas që dyshohet për shpërthimin në Stamboll (FOTO)

Deri më tani gjashtë persona raportohet të kenë vdekur si pasojë e një shpërthimi që ka ndodhur në sheshin “Taksim” në Stamboll.

Po ashtu si pasojë e sulmit edhe 53 persona janë lënduar.

Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan, tha se dyshohet se ky mund të jetë sulm terrorist.

Erdogan tha se lidhur me sulmin e dyshuar është një grua.

Mediat turke kanë publikuar një fotografi të një gruaje e cila supozohet të jetë e dyshuar lidhur me rastin tragjik.

Ajo dyshohet se e ka vendosur çantën në një vazo, e që brenda saj dyshohet se kishte bombë.

18:57 – Zelensky: Dhimbja e mikut tonë, popullit turk, është dhimbja jonë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka thënë se është “thellësisht i pikëlluar” nga lajmi për shpërthimin që ua mori jetën gjashtë personave në Stamboll.

Ai, përmes një shkrimi në Twitter, shprehu ngushëllime viktimat dhe ka uruar shërim të shpejtë për të lënduarit.

“Me pikëllim të thellë mësova lajmin se nga shpërthimi që ndodhi në rrugën Istiklal, humbën jetën dhe u plagosën shumë njerëz. I shpreh ngushëllimet e mia familjeve të atyre që humbën jetën dhe u uroj shërim të shpejtë të lënduarve. Dhimbja e mikut tonë, popullit turk, është dhimbja jonë”, ka shkruar Zelensky në Twitter.

18:44 – Krasniqi: Ndajmë dhimbjen me institucionet dhe popullin mik turk 

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi është tronditur nga shpërthimi i sotëm në Stamboll, ku disa persona mbetën të vdekur e dhjetëra të plagosur.

Ai u shpreh ngushëllime familjeve të viktimave, ndërsa shpreson që përgjegjësit e këtij akti terrorist të dalin sa më shpejt para drejtësisë, përcjell klankosova.tv.

”Jam i pikëlluar dhe i tronditur nga shpërthimi i sotëm në Stamboll që la disa të vdekur dhe dhjetëra të lënduar. Në këto momente të vështira, ndajmë dhembjen me institucionet e Republikës së Turqisë dhe popullin mik turk.

Familjeve të viktimave u shpreh ngushëllimet e mia të thella dhe për të lënduarit uroj shërim sa më të shpejtë. Shpresoj që përgjegjësit e këtij akti terrorist të gjenden e të dalin para drejtësisë sa më parë”.

 

18:42 – Hoti për shpërthimin në Stamboll: Akte të tilla të shëmtuara duhet të ndalen

Ish-kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, ka reaguar pas shpërthimit që ndodhi në Stamboll, prej së cilës vdiqën gjashtë persona dhe u plagosën 53 të tjerë.

Hoti iu shprehu ngushëllime familjeve të viktimave dhe tha se akte të tilla të shëmtuara duhet të ndalen.

Ai theksoi se ata që qëndrojnë prapa duhet ta marrin dënimin e merituar.

“Ngushëllime familjeve të viktimave nga sulmi i sotëm terrorist në Stamboll. Akte të tilla të shëmtuara duhet të ndalen dhe ata që qëndrojnë prapa tyre duhet të marrin dënimin e merituar. Solidarizohemi me popullin mik të Turqisë në dënimin e sulmit dhe lutemi me ta për familjet e viktimave”, tha Hoti.

 

18:38 – Stoltenberg: Pamje tronditëse nga Stambolli, NATO-ja solidarizohet me aleatin e vet, Turqinë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka shprehur ngushëllime për familjet e viktimave të  shpërthimit në Stamboll dhe për gjithë popullin turk.

Stoltenberg, përmes një shkrimi në Twitter, ka thënë se NATO-ja solidarizohet me aleatin e vet, Turqinë.

“Pamje tronditëse nga Stambolli. Mendimet e mia dhe ngushëllimet më të thella për të gjithë ata që janë prekur dhe për popullin turk. #NATO qëndron në solidaritet me aleatin tonë Turqinë”, ka shkruar SStoltenberg.

 

18:27 – Konjufca për shpërthimin në Stamboll: Ndajmë dhimbjen e madhe me familjet e viktimave

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka shprehur ngushëllime për familjarët e viktimave që humbën jetën në shpërthimin e sotëm në Stamboll.

“Më trishtim morëm lajmin për humbjen e jetëve të pafajshme të disa personave dhe plagosjen e shumë të tjerëve si pasojë e shpërthimit të sotshëm në Stamboll. Ndajmë dhimbjen e madhe me familjet e viktimave dhe lutemi për shërim sa më të shpejtë të të lënduarve”, ka shkruar Konjufca në Facebook.

“Ngushëllimet tona më të sinqerta për familjet, popullin turk, Asamblenë e Madhe Kombëtare dhe Presidentin e Turqisë”, ka shtuar ai.

Kujtojmë se në shpërthimin e së dielës në Stamboll, gjashtë persona humbën jetën dhe 53 të tjerë u lnëduan.

 

17:43 – Haradinaj: Qëndrojmë pranë Turqisë në këtë ditë të kobshme

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se është i tronditur nga shpërthimi i sotëm në Stamboll, ku humbën jetën gjashtë njerëz dhe u lënduan 53 të tjerë.

Ai, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Kosova qëndron pranë Turqisë në këtë ditë të kobshme.

“I tronditur nga shpërthimi i sotëm në Stamboll.Aktet e tilla qyqare, na kujtojnë edhe njëherë që bota duhet të jetë bashkë, e demokratizuar dhe e zëshme kundër dhunës dhe terrorit. Lutemi për viktimat, të lënduarit dhe familjet e tyre. Qëndrojmë pranë Turqisë në këtë ditë të kobshme”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

 

17:31 – Erdogan: Sulmi mund të jetë akt terrorist, dyshohet një grua 

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se ka dyshime se shpërthimi në Stamboll ku vdiqën gjashtë persona dhe u plagosën 53 të tjerë mund të jetë akt terrorist.

Erdogan tha se një grua është si e dyshuar lidhur me sulmin.

Këto deklarime kreu i shtetit turk i bëri gjatë fjalimit të tij në mbledhjen e G-20.

“Pas sulmit të pabesë, në vendngjarje shkoi personeli ynë i sigurisë dhe të plagosurit u dërguan në spitalet përreth. Përpjekjet për të pushtuar Turqinë dhe kombin turk përmes terrorizmit nuk do të arrijnë qëllimin e tyre. Janë 6 të vdekur, 4 prej të cilëve në vendin e krimit dhe 2 në spital dhe 53 të lënduar”, tha Erdogan.

“Përveç kësaj, shifrat pritet të ndryshojnë me kalimin e orëve. Do të ishte gabim nëse themi se ky është me siguri terrorizëm, por zhvillimet e para, informacioni që na përcolli guvernatori i parë, këtu ka dyshime se ishte sulm terrorist. Kjo për shkak të lëvizjeve dhe përcaktimet e para për një grua si e dyshuar për këtë sulm po vazhojnë. Hetimet tona si për shefin e policisë së Stambollit, ashtu edhe për guvernatorin tonë dhe për kamerat atje vazhdojnë. Më pas do të marrim vendimin tonë përfundimtar”, tha ai.

 

17:22 – Pakistani e dënon shpërthimin në Stamboll

Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, ka dënuar shpërthimin në rrugën Istiklal të Stambollit.

“Kam mësuar me ankth të thellë për shpërthimin në Avenue Istiklal në zemër të Stambollit”, shkroi Sharif në Twitter.

“Qeveria dhe populli i Pakistanit shprehin ngushëllimet më të thella për popullin vëllazëror të Turqisë për humbjen e jetëve të çmuara dhe dërgojnë lutje për shërimin e shpejtë të të plagosurve”, ka shtuar ai.

 

17:05 –  Ambasada e Kosovës publikon numrin emergjent për shtetasit që gjenden në Stamboll

Ambasada e Kosovës në Turqi, nuk ka konfirmuar nëse ka apo jo, kosovarë të prekur nga shpërthimi në Stamboll.

Megjithatë, në një cicërimë në twitter, kjo ambasadë shpreh ngushëllimet për viktimat nga ky shpërthim, dhe ndan numrin emergjent për t’i kontaktuar, përcjell klankosova.tv.

 

16:50 – Erdogan tha se shpërthimi në Stamboll ishte “sulm i pabesë” dhe se autorët duhet të ndëshkohen

Presidenti turk Rexhepp Tajip Erdogan ka thënë se shpërthimi në rrugën Istiklal të Stambollit u shkaktua nga një “sulm me bombë”, duke shtuar se gjashtë persona vdiqën në incident.

Duke folur përpara nisjes së tij në samitin e G-20 në Indonezi të dielën, Erdogan tha se shpërthimi ishte një “sulm i pabesë” dhe autorët e tij do të ndëshkoheshin.

53 të tjerë u plagosën, sipas informacioneve që ai mori nga guvernatori i Stambollit.

 

16:40 – Shpat Deda shpërndan pamje nga Stambolli: Situata duket të jetë nën kontroll (VIDEO)

Artisti kosovar Shpat Deda ka ndarë një video nga vendi ku ndodhi shpërthimi në Stamboll.

“Situata duket të jetë nën kontroll”, ka shkruar Deda, krahas videos së publikuar në Twitter.

Kujtojmë se nga shpërthimi në Stamboll mbetën të vdekur gjashtë persona dhe u lënduan 53 të tjerë.

Numri i viktimave po vazhdon të rritet.

 

16:28 – Rritet numri i viktimave në Stamboll, gjashtë të vdekur e 53 të lënduar

Guvernatori i Stambollit, Ali Yerlikaya, ka njoftuar se numri i të vdekurve ka arritur në gjashtë dhe i të lënduarve në 53, nga shpërthimi që ndodhi pak më herët në rrugën e mbipopulluar Istiklal të Stambillit.

“Fatkeqësisht, në shpërthimin që ndodhi sot në rrugën Istiklal, numri i të vdekurve është rritur në 6 dhe numri i të plagosurve në 53. I urojmë mëshirën e zotit për ata që humbën jetën dhe shërim të shpejtë të lënduarve. Zhvillimet do të ndahen me publikun”, ka shkruar Yerlikaya në Twitter.

 

15:45 – Konfirmohen katër të vdekur nga shpërthimi në Stamboll, 38 të lënduar

Nga shpërthimi që ndodhi pak më herët në rrugën e mbipopulluar Istiklal të Stambillit, katër persona kanë humbur jetën dhe 38 janë plagosur, tregoi Guvernatori i qytetit, Ali Yerlikaya.

“Të plagosurit tanë po trajtohen. I urojmë mëshirën e Zotit për ata që humbën jetën dhe shërim të shpejtë të lënduarve. Zhvillimet do të ndahen me publikun”, shkroi Yerlikaya, transmeton Klankosova.tv.

 

15:10 – Guvernatori i Stambollit thotë se ka të vdekur nga shpërthimi me bombë 

Guvernatori i qytetit të Stambollit, Ali Yerlikaya, ka thënë se ka të vdekur dhe të lënduar nga shpërthimi me bombë që tronditi Turqinë, pak më parë.

“Sot rreth orës 16.20 ka ndodhur një shpërthim në rrugën Taksim Istiklal në lagjen tonë Beyoğlu. Në vendngjarje kanë shkuar ekipet tona të policisë, shëndetësisë dhe zjarrfikësve. Ka viktima dhe të plagosur. Zhvillimet do të ndahen me publikun”, ka shkruar ai në Twitter, transmeton Klankosova.tv.

 

14:47 – Mediat turke kanë raportuar të dielën se ka ndodhur një shpërthim në rrugën popullore të këmbësorëve “Istiklal” të Stambollit, ku janë plagosur 11 persona.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë ambulanca, zjarrfikësit dhe policia, ndërsa shkaku i shpërthimit nuk dihet akoma.

Përdoruesit e mediave sociale kanë deklaruar se dyqanet dhe rruga janë mbyllur, shkruan Associated Press, transmeton Klankosova.tv.

lajme të ngjashme