Komiteti Olimpik kërkon që sportistët elitarë të bëhen me pasaporta diplomatike NULL NULL 03.07.2019 20:40 03.07.2019 20:40 Drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës kanë zhvilluar një takim me Ministrin e Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacollin. Në këtë takim u bisedua për diplomacinë sportive, pasi dihet mirë se sportistët janë ambasadorët më të mirë të shtetit, të cilët me sukseset e tyre po e ngritin imazhin, si dhe po e lartësojnë flamurin tonë edhe në shtetet që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Po ashtu, u diskutua edhe mundësia e pajisjes së sportistëve elitarë me pasaporta diplomatike dhe mundësia e punësimit të sportistëve elitarë në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Kryediplomati i Kosovës shprehu gatishmërinë që në ditët në vijim në kuadër të Ministrisë të formojnë një Departament për Diplomacinë Sportive, ku do të mund të punësoheshin edhe sportistë elitarë, njofton Komiteti Olimpik i Kosovës përcjellë Klan Kosova. Gjithashtu, ministri Pacolli u pajtua për pajisjen me pasaporta diplomatike, për çka mbeti që fillimisht të caktohen kriteret, në mënyrë që më pas të pajisen një numër i caktuar i sportistëve me pasaporta të tilla. Palët biseduan edhe për çështje tjera me interes për sportin dhe sportistët tanë. Kreu i KOK-ut Besim Hasani dhe Sekretari Shasivar Haxhijaj, falënderuan të parin e MPJ-së për punën që po bën.