Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Kombëtarja zbret në fushë, De Biazi i kontrollon me GPS

NULL NULL
30.08.2016 13:17

Kombëtarja shqiptare e futbollit ka zhvilluar sot paradite seancën e dytë stërvitore të këtij grumbullimi në stadiumin “Selman Stermasi”, ku përsëri trajneri Giani De Biazi nuk kishte në dispozicion grupin e plotë të futbollistëve.

Me skuadrën nuk janë bashkuar ende Odise Roshi, Bekim Balaj dhe Naser Aliji, ndërsa Rei Manaj ishte spektator në këtë seancë për shkak të një problemi të vogël në pulpë.

Ai qëndroi për disa minuta duke parë shokët e skuadrës, ndërsa më pas u largua nga ambientet e stadiumit, meqë do të stërvitej vetëm në seancën e pasdites.

De Biazi i ka besuar thuajse gjithë stërvitjen e paradites dy asistentëve të tij, pasi ushtrimet fillimisht drejtoheshin nga Erjon Bogdani dhe Ervin Bulku, që ndanë lojtarët e pranishëm në dy grupe.

Më pas, kur filluan ushtrimet e rreshtimit taktik dhe lëvizjeve në grup, tekniku i kuqezinjve u ngjit vetë në tribunat e stadiumit “Selman Stërmasi”.

Ai ndoqi nga lart ushtrimet të cilat këtë radhë u drejtuan nga krahu i tij i djathtë, Paolo Tramezani, i cili praktikoi rreshtime të ndryshme të kuqezinjve.

Para se të kthehej në fushë, bashkë me përgatitësin atletik Belle, De Biazi kontrolloi edhe të dhënat e lojtarëve që monitoroheshin në çdo çast me sistemin GPS, ndonëse trajneri pranoi se kjo seancë stërvitore nuk kishte si qëllim ngarkesën fizike të lojtarëve.

Ndërkaq, seanca ndiqej me interes nga studentët e kursit të trajnerëve UEFA Pro, mes të cilëve kishte emra të njohur si Sinani, Ahmataj, Devolli, Gvozdenoviç, etj. De Biazi iu afrua për disa minuta trajnerëve duke u shpjeguar shkurtimisht ushtrimet, ndërsa më pas një gjë të tillë e bëri edhe Ilir Bozhiqi, i cili gjatë të gjithë seancës mbajti të veçuar treshen e portierëve që kishte në dispozicion.

de

Në fund të seancës stërvitore, De Biazi nuk ngurroi të bisedonte veçamas me Mavrajn dhe Memushajn, dy futbollistët të cilët pak më vonë do të shfaqeshin para gazetarëve në konferencë për shtyp, duke u dhënë këshillat e fundit mbi atë që duhej të diskutonin para mikrofonëve.

Ekipi më pas është larguar drejt hotelit në autobusin i cili tashmë është modeluar sipas imazhit të fanellës kuqezi, ndërsa ka mbrapa të shkruar sloganin “Ti Shqipëri më jep nder”, raporton Panorama, përcjellë Klan Kosova.

 

 

lajme të ngjashme