Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Virusi global dhe tragjeditë individuale 

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 30.12.2020 10:25

Virusi ka shkundur gjithë Botën, të gjitha shtetet veç e veç, politikën si të tillë, ka rrëzuar Presidentë dhe Kryeministra. Por duket që Bota do të vazhdojë me të vjetrën. Si të kaloj ky virus.

Bota është e rrafshtë. Nuk është e rrumbullakët.

Ptolomeu dhe jo Koperniku kishte pasur të drejtë.

Këtë na e tregoi Covid-19, një virus që doli në shesh në gjysmën e dytë të vitit të kaluar, për pa pushtuar të tërin vitin 2020-të, të cilin po e lëmë pas këto ditë.

Një vit rëndom mbahet në mend për dy-tri ngjarje madhore, qofshin ato politike, ekonomike, natyrore  (termet a cunami), për disa personalitete, ashtuqë së bashku pastaj i dhënë identitet një viti kalendarik.

Rrallë, shumë rrallë ndodhë që gjithçka, në një rrjedhë kohore dymbëdhjetëmuajshe, të ketë një ngjarje të vetme që e përshkon atë, e karakterizon atë, e mbulon të tërën atë dhe i jep një identitet absolut, siç ka ndodhur këtë vit me këtë sëmundje, me këtë virus.

Edhe më rrallë ngjanë që të ketë një përputhje të kësisojt të fatit të një individi, të një familjeje, me atë të një qyteti, një kombi, një shteti, një kontinenti dhe mbarë Rruzulli Tokësor.

Në të vërtetë, në këto përmasat e vitit 2020, sipas të gjitha gjasave, një përputhje e kësisojt është e pashoq, e pashembullt, në gjithë Historinë e njohur të njeriut dhe të mbarë njerëzimit.

Covid-19 hiç disa ishuj të vegjël të Oqeanisë, ka mbërri kudo.

Me këtë gjithë-praninë e tij, me faktin që nuk mund të shihet e është kudo, me efektin e tij tek krejt ne, me përmasat e tij universale, me subordinimin tonë ndaj tij, ai të thuash ka tipare hyjnore.

Në anën tjetër, me tërë atë iracionalitetin e vet identitar, ai, i ka shkaktuar vuajtje, frustrim, dyshim dhe habi të jashtëzakonshme racionalitetit njerëzor, i cili për shekuj me radhë kishte shpallur pushtimin e natyrës dhe të iracionales. 

Nga ky pikëshikim, është kjo një hakmarrje a përsosur e natyrores, e iracionales, të pashpjegushmes, të pamatshmes, të pakapshmes.

Njeriu është i sigurt që me mendjen e tij mund të sqarojë gjithçka, të përzdritë gjithçka, të matë çdo gjë, të ngadhnjejë gjithnjë ndaj natyrës dhe iracionales.

Me këtë siguri zatën ai ia mësyu të globalizojë Botën, pas përfundimit të Luftës së Ftohtë  (e cila ishte Kapitulli i tretë i dy luftërave botërore), i bindur që tregu i përbashkët është interes jetik i të gjithë njerëzimit, dhe që ky treg pastaj do të jetë themel i një ‘Rendi të ri Botëror’, i cili do të shënojë fundin e çdo lufte, të çdo konflikti të madh, të historisë si të tillë.

Pandemi nuk do të kishte sivjet po mos të ndodhte Globalizmi në tridhjetë vitet e kaluara. Kjo është qind për qind e sigurtë. 

Të gjitha udhët, thuhej, çojnë në Romë. Sepse Roma (si Republikë dhe si Perandori), i ndërtoi të gjitha këto rrugë në të katër anët e Botës.

Globalizmi i hapi udhë mallit, të gjitha llojeve të mallit, pa kurfarë kierarkie vlerash  (sepse profiti nuk është këtu vlerë supreme, është vlerë e vetme), prandaj, këto autostrada globaliste të cilat lidhën Botën, në Veri dhe në Jug, në Lindje dhe në Perëndim, mund të përdoren prej të gjithëve për gjithçka, siç u pa në mënyrën më brutale të mundshme gjatë gjithë këtij viti nga Covid-19.

Këtu nuk ka tarifa dhe ndalesa, nuk ka dogana dhe kufijë, nuk ka pengesa natyrore dhe artificiale, të gjithë janë të barabartë si konsumatorë potencial, të gjithë mund të jenë përfitues të kësaj Bote Globale.

Pa këtë organizim të Botës që njeh konsumatorin si qytetar të Botës, pa dallim gjinie, etnije, feje, politike, kulture, nuk do të kishte gjasa që të gjithë ne të bëheshim ‘konsumator’, apo pranues dhe bartës e shpërndarës së një virusi që realisht, goditi Rruzullin Tokësor me keq se çdo gjë tjetër në këtë Historinë e re të njerëzorimit.

Ai, mbi të gjitha na tregoi sa të padijshëm, sa të pafuqishëm, sa të paorganizuar, sa mendjemëdhenjë dhe arrogant jemi ndaj natyrës dhe ndaj vetes.

Ai na barazoi të gjithëve, si njerëz, si popuj, si shtete, si pjesë të një Qytetërimi të vetëm.

Asgjë nuk kishte kurfarë vlere para tij.

Kështu është edhe sot e kësaj dite. Në fakt.

Normaliteti ishte dhe është viktima më e madhe e Covidit. Këtu pajtohemi të gjithë. 

Teksa gabimi më i madh i të gjithë neve, kudo që jemi, është synimi i secilit prej nesh, por edhe i gjithë Botës që të kthehemi aty ku ishim para se të na poshtëronte ky virus. Para se të na e tregonte vendin që realisht e kemi. 

Synimi për t’iu kthyer normalitetit të mëparmë, me atë klasiken, ‘business as usual’, është dëshmia supreme që ne nuk kemi mbledhur mend fare pas gjithë kësaj tragjedie përmasash të papara gjatë këtij viti.

Kjo zatën po kuptohet përditë e më shumë me mënyrën se si do të shpërndahen vaksinat kundër këtij virusi, prej shteteve dhe popujve më të pasur, teksa të tjerët do të duhet të presin derisa të ju vie koha, nëse nuk do ta pësojnë apo vuajnë më të keqen në muajtë e ardhshëm.

Duket që këtë fat do ta kemi edhe ne, si Kosovë. 

Virusi ka shkundur gjithë Botën, të gjitha shtetet veç e veç, politikën si të tillë, ka rrëzuar Presidentë dhe Kryeministra. 

Por duket që Bota do të vazhdojë me të vjetrën. Si të kaloj ky virus.

Deri te një Pandemi tjetër. Apo, deri te ndonjë fatkeqësi e kësisojt, e cila kush e di, herën e ardhshme, do të mund të shkaktohet në mënyrë artificiale, apo, do të mund të fabrikohet. 

Ne këndejpari në Kosovë, tash e sa vjet, në këtë dimensionin politik, kemi treguar aftësi të madhe për të krijuar fatkeqësi të të gjitha llojeve, teksa u goditëm në mënyrë të pamëshirshme edhe nga ky virus. 

Ky ishte pa kurfarë dyshimi, viti më i rëndë, në të gjitha aspektet e mundshme, që e kemi përjetuar si Kosovë, prej përfundimit të Luftës e këndej.

Mos u harroftë viti 2020. 

 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme