Vala e tretë e ndryshimeve të mëdha politike në Kosovë (II) 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 06.07.2021 15:34 06.07.2021 15:34 Rezultati i zgjedhjeve të parakohshme të 14 shkurtit, me atë fitoren bindëse të modelit të Ndryshimit, të përfaqësuar nga Lëvizja ‘Vetëvendosje’ (dhe Nisma ‘Guxo’ në koalicion me te), ndaj atij të Status Quo-së, të përfaqësuara nga partitë tradicionale, nuk la parti dhe subjekt pa lëkundur me themel. Të gjitha entitetet politike në vend, të cilat sollën ndryshimin apo edhe patën pasoja prej tij, të gjithë liderët këtyre entiteteve, nuk kanë qare, si thuhet, pa u marrë me situatën fare të re në politikën kosovare, e cila kësi momente të mëdha kthese ka pasë vetëm dy herë në historinë e pluripartizmit që filloi në dhjetorin e vitit 1989, me themelimin e LDK-së dhe më pas të subjekteve të tjera. Momenti i parë ka qenë vetë krijimi i një skene të këtillë shumëpartiake, e cila në rrethanat e okupimit klasik të Kosovës, imponoi një monopol politik të LDK-së së Dr.Ibrahim Rugovës, e cila zatën ishte bosht i Lëvizjes politike për pavarësinë e Kosovës. LDK arriti ta ruajë supremacinë e saj politike, e cila megjithatë nuk kishte më karakter të monopolit politik, edhe në atë periudhën e parë të Kosovës së lirë, në vitet 2000 (zgjedhjet e para lokale në vend), 2004 (zgjedhjet e dyta të përgjithshme në Kosovë), me fitoret bindëse në katër palë zgjedhje (dy për pushtetin komunal dhe dy për pushtetin qendror). Momenti i dytë i kthesës së madhe arriti në skenën politike kosovare në nëntorin e vitit 2007, kur PDK e Hashim Thaçit, arriti t’i fitojë bindshëm zgjedhjet qendrore dhe ato lokale (të cilat u mbajtën të njejetën ditë), duke imponuar kështu një periudhë të supremacisë politike, e cila do të merr fund me zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017, pas një fitore të zbehtë zgjedhore të koalicionit PAN (PDK, AAK, ‘Nisma’). Ky është tani Momenti i tretë i një kthese të madhe, që u kumtua me atë ngadhjimin mbi 50 përqindësh në zgjedhjet e shkurtit të këtij viti të Lëvizjes ‘Vetëvendosje’. Albin Kurti, jo vetëm si Lider i Lëvizjes ‘Vetëvendosje’, por edhe si Kryeministër i Qeverisë së Kosovës, është bërë figura qendrore politike në vend, njëlloj siç ka qenë Dr.Ibrahim Rugova në vitet 1989-2006 (deri në vdekjen e tij), dhe Hashim Thaçi, në vitet 2007-2020 (deri në largimin e tij për Hagë, për Dhomat e Specializuara, pas konfirmimit të Aktakuzës ndaj tij). Megjithatë, rezultati i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, nuk është një sprovë vetëm për partitë opozitare, parlamentare dhe jashtëparlamentare, por edhe për vet Lëvizjen ‘Vetëvendosje’ dhe Albin Kurtin, si kryepolitikanin aktual të Kosovës. Lëvizja ‘Vetëvendosje’, do të ballafaqohet, dashtë e pa dashtë, me ato ‘Dhimbjet e rritjes’, teksa partitë opozitare do të kenë punë me ‘Dhimbjet e rënies’. Natyrisht, këto dy sprova apo dy ‘Dhimbje’, nuk janë të njejta, por në te dy raste, kemi të bëjmë me domosdoshmërinë e atij akomodimi të liderëve dhe të partive politike, në rrethanat krejtësisht të reja politike në vend. Dhe çka janë duke bërë liderët dhe partitë politike në këtë aspekt, do të kuptohet shumë shpejt, qysh me 17 tetor, në rrethin e parë të zgjedhjeve lokale për Kryetar të komunave dhe për asambleista, si dhe më pas, në rrethin e dytë të zgjedhjeve për Kryetar të komunave. Lëvizja ‘Vetëvendosje’ e Albin Kurtit, e ka suksesin e vet në zgjedhjet e përgjithshme të 14 shkurtit, synimin themelor të këtyre zgjedhjeve, kur flitet për rezultatin e tyre final. Edhe pse realisht, zgjedhjet lokale në Kosovë (siç është dëshmuar shumë herë në të kaluarën), janë krejt tjetër lojë politike krahasuar me zgjedhjet e përgjithshme, sepse këtu duhet gjetur kandidatët lokal që kanë apo gëzojnë respektin e qytetarëve të atyre komunave, Kryeministri Kurti llogaritë që fryma e ndryshimit, që fshiu gjithçka para vetes në këtë arenën e pushtetit qendror, do t’i ketë po të njejtat efekte, në mos edhe më të mëdha, edhe kur zgjedhet pushteti lokal, gjë që do të mund të shprehej me marrjen e pushtetit në shumicën dërrmuese të komunave në Kosovë, duke i përfshirë këtu edhe qytetet/ komunat më të mëdha në vend. PDK, LDK dhe AAK, si parti opozitare parlamentare, do të provojnë, gjithsesi, të japin shenja të qarta të këndelljes në votimet për pushtetin lokal. Kështu do të jetë edhe me AKR-në e Behxhet Pacollit (që ka një deputet në Kuvendin e Kosovës), dhe me ‘Nismën për Socialdemokraci’ të Fatmir Limajt. Në rastin e PDK-së dhe LDK-së, mëkëmbja eventuale lidhet edhe me dy Kryetarët e ri të këtyre dy partive, me Memli Krasniqin dhe Lumir Abdixhikun, të cilët do ta bënin një hap të madh përpara, në lidershipin e tyre, nëse përqindja e votës së tyre për Asambletë komunale, do të ishte më e mirë se ajo për Kuvendin e Kosovës, dhe nëse ato do të arrinin të fitojnë, në zgjedhjet për Kryetar të komunave, ndonjërën prej komunave më të mëdha (Prishtinën dhe Prizrenin), ose të mbajnë komunat ku janë në pushtet. Ky zatën është edhe synimi primar i AAK-së së Ramush Haradinajt (mbajtja e komunave ku ka marrë pushtetin në zgjedhjet lokale të vitit 2013). Sidoqoftë, në rastin e PDK-së dhe LDK-së, kur bëhet fjalë për sfidën kryesore të Kryetarëve të ri të tyre, Memli Krasniqit dhe Lumir Abdixhikut, ajo përkon me krijimin e rrethanave politike dhe zgjedhore në vend, kur si njëra, ashtu edhe tjetra parti, do të synonin të jenë në garë reale me Lëvizjen ‘Vetëvendosje’, për atë pozitën e fituesit në zgjedhjet e përgjithshme. Në rrethanat e tanishme së paku, nuk duket që PDK dhe LDK, në një të ardhme të afërm, do të mund ta rrezikojnë këtë pozitë dominuese të Lëvizjes ‘Vetëvendosje’, edhe nëse do të mbërrinin ato rezultatet më të mira zgjedhore të tyre në historinë e zgjedhjeve të lira në Kosovë. Dihet që Lëvizja ‘Vetëvendosje’ ka grumbulluar gjithsejt 438.335 vota në këto zgjedhje (apo 50.3%). Rezultati më i mirë i LDK-së është arritur në zgjedhjet e para parlamentare, në nëntorin e vitit 2001, me Dr.Ibrahim Rugovën si lider, kur LDK mori 359.851 vota (ose 45.65% të votuesve që morën pjesë në këto zgjedhje). Ndërsa në rastin e PDK-së, rezultati më i mirë zgjedhor u shënua në dhjetorin e vitit 2010, kur partia, e udhëhequr nga Kryeministri Hashim Thaçi, grumbulloi gjithsejt 224.339 vota (apo 32.11%). Ky krahasim i rezultateve më të mira të këtyre tri subjekteve, do të jetë me siguri pjesë e çdo analize serioze në PDK dhe në LDK, tash e tutje, në zhvillimet afatmesme në skenën politike të Kosovës. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.