Vaksina e të vërtetës 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 31.07.2021 11:27 31.07.2021 11:27 Kryefjala në jetën dhe në politikën kosovare, besa edhe në atë evropiane dhe ndërkombëtare, në muajt e fundit është: Vaksina. Nuk ka shpëtim tjetër ndaj kërcënimit të vazhdueshëm të Covid-19, i cili në vjeshtën e këtij viti, do të hyjë në vitin e tretë që prej se e ka pushtuar botën, dhe e ka rrëzuar për toke mbarë njerëzimin. Imuniteti kolektiv mund të arrihet vetëm nëpërmjet të një vaksinimi masiv, i cili duket se është në pikëpyetje kudo në botë, me gjasë, edhe në Kosovë, siç po shihet gjithnjë e më shumë, ditëve dhe javëve të kaluara. Është ky tash një dyluftim i madh informatash, lajmesh, gjykimesh dhe paragjykimesh, fushatash propagandistike dhe spekulimesh për dhe kundër, në të cilat, siç theksoi kohë më parë edhe Presidenti i Amerikës, Joseph Biden, janë të përfshira edhe Rrjetet shoqërore, ku me disa postime, pa kurrfarë përgjegjësi, mund të krijohen dyshime të mëdha për arsyeshmërinë e pajisjes së një organizmi njerëzor me vaksinë. Diçka e tillë ka qenë e paimagjinueshme para njëzet viteve, kur informatat publike nuk kanë pasur atë aspektin apo dimensionin individual, pos natyrisht sa i përket autorësisë së tyre, ku megjithatë ka ekzistuar një hierarki e qartë e përgjegjësisë në të gjitha nivelet. Liria e shprehjes ka qenë moti e garantuar në shtetet e Perëndimit, por ajo ka ecur dorë për dore me përgjegjësinë e qartë për atë çfarë thuhet dhe si thuhet në media, në politikë, kudo, në një ambient shoqëror. Dihet ai shembulli i përmendur shumë herë në këtë kontekst, i cili pohon që nuk është liri e shprehjes nëse gënjen, me një zë kumbues, në një teatër plotë me njerëz, se ka shpërthyer një zjarr në sallën e teatrit. Dihet se çfarë rrëmuje krijohet më atë rast, në përpjekjet për të ikur sa më parë që është e mundur dhe për të dalë jashtë sallës së teatrit, ku ndryshe nuk po ndodhë gjë prej gjëje. Rrjetet shoqërore kanë përjetuar një shpërthim të ri, janë shumëfishuar, me po të njëjtin ritëm të rritjes së Covid-19-shit në dimrin e vitit 2020, i cili u definua me nocionin e zgjerimit marramendës eksponencial. Izolimi i imponuar për të gjithë ne, me metodën klasike mesjetare të karantinimit (si reagimi i parë i domosdoshëm ndaj sëmundjes së murtajës që korrte miliona jetë), bëri që atë komunikimin e drejtpërdrejtë në mes nesh, edhe ashtu gjithnjë e më të kufizuar, më të shpejtë, më ‘instant’ (si këto kafetë dy a tre në një, si një shujtë e hamburgerit), i cili ishte me definicion, i rrezikshëm, problematik, për shkak të bartjes së mundshme të virusit, ta zëvendësojmë me këtë qëndrimin gjithnjë e më të gjatë, të pakufishëm, gjithsesi të sigurt, në rrjetet shoqërore. Frika ishte tipari kryesor i të gjithë neve në ato muajtë e parë të Pandemisë. Nuk dinim çka është virusi. Por çfarë kuptuam që në fillim ishte që Covid-19 është një tjetër emër konkret i vdekjes, si një fenomen parimisht i përgjithshëm, i pashmangshëm, i domosdoshëm. 2 Frika nga vdekja, e cila nuk na përcjell shpesh (ne jetojmë çdo ditë thuajse kurrë nuk do të vdesim), kësaj here, mori trajtën e një rreziku të çdoditshëm, të çdokohshëm, i cili për pak javë, një organizëm pak a shumë të shëndoshë, mund ta kthejë në një kufomë. Për këtë shkak, nisi dukuria e shoqërorizimit të frikës, të brengës, të shqetësimeve të mëdha, në këto kolektivitet e mëdha në rrjetet shoqërore. Shpërndarja e saj kështu në masë, sillte pastaj zëra ngushëllimi, shembujt e shërimit, të kalimit të virusit pa ndonjë telashe të mëdha (rastet asimptomatike), pastaj, edhe fjalët e huazuara të ekspertëve dhe shkencëtarëve, të cilët madje paralajmëronin mundësinë që brenda një kohe relativisht të shkurtët, të ndodhë zbulimi i vaksinës, si përgjigjes së vetme të sigurt ndaj Pandemisë. Kështu edhe ndodhi. Valët e ngritjes dhe rënies së Pandemisë (të cilat në masë të madhe asnjëherë nuk arritën të sqarohen në detale, kur bëhet fjalë për shkaktarët e tyre), arritën në stadin, në vjeshtën e kaluar, kur ‘Alkemia’ mjekësore bëri një zbulim i cili me të drejtë u cilësua si spektakular (kur flitet për kohën e shkurtët për të mbërri te ky zbulim): Mbërriti vaksina e parë. U ndërlidhën, me atë logjikën që në Perëndim shpreshherë quhet si ‘Perfect Storm’, interesi jetik i gjithë njerëzimit për të shpëtuar nga kjo sprovë e madhe, aspekti apo dimensioni humanitar (për t’i ndihmuar të gjithëve që kanë nevojë), me logjikën e businessit. Shkurt, të gjithë ishin përfitues, kur dihet që së paku në këtë shpërndarjen e parë të madhe prej qindra miliona njësi të vaksinës, ajo shpërndahet falas për qytetarët (Qeveritë kanë pagur për to, sepse çmimi i tyre i përgjithshëm, është shumëfish më i lirë se dëmet e mëdha ekonomike dhe politike të vetëm disa javëve të Pandemisë në Perëndim dhe në botë). Pastaj, nuk ka dyshim që me logjikën e prodhimit masiv të vaksinave, të kompanive të ndryshme, do të mund të mbulohen nevojat e gjithë njerëzimit. Megjithatë, derisa vitin e kaluar, zbulimi i vaksinës merrej si një ‘dhuratë hyjnore’ për ne vdekatarët, apo, llogaritej që të gjithë ne, të cilët e vuajtëm dhe e mbijetuam virusin apo, të cilët iu shmangëm disi atij, mezi do të presim të rreshtohemi për ta marrë për një sekond të vetëm vaksinën që ta shpëton jetën si të tillë, në muajt e fundit, u kuptua që as i gjithë ky rrëfim tronditës me origjinë ‘apokaliptike’ për Covid-19, nuk ka ndryshuar shumë mendjen dhe botëkuptimet e njeriut. Ato, zatën, në masë të madhe, tani formësohen në Facebook dhe në të gjitha format dhe emrat e tjerë të Rrjeteve shoqërore, dhe shumë më pak në atë komunikimin klasik mediatik në mes të një eksperti, një mjeku me nam, një shkencëtari dhe audiencës së tij. Një fallxhi, një pallavraxhi, një dijetar dhe njeri i mençur, një bartës perfekt i thashemnajeve, i llafeve të kafeneve, të gjithë këta bashkëjetojnë në Rrjetet shoqërore, teksa kush nuk i bie në fije se cili prej tyre ka më shumë ndikim, në shpërndarjen e Teorive të konspiracionit në kundërshti të marrjes së vaksinës e cila mbron njeriun dhe jetën e tij nga një vdekje që vjen nga ky virus, apo në pranimin e vaksinës. Zbulimi i vaksinës, aq i shpejtë, dëshmoi çfarë mund të bëjë shkenca në luftën kundër një sëmundjeje aq masive dhe aq të rrezikshme. Por duket që dija për vaksinën, për rëndësinë e saj, do të detyrohet tutje të luftojë me atë ortekun e spekulimeve, i cili po del që është tani më i rrezikshëm se vet Pandemia.