Sprova e zgjedhjes së Presidentit të Kosovës 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 15.03.2025 10:28 15.03.2025 10:28 Blerim Shala Kalendari politik i Kosovës që nisi me 9 shkurt, me zgjedhjet e para të rregullta parlamentare në historinë 17 vjeçare të shtetit të Kosovës, shënon edhe dy data të tjera të cilat njohin domosdoshmërinë formale dhe reale: Zgjedhjet për pushtetin lokal/ komunal, që do të mbahen në tetor të këtij viti, dhe zgjedhjen e presidentit/ presidentes së Kosovës, jo më larg se me 3 mars të vitit të ardhshëm (2026), sepse Vjosa Osmani është zgjedhur Presidente e Kosovës me 4 prill të vitit 2021, dhe më së voni tridhjetë ditë para skadimit të mandatit pesëvjeçar duhet të dihet trashëgimtari i saj apo duhet të ri-zgjedhjet ajo vet në këtë pozitë. Nuk ka ndodhur asnjëherë në të kaluarën që brenda një harku kohor prej pak më shumë se 12 muajsh të kemi tri votime të cilat përcaktojnë presidentin, qeverinë dhe deputetët, kryetarët e komunave dhe asamblistët. Megjithatë, derisa nuk ka varësi të drejtpërdrejtë në mes të zgjedhjeve për pushtetin qendror dhe atyre për nivelin vendor apo lokal, në rastin e votimit të presidentin e Kosovës, siç e dimë të gjithë, ne përballemi me një lidhje direkte në mes të përbërjes së Kuvendit të Kosovës dhe mundësisë për ta zgjedhur kreun e shtetit të Kosovës. Leximi i Gjykatës Kushtetuese të Nenit 86-të të Kushtetutës së Kosovës, i bërë në marsin e vitit 2011, në rastin e zgjedhjes së Behxhet Pacollit në këtë post, nuk ka kenë vend për dyshim: Nëse në dy rrathët e parë të votimit për Presidentin e Kosovës duhen 80 vota për njërin për dy kandidatët për këtë detyrë në shtetin e Kosovës, atëherë, në sallën e Kuvendit duhet të jenë të pranishëm së paku 80 deputetë dhe të gjithë duhet të votojnë. Në rrethin e tretë dhe final, pasi kërkohet shumica e parlamentit në favor të njërit prej dy kandidatëve, apo, 61 vota, atëherë ky numër paraqet edhe quorum-in e Kuvendit. Pra, sipas këtij Vendimi të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, për të nisur procesin e zgjedhjes së presidentit të shtetit, duhet konstatuar praninë e së paku 80 deputetëve, apo, të dy të tretave të përbërjes së Kuvendit, të cilët për më shumë, duhet ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votojnë. Në këtë mënyrë është pamundësuar opsioni i konsumimit të dy seancave të para të Kuvendit të Kosovës dedikuar zgjedhjes së presidentit, në mungesë të quorum-it (gjë është ta zëmë rasti me procesin e zgjedhjes së presidentit në Shqipëri, ku një rreth i votimit shterohet dhe kalohet në tjetrin, nëse nuk ka prani të numrit të kërkuar të deputetëve), dhe kalimi i mëpasshëm në seancën e tretë. Në anën tjetër, dihet që dështimi i zgjedhjes së presidentit të vendit në mënyrë automatike shpie vendin në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Në rastin konkret që ka të bëjë me zgjedhjen e presidentit të Kosovës deri më 3 mars të vitit 2026, nëse Kuvendi i ri i Kosovës, i dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, nuk do të ketë sukses në ballafaqimin me rrethin e parë të votimit (apo, nëse në sallën e Kuvendit nuk do të mblidhen së paku 80 deputetë), atëherë, zgjedhjet e reja parlamentare do të mbahen në muajin prill. Ndërsa askush mund të garantojë që përbërja e re e Kuvendit të Kosovës, e dalë nga këto votime, do të ofrojë sigurinë e mbërritjes tek quorum-i i kërkuar kushtetues. Stabiliteti politik i Kosovës është pra, që nga viti 2011 dhe ky interpretim/ vendim i Gjykatës Kushtetuese, peng i zgjedhjes së presidentit, apo i krijimit të një bashkëpunimi ndërpartiak tej-qeveritar i cili tash e sa kohë është synim aspak real. Heqja e këtij raporti vendimtar apo fatal (nëse mund të thuhet kështu), në mes të zgjedhjes së presidentit të Kosovës dhe stabilitetit politik në vend, mund të bëhet në dy mënyra legale dhe politike. Të dy mënyrat kërkojnë amandamentimin e Kushtetutës së Kosovës, e cila gjë njeh procedurat goxha të ndërlikuara me sigurimin e përkrahjes së dy të tretave të dyfishta të deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Mënyra e parë është në parim më e lehtë. Me te, do të lejohej mundësia që rrethi i parë dhe i dytë i zgjedhjes së presidentit të harxhohet në mungesë të pranisë të së paku 80 deputetëve të cilët do të votonin për njërin prej dy kandidatëve. Pastaj, do të mund të kalohej në rrethin e tretë, ku kërkohet prania dhe votimi i së paku 61 deputetëve. Mënyra e dytë është më sfiduese. Ajo kërkon që presidenti i Kosovës të votohet nga vet qytetarët e vendit, në zgjedhjet e drejtpërdrejta. Na kujtohet që në vitin 2012 u patën përgatitur amandamentet kushtetuese për ta mundësuar këtë procedurë të zgjedhjes së presidentit, por ato (amandamente) u kthyen mbrapsht asokohe nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Sidoqoftë, nëse në ndërkohë nuk trajtohet kjo çështje në mënyrën më serioze të mundshme në skenën politike të vendit, atëherë, stabiliteti politik në vendo do të sprovohet në mënyrën më serioze të mundshme sa herë do të duhet të votohet presidenti i ri i Kosovës.