Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Shqiptarët dhe ’Argumentet ruse’

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 21.06.2022 09:46

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, po i vazhdon përpjekjet e tij që ta përdorë rastin apo shembullin e Kosovës në mbështetje, siç e sheh ai, legale dhe politike, për pavarësinë e ‘Republikave’ të Luhanskut dhe Donjeckut, dhe për njohjen e tyre nga Federata e Rusisë.

Këtë e bëri edhe në Forumin ekonomik që u mbajt pak ditë më parë në Petrograd.

Nuk ka më këtu gjë për tu befasuar.

Putin, së paku para opinionit të vet në Rusi, por edhe tek shtetet dhe popujt që ai i llogaritë të afërta me Rusinë, mendon që e ka monopolin e interpretimit të dukurive politike. Apo, që nëse ai thotë që precedenti i Kosovës i pavarësimit të vitit 2008, vlenë njëlloj për Luhanskun dhe Donjeckun, në vitin 2022, atëherë, ky është qëndrim absolutisht i sakt.

Teksa ky përdorimi i rastit të Kosovës nga Presidenti Putin me siguri do ta njeh kontinuitetin e vet edhe në të ardhmen, çfarë kemi parë në këto dy-tri javët e fundit në Kosovë dhe në Shqipëri, është huazimi i ‘argumenteve ruse’, në shpjegimin e dukurive të rëndësishme politike këtupari, në rajon, si dhe në marrëdhëniet e Kosovës dhe Shqipërisë.

Duket që as në këto rrjedhat a zhvillimet në Kosovë dhe në Shqipëri, nuk ka më gjë që mund të na befasojë.

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, siç e dimë të gjithë, nuk pati mundësi për ta vizituar Beogradin para dy javësh, për shkaqe të njohura.

Njëri prej ‘argumenteve’ të cilat ky i përdori në komentimin e refuzimin e shteteve përreth Serbisë që t’i lejohej aroplanit të tij fluturimi kah Serbia, ishte që Perëndimi dëshiron një Ballkan të mbyllur, teksa ai vet, dhe Moska zyrtare, janë në mbështetje të nismës së ‘Ballkanit të hapur’.

Nuk mbahet në mend që më parë Diplomacia ruse është deklaruar fare për ‘Ballkanin e hapur’. Por ja që kësaj here, Lavrov, i cili e ka bërë me qëllim të qartë këtë prononcim, bëri që ndër ne të bëhet një lëmsh i vërtetë, sepse kjo fjali e Kryediplomatit rus, nisi të merret si një referencë që konfirmon që Projekti i ‘Ballkanit të hapur’ është një nismë krejtësisht e gabuar, që mbronë interesat serbe dhe ruse në këtë pjesë të Evropës.

Putinit dhe Lavrovit, Perëndimi prej 24 shkurtit të këtij viti nuk i beson gjë prej gjëje. Edhe nëse këta të dytë do të thonin që Bota është e rrumbullakët, nuk është çudi që ky konstatim qëmoti i vërtetuar shkencor, do të haste në dyshime të mëdha. Por ja që tek ne, pa një pa dy, ‘Argumenti Lavrov’ merret si ai sipërori dhe finali në adresimin e ‘Ballkanit të hapur’.

Madje, në një intervistë televizive, një ish-Ministër i Jashtëm i Shqipërisë, me një këmbëngulësi të madhe pohoi që ai vet ka takuar shumë herë Lavrovin, që ai është diplomat kariere dhe politikan serioz, prandaj, nuk ka arsye të mos i besohet atij kur shprehet në këtë mënyrë për ‘Ballkanin e hapur’.

Por çka do të ndodhte nëse ta zëmë, Lavrov do ta thoshte të kundërtën: Që ‘Ballkani i Hapur’ është ide e keqe, në kundërshtim me interesat e Rusisë?

Do të gjindeshim ne edhe në këtë rast. Kësaj here do të thoshim që Lavrov me qëllim po do të na mashtrojë, për të na krijuar bindjen që ‘Ballkani i hapur’ është Projekt i mirë, sepse Rusia po e shanë dhe po e kritikon ate.

Por ne nuk ndalemi me kaq, në ‘huazimin’ e argumenteve ruse.

Së fundit kanë nisur të qarkullojnë paralelet e anasjellta politike dhe historike në mes të Kosovës në njërën anë, Luhanskut dhe Donjeckut  (në Ukrainë), në anën tjetër.

Kështu, po thuhet që nëse këto dy ‘Republika’ të vetëshpallura, do të kenë të drejtë t’i bashkohen Rusisë, edhe Kosova do të duhej ta kishte këtë të drejtë, ashtuqë të bashkohet me Shqipërinë.

Në këtë mënyrë pra, krahasimet e Putinit kanë nisur të bëhen edhe ndër ne, natyrisht, nga një pikëshikim krejt tjetër.

Para se të gjithash, kush na e mbushi neve mendjen që Kijevi (Ukraina) dhe Perëndimi, do të pajtohen që njëmend diçka e tillë të ndodhë, apo që Luhansku dhe Donjecku t’i bashkohen Rusisë.

Në anën tjetër, si është e mundur që ndër ne, në mënyrë serioze tërhiqen paralelet në mes të ngjarjeve të sotme në Ukrainë dhe atyre të para njëzet e më shumë viteve në Kosovë, edhe pse dihet fare mirë se asgjë të përbashkët nuk ka në mes të Kosovës së atyre viteve dhe Ukrainës së kohës së sotme.

Por ja që ne nuk durohemi në ofrimin e interpretimeve tona shumë të veçanta  (në të gjitha aspektet e mundshme).

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme