Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Qëllimi i edukimit përmes Kupës së Botës

123
string(31) "Gordon Brown dhe Yasmine Sherif" string(64) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2022/11/Capture-331.jpg"
nga Gordon Brown dhe Yasmine Sherif 19.11.2022 17:05

Pasi talebanët u kthyen në pushtet në Afganistan 15 muaj më parë, liderët e tyre thyen premtimin për të lejuar vajzat të vazhdojnë të ndjekin shkollimin e mesëm. Për të bindur regjimin të ndryshojë kursin, komuniteti ndërkombëtar do të duhet të përdorë ndikimin e vendeve të tjera kryesisht myslimane, duke përfshirë Katarin pritës të turneut të Kupës së Botës 2022.

Të gjithë ata që po udhëtojnë për në Kupën e Botës 2022 në Katar dhe kanë shqetësime për të drejtat e njeriut, duhet të mblidhen për të protestuar kundër një abuzimi veçanërisht urgjent dhe neveritës të kohëve të fundit: vendimin e regjimit taleban që ndalon vajzat afgane të ndjekin shkollën. Zemërimi për ndalimin ndihet fuqishëm në Katar, në shtete të tjera anëtare të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC) dhe në vende tjera të Lindjes së Mesme dhe kryesisht shtete myslimane që kanë ndikim mbi talebanët. Prandaj, i gjithë komuniteti global i zhvillimit mund të bashkohet rreth objektivit të përbashkët për t’i kërkuar talebanëve të respektojnë premtimin e tyre të mëparshëm për të respektuar të drejtën e vajzave për arsim.

Uniteti për këtë çështje është i mundur, sepse bota myslimane jashtë Afganistanit mbështet mësimin e zakonshëm islam që mirëpret dhe inkurajon arsimimin e vajzave. “Iqra”, që do të thotë të lexosh, është fjala e parë e Kuranit. “Kërkimi i diturisë është i detyrueshëm për çdo mysliman”, thotë Al-Tirmidhi, Hadithi 74, një nga gjashtë mësimet kanonike në Islamin Sunit. Ky përkushtim i thellë për të mësuar – nga burrat dhe gratë – shpjegon pse Emiratet e Bashkuara Arabe kanë qenë kaq të hapura në mbështetje të arsimimit të vajzave në Kombet e Bashkuara dhe pse udhëheqësit e Katarit janë njohur ndërkombëtarisht për ngritjen e çështjes për arsimin si ndërmjetës mes Perëndimit dhe talebanëve.

Për më tepër, çdo vend është përkushtuar ndaj Synimit të katërt të OKB-së për Zhvillimin e Qëndrueshëm: Që çdo fëmije t’i sigurohet qasje në “arsim cilësor gjithëpërfshirës dhe të barabartë”. Duke iu falënderuar angazhimit të fortë shtetëror për të ofruar arsim për të gjitha vajzat, regjistrimi i grave në universitetet në Indonezi, vendi më i madh në botë me shumicë myslimane, është rritur nga 2% më 1970 në 39% më 2018. Dhe në Arabinë Saudite, gjysma e moshës universitare nga gratë ndjekin universitetin – një shkallë më e lartë e regjistrimit të grave sesa në Meksikë, Kinë, Brazil dhe Indi.

Propozimi për anulimin e ndalimit të shkollës bëhet edhe më i fuqishëm kur kujtohet se vetë Afganistani ka pasur periudha të gjata kur lulëzoi arsimimi i vajzave. Para marrjes së pushtetit nga talebanët në vitin 1996, 60% e mësuesve të Universitetit të Kabulit (dhe gjysma e studentëve të tij) ishin gra, dhe gratë afgane përbënin 70% të mësuesve të shkollave të vendit, 50% të punonjësve civilë të qeverisë (dhe 70% të 130,000 nëpunësve civilë në Kabul) dhe 40% e mjekëve. Vetëm në këtë shekull – deri një vit më parë – numri i vajzave afgane të regjistruara në shkollë u rrit nga vetëm 100,000 në vitin 2000 në më shumë se 3.5 milionë dhe arsimimi i femrave u dyfishua.

Fondi i OKB-së për Arsimin “Cannot Wait” (të cilin unë e kryesoj) ka investuar më shumë se 58 milionë dollarë në arsim në Afganistan që nga viti 2017, fillimisht përmes dispozitave emergjente për studentët e zhvendosur dhe së fundmi (deri vitin e kaluar) përmes një programi shumëvjeçar të qëndrueshmërisë që u lansua më 2019. Duke iu falënderuar punës së përkushtuar të partnerëve tanë – të udhëhequr nga UNICEF dhe OJQ të ndryshme – ky financim përfundimisht arriti te 51% e vajzave të reja studente afgane. Plani tani është të nisë një program i ri shumëvjeçar për të rritur qasjen e vajzave dhe djemve në arsimin e bazuar në komunitet, edhe në zonat më të largëta dhe më sfiduese.

Kjo është arsyeja pse komuniteti ndërkombëtar tani duhet t’i kërkojë njëzëri liderit taleban, Haibatullah Akhundzada, për të ndryshuar vendimet e tij, të cilat janë shtrirë përtej ndalimit të frekuentimit të shkollave nga vajzat, për t’i ndaluar ato nga hapësirat publike si parqet, palestrat dhe panairet publike të njohura të vendit. Regjimi gjithashtu ka rritur sanksionet ndaj grave që udhëtojnë pa një të afërm mashkull. Dhe mijëra grave punonjëse të qeverisë u është thënë të qëndrojnë në shtëpi, dhe për këtë arsye kanë humbur punën e tyre.

Protestat kundër këtij mohimi të pafalshëm të të drejtave të vajzave vazhdojnë të vijnë nga i gjithë sistemi i OKB-së dhe nga ministrat e jashtëm të vendeve të G7 dhe Norvegjisë, së bashku me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, të cilët kanë lëshuar një deklaratë ku i bëjnë thirrje talibanëve “të anulojnë urgjentisht këtë vendim, i cili do të ketë shumë pasoja, përtej dëmtimit për vajzat afgane”. Por është GCC-ja, Organizata e Bashkëpunimit Islamik (OIC) dhe vendet e mëdha myslimane si Pakistani dhe Indonezia, që mund të ushtrojnë ndikimin më të madh te talebanët.

Duhet t’u bëjmë thirrje dijetarëve myslimanë që të përdorin njohuritë e tyre fetare për të treguar se dekretet që ndalojnë vajzat nga shkolla e mesme janë në kundërshtim me mësimet e Islamit. Dhe ne duhet t’i kërkojmë OIC-së dhe GCC-së që të përdorin të gjitha mjetet diplomatike që kanë në dispozicion për t’i dhënë fund kësaj padrejtësie të rëndë. Nëse ka një synim për të cilin të gjithë ne që ndjekim Kupën e Botës mund të vendosim së bashku, ky është ai. Kemi një shans për të ndryshuar jetën e miliona të rinjve për të mirë.

Kjo kolumne është shkruar nga dy autorë: Gordon Brown dhe Yasmine Sherif.

Gordon Brown ka qenë kryeministër i Britanisë në periudhën 2007-2010 dhe kancelari i thesarit të Mbretërisë së Bashkuar. Ai tani është i Dërguari Special i Kombeve të Bashkuara për Arsimin Global, Kryetar i Grupit Drejtues të Nivelit të Lartë të Arsimit, dhe Kryetar i Komisionit Ndërkombëtar për Financimin e Mundësisë së Arsimit Global.

Yasmine Sherif është Drejtoreshë e Arsimit “Cannot Wait”.

lajme të ngjashme