Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Pse Ukraina nuk duhet ta pranojë paqen e stilit të Bosnjës?

123
NULL NULL
27.11.2022 21:48

Gjatë muajve të fundit, Ukraina ka arritur që të dëshmojë se shumë prej kritikëve të saj e kishin gabim kur nisën kundërsulmet dhe rimarrja e shumë pjesëve të mëdha të territorit të saj nga Rusia. Por sukseset e ushtrisë ukrainase dhe një tërheqje e Rusisë nuk kanë qenë të mjaftueshme për t’i bindur aleatët perëndimorë të Kievit që të rritnin mbështetjen. Në vend të kësaj ka pasur disa presione në drejtim të qeverisë ukrainase për t’u marrë me Kremlinin.

Kryetari i Shefave të Përbashkët të Shtabit të ShBA-së, Mark Milley, veçanërisht, ka kërkuar zgjidhje diplomatike, duke këmbëngulur që Ukraina nuk mund t’i çlirojë të gjitha territoret e saj. Të tjerë anëtarë të administratës së Presidentin Joe Biden nuk i kanë mbështetur publikisht thirrjet e tij për bisedime, por Presidenti i Ukrainës, Volodymyr  Zelensky, ka ndier presionin për të dhënë sinjalin e hapjes së negociatave.

Si një boshnjak që e shoh këtë zhvillim, dëgjoj kambanat e alarmeve tek bien. Ukraina, mendoj, mund të jetë duke shkuar drejt fatit të Bosnjës – një shtet i bërë jofunksional nga një marrëveshje paqeje me të meta.

Natyrisht, ne nuk mund të tërheqim një paralele të plotë midis Ukrainës dhe Bosnjës e Hercegovinës. Kur vendi im u sulmua më 1992, Kombet e Bashkuara vendosën një embargo për armët që kufizoi mundësinë për t’u vetëmbrojtur. U humb shumë territor në favor të armikut dhe nuk mundi që ta ndalonte gjenocidin.

Bashkësia evropiane, paraardhës i Bashkimit Evropian dhe OKB-ja dërguan diplomatë të cilët ndoqën një politikë të ndarjes të veshur me petkun e gjuhës së paqes.  “Mos shihni ëndrra”, u kishte thënë boshnjakëve ndërmejtësi britanik, David Owen në një çast të rrallë të çiltërsisë derisa ata shpresonin për një ndërhyrje ushtarake perëndimore.

Përndryshe, Ukraina ka gëzuar mbështetje diplomatike dhe ushtarake që prej nisjes së pushtimit nga Rusia. Furnizimi me armë në veçanti ka lejuar që jo vetëm Kievi të pengojë planet ruse për një pushtim të plotë të vendit, por edhe të nisë një kundërofensivë të suksesshme.

Por ashtu si kur forcat qeveritare boshnjake ishin në ofensivë në verën dhe vjeshtën e 1995-ës, kur ato u ndalën nga presioni perëndimor për negociatat për paqe. Ukrainasve gjithashtu po u thuhet në mënyrë të pashpjegueshme që t’i dorëzojnë armët në një kohë kur ata kanë një epërsi në fushëbetejë.

Në rastin e Bosnjës, shtyrja e parakohshme për negociata ishte ajo që e vendosi Sarajevën në një pozitë më të dobët. Ajo nuk i lejoi forcat e saj që të çlironin më tepër territor dhe u dha Serbisë dhe forcave të saj rebele më shumë leva në bisedime sesa që ato duhej të kishin.

Me Rusinë që ende është duke mbajtur shumicën e Donbasit dhe pjesë të Khersonit dhe Zaporizhias, Ukraina mund të gjendet në situatën e njëjtë.

Nëse presioni i Perëndimit vazhdon, Zelensky do të përballet me zgjedhjen e rëndë që presidentit boshnjak, Alija Izetbegoviq iu dha nga Richard Holbrooke – një diplomat amerikan dhe kryenegociator në bisedimet e Dejtonit në vitin 1995.

“A doni që ne të negociojmë një shtet të vetëm boshnjak, i cili do të kishte domosdoshmërisht një qeveri qendrore relativisht të dobët, apo do të parapëlqenit që ta lini Bosnjën të ndahet, duke ju lënë në kontroll të fortë të një vendi shumë më të vogël”, Holbrooke e kishte pyetur Izetbegoviqin.

Presidenti boshnjak vendosi që ta ruajë integritetin territorial të vendit. Sidoqoftë, për t’i rintegruar rebelët serbë, një koncesion kyç ishte krijimi i një entiteti politik shumë autonom të quajtur Republika Srpska, të cilit i është dhënë fuqi vetoje në qeverinë boshnjake.

Si rezultat, forcave armiqësore ndaj unitetit të Bosnjës iu dha aftësia për të bllokuar çdo lëvizje ekzekutive ose legjislative nga institucionet shtetërore të Bosnjës. Gjithçka – nga mbledhja e parlamentit të Bosnjës dhe miratimit i legjislacionit e deri te mbajtja e zgjedhjeve – mund të bllokohen në çdo kohë nga këto forca.

Këto kompetenca të vetos në thelb nënkuptojnë se funksionimi i vendit dhe stabiliteti i tij mund të minohen nga secesionistët, të cilët po nxisin gjithnjë e më shumë një konflikt.

Nëse Zelensky do të binte dakord për bisedime paqeje tani, atij do t’i paraqitej një zgjedhje e ngjashme: Ukraina t’i jepte territor Rusisë apo të pranonte formimin e rajoneve autonome besnike ndaj Kremlinit.

Presidenti ukrainas ka premtuar se do t’i çlirojë territoret e pushtuara, përfshirë Krimenë. Nëse ai bën kompromise me integritetin territorial ukrainas, kjo do ta minonte pozitën e tij në shtëpi dhe do ta dobësonte moralin e forcave të tij. Ai gjithashtu do ta bënte të gjithë territorin e Ukrainës të njohur ndërkombëtarisht të negociueshëm, – jo vetëm pjesët që Rusia i mban të pushtuara. Kështu, nuk do të kishte kurrë garanci se ky shtet do të ishte i sigurt nga pushtimet e ardhshme ose pretendimet territoriale.

Nëse Zelensky do të detyrohej të lejonte autonominë në lindje, do të rrezikonte që të vëzhgonte krijimin e një entiteti tipik të Republika Srpska. Kjo në mënyrë efektive do t’u jepte rebelëve pro-rusë një fjalë në qeverisjen e Ukrainës, me gjasë përmes fuqisë së vetos, të ngjashme me atë të Republika Srpska, e cila do ta bënte vendin jofunksional, siç është Bosnja. Kjo jo vetëm që do ta përmbyste zhvillimin e vendit, por do ta bllokonte edhe integrimin e tij në BE dhe në NATO.

Ukraina mund të mësojë nga përvoja boshnjake në mënyrë që të mos bëjë të njëjtat gabime.

Ajo duhet t’i rezistojë presionit për të hyrë në bisedime e hershme të paqes. Aparati i saj i PR [marrëdhënieve me publikun] dhe lobimit tashmë është duke bëtë punë të madhe dhe duhet të vazhdojë së bëri këtë. Por PR dhe antidoti më i mirë ndaj lodhjes nga lufta që tashmë është vendosur në shoqëritë perëndimore janë suksesi ushtarak – siç ka treguar ofensiva e verës.

Ukraina duhet të shtojë përpjekjet e saj për të ndryshuar faktet në terren. Ndërsa çlirimi i plotë përmes luftimeve mund të mos jetë i realizueshëm, arritja e një fitoreje mjaftë të madhe dhe bindëse kundër pushtuesve rusë do t’i jepte asaj një levë shumë më të fortë për të kërkuar tërheqjen e plotë të Rusisë dhe për të mbrojtur integritetin e saj territorial.

Në tavolinën e bisedimeve, situata ushtarake në terren është faktori më i rëndësishëm në formësimin e një zgjidhjeje paqësore. Në rastin e Bosnjës, ajo përcaktoi kufijtë e Republika Srpska dhe e lejoi atë të mbretëronte mbi territoret që ishin spastruar etnikisht nga myslimanët boshnjakë.  Kievi dhe Perëndimi nuk duhet të lejojnë që kjo të ndodhë në Ukrainë.

Një paqe me të meta e bëri vendim tim thellësisht jofunksional dhe minoi sigurinë dhe zhvillimin e tij. Kjo është shfrytëzuar lehtësisht nga Rusia, e cila ka fituar një klient lokal, në formën e udhëheqjes së Republika Srpska dhe është e gatshme ta minojë stabilitetin në Ballkan dhe në Evropë në tërësi. Zelensky do të bënte mirë t’ua kujtonte partnerëve të tij perëndimor këtë precedent dhe t’i thërriste ata që të mos bënin kërkesa të paarsyeshme për bisedime të hershme të paqes.

Hamza Karçiq është profesor i asocuar në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Sarajevës.

Artikulli pasqyron qëndrimin e autorit, është i publikuar në AlJazeera derisa është përkthyer nga KlanKosova.tv.

lajme të ngjashme