Problemi Nr.1 në raportet e BE-së me WB6 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 07.10.2021 14:10 07.10.2021 14:10 Perspektivë evropiane. Zgjerim i Bashkimit Evropian. Reforma të brendshme të shteteve pretenduese. Përfaqim i vlerave politike dhe ekonomike evropiane. Fuqizim i Sundimit të ligjit. Bashkëpunim rajonal. Fqinjësi të mirë. Përkrahje financiare për rajonin në vlerë prej 30 miliardë eurosh në shtatë vitet e ardhshme. Ambientalizëm. Bashkëpunim në fushën e sigurisë pos tjerash, për shkak të rolit të ‘Aktorëve të tretë’ (lexo: Rusisë dhe Kinës). Edhe shumë elemente të tjera u gjetën në Deklaratën e Bërdos (Slloveni), të Samitit të BE së dhe Ballkanit Perëndimorë, të mbajtur këtë të mërkurë me 6 tetor. Në përgjithësi pra, të gjithë përbërësit e duhur politik gjetën vendin e tyre në këtë Deklaratë, e cila si gjithmonë në diplomaci, është tekst i kompromiseve dhe pajtimeve, të cilat në rastin e BE-së, si të tillë, madje, janë perfeksionizëm diplomatik, që shpeshherë rrezikon të shndërrohet në një prononcim që më shumë synon për të mos treguar se cili është qëndrimi a pozicioni i BE-së për një temë të rëndësishme se sa anasjelltas: Të shfaqë qartësinë e politikës së Bashkimit Evropian. Kështu duket që ishte edhe kësaj here, me Deklaratën e Bërdos. BE-ja e sotme, që është më shumë se kurrë më parë një Konfederatë shtetesh, ishte tepër e kujdesshme që me këtë Deklaratë, të mos përçojë ‘mesazhe të gabuara’, porosi një kuptimore, në drejtim të Ballkanit, tek shtetet dhe lidershipet (e tyre), të cilat, sidoqoftë, nuk marrin vesh ndryshe pos nëse ju thuhet fare troç se për çka bëhet fjalë, çka kërkohet shumë konkretisht prej tyre dhe çka dhe kur mund të përfitojnë, kur bëhet fjalë për anëtarësimin e tyre në Bashkimin Evropian. Në këtë kontekst pra, BE-ja, assesi nuk deshti t’i rrisë edhe më tej dyshimet tek gjashtëshi i Ballkanit Perëndimor, edhe pse kund në këtë Deklaratë nuk u përmend që janë WB6, por vetëm WB (Ballkan Perëndimor), që Brukseli zyrtar nuk e ka ndërmend fare të zgjerohet edhe nga këto anë të Evropës, për ta kompletuar kështu hartën e vet, e cila aktualisht nuk është e plotë, se WB6 është një ishull brenda BE-së. Por, në anën tjetër, brenda këtij konceptit të mjegullimit të qëllimshëm, në këtë Deklaratë, BE-ja poashtu deshti të shmang çfarëdo zotimi konkret të vetin sa i përket afateve kohore, qoftë edhe të përafërta, kur do të mund të ndodhë zgjerimi i BE-së. Kryeministri i Sllovenisë, Janez Janša, siç pranoi edhe vet në konferencën e përbashkët për shtyp, nuk kishte pasur sukses t’i bindë disa shtete të BE-së (të prira nga Franca), që mund të ofrohet vitit 2030, si ai kufiri i parë i mundshëm kohor, kur do të mund të rrumbullakësohej zgjerimi i BE-së. Ishte edhe ai opsioni tjetër, i ekstremit tjetër, në draftimin e këtij Dokumenti, që fare të mos përmendej fjala ‘zgjerim’, gjë që njëmend do të kishte domethënien e këmbanave të alarmit për Kosovën, Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Bosnjën e Hercegovinën dhe Serbinë. ‘Kompromisi magjik evropian’ pra ishte përfshirja e konceptit ‘Zgjerim’ (i BE-së), së bashku me ‘Perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor’, e kur dhe si njëmend mund të ndodhë ky zhvillim, këtë kush nuk e di, as në Bruksel, as në kryeqendrat kryesore të BE së, dhe as në gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor. Kjo Deklaratë, kështu, nuk e bën kënd të lumtur, i zhgënjen goxha shumë shtetet e WB6, por disi e shmangë rënien në një depresion të thellë politik. Duket që problemi Nr.1, më i madhi i mundshëm, prej të cilit pastaj rrjedhin të gjithë të tjerët në këto marrëdhëniet e gjashtëshes së WB me BE-në, ka të bëjë me një mungesë të thellë të besimit në mes të BE-së dhe WB6 dhe anasjelltas. Mund të flitet e të shkruhet këtu ditë dhe natë se si te dy palët mbërritën në këtë stad, apo kush dhe sa i ka kontribuar që tash e disa vjet, në BE, mendimi mbizotërues është që thuaja të gjitha shtetete e Ballkanit Perëndimor vetëm simulojnë se kinse janë duke u marrë me reformat e brendshme, se e kanë prioritet Sundimin e ligjit, etj.etj, apo që andejpari ka tendenca retograde në fakt, ndërsa këtupari, në shtetet e Ballkanit Perëndimor, qëndrimi kryesor është që në realitet, BE-ja vetëm po simulon që e ka seriozisht me synimit për ta shtuar numrin e shteteve anëtare me gjashtë shtetet e kësaj pjese të Evropës. U tha tashmë, mund të ketë shpjegime të shumta pse po ndodhë ky mosbesim, apo, sa kanë hise elitat politike të WB6 për këtë gjendje të dyshimit të madh në Bruksel dhe në kryeqytetet kryesore të BE-së. Por, janë dy shembuj të cilët dëshmojnë shumë konkretisht edhe përgjegjësinë e BE-së për rënien e madhe të kredibilitetit të Bashkimit Evropian në këto anë të Evropës. Shembulli i parë, ka të bëjë me ne, me qytetarët e Kosovës. Edhe pse qysh në marsin e vitit 2018-të, Kosova ka përmbushur edhe kriterin e fundit për të fituar Liberalizimin e vizave, tani, kur janë mbushur 40 muaj (e pak më shumë) që prej se Kuvendi i Kosovës e kreu atë obligimin përfundintar (të miratimit të Ligjit për shenjimin e kufirit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi), nuk e di kush as këtu dhe as në Bruksel, kur do të mund BE-ja ta respektojë atë pjesën e vet të kësaj ‘Kontrate’ me Kosovën. Shembulli i dytë lidhet me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Pritej që te dy shtetet do të ecin para në procesin e integrimit në BE, por Bullgaria e ka ndalë Maqedoninë e Veriut, e kjo pa dashje e ka lidhë fatin e Shqipërisë me atë të vetin (kjo është qasje e vet Brukselit), teksa Shkupi zyrtar bëri një kompromis të madh duke u pajtuar me Greqinë për ndryshimin e emrit të vet, krejt kjo me motiv të qartë që emri i ri do të jetë një lloj i password-it për Maqedoninë e Veriut për t’i shpejtuar hapat kah BE-ja. Kriza e ndërsjelltë e besimit në mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, si e tillë, mund fare lehtë të ketë për pasojë ngjarjet dhe zhvillimet të cilat do të shënojnë një prapakthim të gjithë Ballkanit Perëndimor. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.