Maja e akullnajës 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 31.08.2022 12:35 31.08.2022 12:35 Deri pak ditë më parë, mbase, të gjithë ne që jetojmë në Kosovë, kemi menduar që nuk ka më lajm që mund të na tronditë me themel, si thuhet. Kemi përjetuar dhe parë shumëçka në këtë jetën tonë, për të mbërri te një konkludim që kemi një shkallë të lartë të imunitetit ndaj lajmeve, ciladoqofshin ato. Megjithatë, njohtimi që në Prishtinë, pesë veta kanë dhunuar për orë të tëra një vajzë 11 vjeçare, na shtriu për toke të gjithë neve dhe na bëri që vetes dhe të tjerëve rreth nesh, t’i parashtrojmë dhjetëra pyetje, ku ato kryesoret ishin: Si është e mundur diçka e tillë, në Prishtinë, në Kosovë? A paska në mesin tonë edhe njerëz të këtillë? Kush është krejt përgjegjës për një krim të kësisojt, të pashoq ndër ne për shumë vite? Çka duhet të bëjmë tash e tutje që mos të përballemi më me lajme të këtilla të tmerrshme? Dhunimi i një vajze, fëmije në fakt, 11 vjeçe, është diçka që nuk ka mundur dot të paramendohet këndejpari. Për këtë shkak, nuk është aspak befasi që pati shpërthime vullkanike të emocioneve, të shoqëruar me ‘llavën’ e propozimeve më të ndryshme se si do të duhej të dënoheshin këta që në mënyrë mostruoze kryen këtë vepër të rëndë dhe të tmerrshme e cila ka goditur aq keq një fëmijë, disa familje, dhe gjithë qytetarët e Kosovës. Do të merremi, kështu si jemi, si shoqëri, edhe disa javë, mbase, edhe pak më shumë me këtë ngjarje që njëmend na ka tronditur të gjithë neve. Secili prej nesh që është prind, që është baba dhe nënë, e që ka vajzë për fëmijë, do të jetë më i kujdesshëm se deri tash, apo do t’i shtojë këshillat për vajzën e vet. Secili prej nesh që është prind, që është baba dhe nënë, e që ka djalë për fëmijë, do t’ia përkujtojë atij se çfarë ka ndodhur në këtë rast, dhe që assesi nuk bën të ecet në këto rrugët e këqija. Mbase, edhe në shkolla, do të ketë mesazhe shtesë dhe një përkujdesje të veçantë. Megjithatë, të gjitha këto janë masa refleksive dhe emocionale, të cilat me kalimin e kohës do të zbehen. Ato ta kujtojnë atë veprimin e mbylljes në shtëpi dhe banesa në ato ditët dhe javët e para të shpërthimit të Pandemisë. Mënyra e vetme për t’i dhënë përgjigjen e duhur këtij lajmi që i ngjanë një alarmi për shoqërinë kosovare, është, (sërish, si në rastin e ballafaqimit me një virus), forcimi i imunitetit kolektiv të shoqërisë kosovare. Kjo nuk është punë ditësh dhe javësh. Fatkeqësisht. Por vitesh të tëra. Nëse punojmë mirë dhe mbarë. Teksa edhe në atë rast, vështirë që do të mund të shmangen rastet e këtilla tragjike. Para se të gjithash, çfarë ndodhi para disa ditësh në Prishtinë, është vetëm maja e asaj akullnaje, e cila shihet. Në përmasat e plota të një akullnaje të madhe, maja e saj është në shpërputhje të madhe me tërësinë e saj. Teksa kjo pjesa që nuk shihet, në të vërtetë, është baza e identitetit të një akullnaje. Kjo ana sipërfaqësore e krimit të madh të dhunimit të një 11 vjeçareje, do të zbardhet për fare pak ditë. Në të vërtetë, tashmë dihet se çka ka ngjarë në ato orët e tmerrit për këtë vajzë. Do të kuptohet, nga policia dhe prokuroria, pse ndodhi ky krim, dhe prej çfarë ambientesh familjare dhe shoqërore vijnë këta djem. Do të kërkohet të gjindet farë lidhje e logjikshme në mes të krimit dhe autorëve të tij. Sepse në këtë mënyrë, në të ardhmen mund të ndërmerren masa të cilat do të parandalonin këtë krime të rënda. Por, edhe brenda nesh, ka ‘akullnajë’ që nuk shihet, dhe që mund të mos zbulohet kurrë, madje. Krejt çka bën një shoqëri, kudo në botën demokratike, është që përmes familjes, përmes shkollimit dhe edukimit, përmes favorizimit të vlerave qytetëruse dhe kulturore, përmes mediave dhe mjeteve të tjera të komunikimit, ta mbajë sa më shumë që është e mundur nën mbikëqyrje këtë ‘akullnajë’ brenda secilit prej nesh, shkrirja e të së cilës mund ta bëjë hatanë për neve, për të tjerët përreth nesh dhe për krejt një shoqëri. Nuk kemi çka të krenohemi ne në Kosovë në këtë aspekt. Kemi një mori të metash dhe dështimesh. Si shoqëri. Më e keqja është që ende nuk jemi të vetëdijshëm për këto të meta, për këto dështime dhe këto gabime. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.