Live Transmission: Apocalypse 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 10.07.2021 15:21 10.07.2021 15:21 Seria Televizive ‘Katla’ e regjisorit Baltasar Kormakur Çka është Vik? A është Qytet? Qytezë? Fshat? Vendbanim? A është Strehë? A është Vik fare toponim? Apo, ky është një vend ku jetojnë fare pak familje, në shtëpitë e shkapërderdhura, me një të tashme të përbashkët, ku është një hotel i vetëm, në të cilin rëndom nuk ka fare mysafirë, ku nuk ka kafeteri dhe restorante të mirëfillta, ku nuk ka as vetura personale. Ku bashkëjetojnë dhe bashkëvuajnë e bashkëndjejnë ata që qëndrojnë fare pranë një vullkani të quajtur Katla. Rrëzë një tragjedie që vjen nga natyra për njerëzit, të cilët e shndërruan natyrën në një tragjedi të përhershme. Këta janë njerëz që nuk kanë ikur dhe nuk kanë shpëtuar prej erupsioneve të Katla-s, nuk janë larguar prej Vik-ut, si shumë të tjerë para tyre. Sepse, jetën nuk e shpjegojnë dhe nuk e kodifikojnë më si ikje, si largim dhe si shpëtim. Por, si një rrnesë. Rrnesë të zakonshme, në një ambient krejtësisht të jashtëzakonshëm, për të heshtur, për të folur, për të treguar, për të rrëfyer. Për t’i kallëzuar vetes dhe për të na kallëzuar neve të tjerëve për çka bëhet fjalë atëherë kur mendimet dhe fjalët digjen në llavën e vullkanit, fluturojnë anekënd me stuhitë e hirit, dhe fundosen me dallgët e Oqeanit. Rrnesë në një vend kur nuk ka më shpjegim, sqarim, justifikim. Kërkim të kuptimit. Madje. Po a është vetë Katla vullkan, apo diçka tjetër? A ka këtu, në këtë vullkan, diçka më shumë? A është Vik një gjendje njerëzore, në të vërtetë? Gjendje dhe status fizik dhe shpirtëror. Dhe a është Katla ajo ana tjetër, e errët, e kësaj gjendjeje njerëzore? E cila, pastaj, kur dyzohet me Vik-un, përmes dyfishimit të një numri të banorëve të tij, me dytës, zbardh natyrën e vërtetë të Njeriut. Seria ‘Katla’, e cila ndiqet në Platformën Netflix (që prej qershorit të këtij viti, 2021), e regjisorit islandez Baltasar Kormakur, i ka të gjitha këto në vete, duke shfaqur të gjitha problemet e mundshme të identitetit të Njeriut, të gjetur jo në atë rrëmujën e madhe, të pakapshme, të pafundmë, të një ambienti të zhurmshëm bashkëkohor që mbledh miliona veta në një vend, që bluan miliona fate, për ta bërë atë që quhet përparim, zhvillim, ngjitje kah-më-lart të të gjithë neve. Kinse. Këta, në serinë e regjisorit Kormakur, janë fare pak veta. Jetojnë në Vik, pra, në jug të Islandës, aty në karshillëk me vullkanin Katla. ‘Katla’, për të kuptuar me të parën për çka flitet këtu, është, pos tjerash, një përzierje e serive të njohura çfarë janë ‘Twin Peaks’, ‘X-Files’, ‘Chernobyl’. Por, ‘Katla’ ecën, në fakt, tej këtyre serive. Prandaj, asnjë krahasim këtu nuk bën punë. “Katla’ është një mister në vete, i cili i referohet edhe folklorit islandez, është një horror që nuk të tmerron si i tillë (nuk ka asnjë skenë të këtij lloji), është një kallëzim që ndërlidh një ambient të FundBotës me Fundin e Njeriut, të tillë çfarë ne e dimë. Nëse njëmend dimë diçka për veten. Fare. Vik, si vendi i ngjarjes në serinë ‘Katla’, i përmbush të gjitha kriteret dhe (para) gjykimet tona për Ferrin. Aty ka vullkan, ka zjarr dhe ky tym. Toka është e mbuluar me borë të ndotur me hi, prandaj vetëm tek-tuk vërehet bora. Aty nuk shihet fare Qielli dhe as Dielli. Dita është e shkurtër. Nuk ka gjë argëtuese. Nuk ka më as turistë që më parë shkonin ta dëshmonin erupsionin e Katla-s. Këtu nuk mund as të hyhet pa leje të posaçme qeveritare. Këtu ka shumë korbë të zinj, me një pendël të bardhë, që bien dhe rrëzohen shpesh për toke (për shkak të ajrit të ndotur), ka kuaj të harlisur që nuk dinë kah po shkojnë, dhe ka Oqean të dalldisur, i cili është në gjendje të gëlltisë gjithçka. Dhe çdokënd. Është, pra, thënë shkurt, një Apokalips në ndodhje e sipër. Apocalypse Live Transmission. Do të thuhej me gjuhën televizive. Dhe në këtë Ferr, aty në Jug të Islandës, në Veri-Perëndim të Evropës, një Botë larg jetës së zakonshme, nisin të shfaqen dukuri krejtësisht të papara, të pakapshme, të pakuptimshme për banorët e tij, të cilët tashmë mendojnë se i dinë të gjitha, pasi kanë hequr dorë prej të gjithave, për të gjallëruar këndejpari me vdekjen e përhershme. Të mbuluar me baltë dhe me hi të vullkanit Katla, nisin të zbresin në Vik dytësit e disa prej krye-protagonistëve: Një femër që kishte vdekur, një fëmijë po ashtu i vdekur, një femër që këtu është njëzet vjet më e re se ajo tjetra që është gjallë dhe që jeton në Suedi (dhe që ka moshën e saj kur ka qenë në Vik), një tjetër femër që është e shëndoshë, krahasuar me atë tjetrën që po vdes prej kancerit, dhe një tjetër femër që është, madje, në të njëjtën moshë me këtë që tashmë ka jetën e vet. Janë këta të Vik-ut dhe janë ata të Katla-s: Duken njësoj, ecin njësoj, flasin pak a shumë njësoj, por nuk janë të njëjtë, sepse përputhja fizike nuk e ka këtu domethënien edhe të përputhjes mendore dhe shpirtërore. Të gjithë këta, në të vërtetë, janë përmbushje e plotë biologjike e dëshirave të më të afërmve të tyre për t’i parë sërish të gjallë ata që kanë vdekur. Për t’i shpëtuar një vdekjeje të paralajmëruar (nga sëmundja e rëndë, nga kanceri). Për t’i ikur disi edhe shterjes shpirtërore, të një femre që nuk e do më burrin e saj. Për ta zbuluar një të vërtetë të panjohur nga e kaluara (që njeri prej këtyre protagonistëve është baba i një djali me të meta fizike). Apo, për të kuptuar që të metat e këtij djali janë me rrënjë gjenetike, e nuk janë pasojë e një aborti të dështuar. Ringjallja, cilado qoftë ajo, e dëshiruar, e synuar, e imagjinuar prej nesh, është ngadhënjim mbi vdekjen, mbi fundin dhe mbi tmerrin. Këtu, Ringjallja që vjen në një Ferr, në një FundBotë, nga një meteor që ka rënë kush e di prej ku, prej Gjithësisë (dhe që e mundëson këtë shfaqjen e dytësve), në vullkanin Katla, sjell sërish fund, sjell edhe një herë tmerr, dhe e konfirmon vdekjen. Mbase, si fat final të Njeriut. Nuk mund të ketë, pra, disi bashkëjetesë midis këtyre dytësve, ose të ringjallurve që vijnë nga Katla, dhe këtyre të gjallëve që jetojnë në Vik. Këta sjellin të vërtetat e duhura për këta banorët e Vik-ut, por e vërteta supreme këtu, që paska dytësa që vijnë nga Katla, është e padurueshme, e papërballueshme dhe e paqëndrueshme. Për këtë shkak, në rrëfimin e serisë së regjisorit Baltasar Kormakur, këta që zbresin në Vik nga Katla e pësojnë të gjithë keq, pasi që merret vesh se ata (të gjithë) kanë tipare ose veçori që nuk i bëjnë më të mirë, por më të këqij sesa versionet origjinale të tyre. Zaten, këta janë ringjallur përmes Ferrit (të Katla-s), e jo përmes Parajsës (ose Kopshtit të Edenit). Tre prej këtyre dytësve bëjnë vetëvrasje kur marrin vesh se çka janë, ose, edhe në vijim të ballafaqimit me ato identitetet origjinale (në përplasje me to), të cilat i kanë krye-protagonistët e këtij rrëfimi. Njëra femër zhduket (nuk dihet fati i saj). Fëmija i vetëm që është ringjallur (e që është dytës i atij që kishte vdekur) mbytet në Oqean nga prindërit e tij, pasi që ky i bën disa krime të rënda, përfshirë edhe vrasje, dhe kur babai dhe nëna e tij e kuptojnë se ky nuk është në të vërtetë i biri i tyre. Regjisori i kësaj serie të shkëlqyeshëm, Baltasar Kormakur (i cili është autor edhe i filmave të njohur si ‘Myrin’ dhe ‘The Deep’, i cili madje arriti në listën e ngushtë të ‘Oscar’ për filmin më të mirë të huaj disa vjet më parë, si dhe i serisë së popullarizuar ‘Trapped’), këtu, në një ambient të rëndë, të mundimshëm e sfilitës natyror dhe njerëzor, arrin t’i skalisë, si një skulptor i madh, si një mjeshtër i veçantë, me kamerën e tij, protagonistët e kësaj serie. Këta të gjithë shndërrohen në galeri të personaliteteve, të cilët, edhe pse secili e ka një fat të vetin (që na sipërfaqësohet më së shumti përmes dytësve), e kanë edhe një fat të përbashkët të të jetuarit në këto rrethana, në Vik, pranë vullkanit Katla. Mbase, këtu duhet dalluar mënyrën se si Kormakur e portretizon figurën e Shefit të Stacionit të Policisë në Vik (i cili stacion, në fakt, nuk ka policë të tjerë). Ai jeton me gruan e tij, e cila ka hyrë në fazën terminale të sëmundjes (kancerit). Është çështje javësh që ajo do të vdesë. Ky është gjithmonë i pastër, në uniformë, me këmishë të bardhë, edhe pse gjithçka rreth tij është e ndyrë. Kështu, ky kujdeset për dukjen dhe pastërtinë e tij fizike. Ky thuaja përherë e ka Biblën në dorë, dhe shpeshherë e shohim duke e lexuar atë dhe cituar pjesë të saj. Kështu ky duhet ta ruajë pastërtinë shpirtërore. Ky, pastaj, duket se është plot mëshirë për gruan e tij, për të cilën (na duket neve) kujdeset më së miri. Kështu na shfaqet me pastërtinë humane a njerëzore. Por, në fund të serisë, kur vjen dytësja e gruas së tij, e gjallë, e bukur, plot jetë, ose, kur i përmbushet ëndrra që gruaja e tij të shërohet dhe të bëhet ajo e moçmja (një femër e bukur që rrezaton epsh), ky kupton që në të vërtetë ëndrra e tij paska qenë mëkat (nga pikëshikimi i një besimtari), prandaj mendon që dytësja është një djall, e jo një engjëll. Madje, e ngujon atë dhe mundohet ta heqë qafe. Më në fund, i biri i tij e merr vesh që i ati nuk paska qenë i mëshirshëm dhe i dhënë pas gruas së vet, sepse qëllimshëm ia paska zëvendësuar terapinë kundër kancerit me vitamina. Kështu, bëhet pluhur e hi i zi i Vik-ut pastërtia e trefishtë e Shefit të Policisë. Ai, pastaj, e humb edhe gruan dhe dytësën e saj, të cilat së bashku bëjnë vetëvrasje. Gruas, edhe ashtu nuk i kishte mbetur më jetë. E dytësja e dinte që s’ka jetë të mirëfilltë në vete. Që është dytëse. Por, pa të dyja, dhe duke e humbur veten, për shkak të mashtrimit që ia kishte bërë gruas dhe Zotit (a besimit në të), mbetet edhe Shefi i Policisë në Vik. Seria ‘Katla’, rrëfimi i së cilës përcillet me muzikë shumë të mirë të autorëve të ndryshëm (ku dominon instrumenti i çelos, aq adekuat për këtë ambient), përfundon me një pamje të errësuar, kur disa hije, si dytësa, çohen nga Katla dhe nisen drejt Vik-ut. Regjisori Kormakur, me këtë epilog, realisht, hap mundësi për një vazhdim të kësaj serie, natyrisht, në varësi nga shikueshmëria e tij dhe nga popullariteti. Në të kundërtën, një përfundim i këtillë mund të interpretohet si një paralajmërim i rishfaqjes së dytësve në Vik, për ta shënuar ngadhënjimin final të Ferrit të Katlas ndaj Vik-ut, ose, thënë ndryshe, të hakmarrjes së Natyrës ndaj Njeriut, i cili aq shumë e ka shfrytëzuar atë për ta bërë një Qytetërim të vetin që kinse nuk varet fare nga ajo, nga Natyra. Ndërsa, të gjithë ne e dimë çka po ndodh në këtë përplasje të Natyrës me Njeriun prej fundit të vitit 2019 e këndej. Dhe çka mund të ndodhë tash e tutje, si pasojë e ngrohjes globale. Po: Tmerr janë Njerëzit. Tmerr s’është Natyra: Jo. Në anën tjetër, sekush që e sheh serinë ‘Katla’ mund ta ketë edhe një interpretim tjetër të tij, që i rikthehet atij shpjegimi të jetës së Njeriut, ose përpjekjes së vazhdueshme për ta interpretuar atë, e cila shfaq atë bindjen e tij (të Njeriut), të zhvilluar mirë në Filozofi dhe në Teologji, tash e mijëra vjet, sipas së cilës del që Metafizika i paraprin Fizikes, Mbinatyrorja vjen para Natyrores, Parajsa ndodh para jetës tokësore. E çka nëse është e anasjellta? Çka nëse Fizikja është burim i Metafizikës, nëse Natyrorja e bën Mbinatyroren, jeta e rëndomtë këndejpari e krijon Parajsën? Dhe çka nëse të gjitha këto janë vetëm gjendje njerëzore? Në të vërtetë. Siç dalin të janë edhe Vik-u. Edhe Katla. Edhe kjo seri televizive. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.