Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Liberalizimi i mashtrimit

123
string(14) "Bekim Çollaku" string(66) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2021/03/collakuuuuuuu.png"
nga Bekim Çollaku 26.03.2021 12:32

Mungesa e vendimmarrjes nga ana e BE-së për liberalizimin e vizave, që nga viti 2016 e deri më sot, dëshmon që BE-ja jo vetëm e ka trajtuar Kosovën në mënyrë të pabarabartë në këtë proces, por edhe më keq, ka mashtruar qytetarët dhe institucionet e Kosovës. Kështu, BE-ja në vend që të merr vendimin për liberalizimin e vizave, ajo ka liberalizuar mashtrimin në relacion me Kosovën.

 

Anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian (BE) mbetet prioritet dhe objektiv i pandryshuar, pavarësisht rrugës së gjatë dhe pengesave pafund. Gjendja aktuale në kuadër të këtij procesi është tepër pesimiste dhe e pashpresë, së paku në planin afatshkurtër. Procesi i integrimit të Kosovës në BE është dhe do të mbetet i bllokuar për aq kohë sa pesë shtetet anëtare të BE-së (Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qipro) nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Si rrjedhojë, deklaratat për anëtarësimin e Kosovës në BE, qoftë ato të bëra nga zyrtarët e Kosovës apo atyre të BE-së, në rastin më të mirë tingëllojnë monotone. Të përballura me një realitet të tillë të hidhur, institucionet e Kosovës të paktën kanë shpresuar se do të mund të përmbushnin disa procese më të lehta në kuadër të këtij procesi kompleks. Por, një gjë e tillë, doli të jetë pothuajse e pamundur. 

Procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën është eksperienca më e hidhur e qytetarëve dhe institucioneve shtetërore në relacion më BE-në. Ky proces i cilësuar si teknik, Kosovës iu ofrua me shumë vonesa në vitin 2012, kur BE-ja vendosi që edhe formalisht t’i ofrojë Kosovës udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave. BE-ja u kujdes që Kosova të ishte shteti i fundit nga të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, të cilit iu ofrua dialogu për liberalizimin e vizave. Për më tepër, BE-ja për ta bërë sa më të vështirë këtë proces, Kosovës ia dyfishoi listën e kritereve që duhej përmbushur, krahasuar me shtetet tjera fqinje që këtë proces tashmë e kishin përmbyllur. Pra, BE-ja nuk e trajtoi Kosovën në mënyrë të barabartë me shtetet tjera të rajonit tonë, jo vetëm në aspektin kohor të fillimit të këtij procesi, por as nga aspekti i volumit të kritereve të kërkuara dhe natyrës së kritereve.

Trajtimi jo i barabartë i Kosovës, shikuar nga dy aspektet e cekura, asnjëherë nuk ka qenë pengesë që institucionet përgjegjëse shtetërore ta mbajnë si top prioritet përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave. Përkundrazi, zyrtarët shtetërorë të përfshirë në këtë proces kanë qenë të përkushtuar dhe profesionalisht në nivel të përmbushjes së kritereve. Si rezultat i punës së madhe dhe përkushtimit konsistent, Komisioni Evropian i BE-së, në maj të vitit 2016 zyrtarisht i rekomandoi Parlamentit Evropian dhe Këshillit të BE-së, që të marrë vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Në atë periudhë, Komisioni Evropian kishte lënë të hapura edhe dy kritere të cilat pritej të plotësoheshin në proces e sipër, atë për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkimin e Kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi dhe arritjet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Fatkeqësisht, deputetët e Parlamentit të Republikës së Kosovës dështuan të ratifikojnë marrëveshjen për demarkacion. Por, edhe më keq, Kuvendi i Kosovës u shndërrua në arenë të dhunës dhe imazhi i Kosovës u përkeqësua. Kjo situatë e krijuar ishte e mjaftueshme që BE-ja ta arsyetojë edhe për disa vite mungesën e vendimit pozitiv për liberalizimin e vizave. Si rrjedhojë, qytetarët e Kosovës me të drejtë mbanin përgjegjës për vazhdimin e izolimit sjelljen e papërgjegjshme të institucioneve shtetërore.

Në mars të vitit 2018, Parlamenti i Kosovës arriti të ratifikojë marrëveshjen për demarkimin e kufirit me Malin e Zi. Ky moment me të drejtë konsiderohej si vendimtar në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave. Institucionet shtetërore të Kosovës përmbushën të gjitha kriteret e kërkuara. Tani qytetarët dhe institucionet e Kosovës me të drejtë prisnin që BE-ja të merrte vendimin e vonuar dhe të merituar. Mirëpo, një gjë e tillë nuk ndodhi as atëherë dhe as sot. Prandaj, mungesa e vendimmarrjes nga ana e BE-së që nga atëherë e deri më sot, dëshmon që BE-ja jo vetëm që e ka trajtuar Kosovën në mënyrë të pabarabartë në këtë proces, por edhe më keq, ka mashtruar qytetarët dhe institucionet e Kosovës. Kështu, BE-ja në vend që të merr vendimin për liberalizimin e vizave, ajo ka liberalizuar mashtrimin në relacion me Kosovën. 

Kosova, për më tepër se një dekadë është shteti i vetëm në Ballkanin Perëndimor të cilin BE-ja e mban të izoluar në aspektin e lëvizjes pa viza në zonën Schengen dhe pa asnjë shpresë për anëtarësim në BE. Pavarësisht këtij realiteti dhe përvojës së hidhur të deritanishme, Kosova mbetet e përkushtuar ndaj procesit të anëtarësimit në BE, kurdo që BE-ja i heq pengesat e saj. Mirëpo, Kosova nuk e meriton të tallet në këtë mënyrë nga BE-ja dhe shtetet anëtare të saj, duke vazhduar së miratuari raporte, rezoluta e duke bërë edhe më tutje deklarata e thirrje monotone për liberalizimin e vizave. Puna serioze që është bërë nga mijëra zyrtarë shtetërorë në kuadër të procesit të përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave, nuk do të duhej të përfundonte në një mashtrim të tillë. Kjo qasje e BE-së e rrezikon dhe minon kredibilitetin e saj në relacion me Kosovën dhe krijon hapësirë veprimi për akterë të padëshirueshëm dhe konkurrentë ndaj BE-së, të cilët kanë interes rritjen e ndikimit në Kosovë. Në këtë kontekst, Kosova ka nevojë që BE-ja të marrë veprime dhe vendime konkrete që e rikthejnë besimin në procesin e integrimit në BE, i cili konsiderohet jetik jo vetëm për Kosovën, mirëpo për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme